×

LB: Marrëveshja e demarkacionit të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar

31.03.2016 ·



Komisioni Verifikues i krijuar nga presidentja Jahjaga konstatoi se puna dhe rezultatet e Komisionit shtetëror për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në aspektin teknik dhe juridik, kanë qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ky komision në fund të të gjeturave të tij gjithashtu pohoi se procesi i përcaktimit të vijës kufitare nuk e ka pasur transparencën e duhur. Mungesa e transparencës ka qenë arsyeja pse Lëvizja për Bashkim ka qenë kundër rezultateve të komisionit shtetëror. Duke qenë një proces jotransparent, ai ka krijuar huti të madhe tek qytetarët e Kosovës dhe si i tillë ka hasur në kundërshtim nga shumë segmente të shoqërisë në Kosovë.

Lëvizja për Bashkim konsideron se Kuvendi i Kosovës është mekanizmi final i cili e bën ratifikimin ose mosratifikimin e asaj marrëveshjeje. Për shkak të paqartësive të mëdha që ka sjellë procesi i demarkacionit, e si rrjedhojë ka ngjallur mosbesim të madh te një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë proces, Lëvizja për Bashkim kërkon nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që duke votuar kundër, t’i hapim rrugë dërgimit të kësaj çështjeje në arbitrazh ndërkombëtar.

Gjithashtu, duke e pasur parasysh rëndësinë afatgjate të kësaj çështjeje, kërkojmë nga të gjitha subjektet politike që këtë marrëveshje të mos e shfrytëzojnë për qëllime të politikës ditore, por të njëjtin ta trajtojnë me seriozitetin e duhur. Të jenë pjesëmarrës në procesin vendimmarrës lidhur me këtë çështje dhe aty ta shprehin kundërshtimin e vet.