×

​Dialogu në rrugë të gabuar

14.02.2013 ·



Dialogu politik me Serbinë, i filluar mbrapsht, tani po hyn në fazën e tij të rrezikshme. Sipas njoftimeve të “lehtësuesve “ të dialogut, por edhe sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, në raundin e ardhshëm të dialogut Kosovë-Serbi do të bisedohet për veriun e Kosovës.

Përpjekja për të gjetur një zgjidhje për veriun e Kosovës në dialog me Serbinë, duke e heshtur çështjen e ndarjes së dhunshme të Mitrovicës dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës; duke e heshtur çështjen e pazgjidhur të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, - pra, përpjekjet për të gjetur zgjidhje duke respektuar vetëm interesin e Serbisë përbën një rrezik me pasoja afatgjate si për Kosovën, ashtu edhe për shqiptarët në përgjithësi.

Lëvizja për Bashkim e thërret Qeverinë e Kosovës që të mos hyjë në shtigje të tilla, nga të cilat nuk ka rrugëdalje.

Lëvizja për Bashkim kërkon seriozitetin maksimal të Qeverisë së Kosovës dhe të të gjithë spektrit politik shqiptar në lidhje me dialogun dhe pasojat e tij.

Rruga më e mirë në këtë situatë do të ishte ndërprerja e përkohshme e dialogut, fillimi i menjëhershëm i konsultimeve të të gjitha forcave politike të Kosovës dhe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në lidhje me interesin kombëtar dhe shtetëror nga dialogu me Serbinë, si dhe hartimi i një platforme të përbashkët për bisedime të cilën në fund do ta miratonim në Kuvendin e Kosovës. Përndryshe, pasojat do të jenë shumë të rënda dhe vështirë të riparueshme.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë,

14.2.2013