×

​Dialogu për veriun – rast historik për Kosovën Lindore

09.05.2012 ·



Kosova ndodhet para një ballafaqimi serioz në veriun e saj: faktorët ndërkombëtarë të involvuar në veri të Kosovës po e përgatitin dialogun Kosovë-Serbi.

Ky dialog, në qoftë se jo sot, do të mbahet nesër – ai është i pashmangshëm. Kosova nuk duhet të pres që të detyrohet të hyjë në këtë dialog, por duhet të përgatitet seriozisht dhe ta ketë zgjidhjen për këtë çështje. Dialogu për veriun në vetvete nuk është kundër interesave të Kosovës dhe të popullit shqiptar – por nëse ne e refuzojmë ose hyjmë të papërgatitur në të ai do të paraqes rrezik të madh për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët.

Kosova nuk guxon të rrijë duarkryq! Në qoftë se vazhdohet si deri më tash, Kosova ose do të jetë e detyruar ta refuzojë këtë dialogun dhe në këtë rast situata do të vazhdojë të shkojë keq e më keq për Kosovën dhe për shqiptarët, ose do të hyjë e detyruar dhe papërgatitur në dialog, dhe në këtë rast, zgjidhjet do të jenë të padrejta dhe të dëmshme si për pjesën e Mitrovicës të kontrolluar nga serbët, poashtu edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore.

Kosova duhet të insistojë që të gjitha të drejtat që mund të kërkohen për serbët e Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut të plotësohen edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ndërsa Mitrovica veriore dhe fshatrat shqiptare në veri të Kosovës nuk mund të jenë pjesë e dialogut, sepse atje është kryer spastrimi etnik dhe se shqiptarët duhet të kthehen në pronat e tyre.

Institucionet e Kosovës nuk guxojnë ta humbin këtë rast! Kosova ka mundësi që edhe të mos i prishë raportet me ndërkombëtarët, edhe t’i zgjidhë problemet e saj të brendshme, edhe t’u vijë në ndihmë shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe shqiptarëve në Kosovën Lindore. Kosova me një zgjidhje të mençur dhe largpamëse do t’ia hapte vetes dyert edhe për integrimet e saj kombëtare, edhe për ato ndërkombëtare. Përndryshe, çdo sjellje e papërgjegjshme Kosovën do ta sjellë në një situatë të vështirë dhe të paperspektivë.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë,

9.5.2012