Situata nëpër të cilën po kalon Kosova dhe populli i saj është e nderë dhe me rreziqe afatgjata.
Ka kohë që nga qendrat e vendosjes vinin informacione se po përgatitet një plan (i sponsorizuar nga Serbia) për veriun e Kosovës, por që do të ketë implikime edhe në brendësi të Kosovës e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Po kalojnë gati nëntë vjet që shteti serb dhe serbët lokalë të Kosovës po e përgatisnin terrenin për këtë plan.
Po kalojnë gati nëntë vjet që komuniteti ndërkombëtar i involvuar në Kosovë po i toleronte këto veprime agresive të Serbisë e të serbëve si në veri të Kosovës, ashtu edhe në brendësi të saj.
Po kalojnë gati nëntë vjet që politika shqiptare nuk po i përgjigjej në mënyrë adekuate kësaj politike.
Tani situata në terren nuk e lejon komoditetin e vetëm një JO-je!
JO-ja në këto rrethana e ka vetëm kuptimin e mbrojtjes së kësaj udhëheqjeje politike nga populli, e jo edhe të popullit nga ky plan. Sepse, nëse vazhdohet me këtë mënyrë veprimi, OKB-ja dhe BE-ja në bashkëveprim me Serbinë do të na e imponojnë planin e tyre pavarësisht nëse ne i themi PO apo JO. Këtë ua mundëson edhe situata në terren, e cila, në fund të fundit, është më e rëndësishmja. Dhe tanimë është e qartë për të gjithë se plani OKB-Serbi do të ketë pasoja të rënda si për popullin shqiptar në Kosovë, ashtu edhe për popullin shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Për të dalë nga kjo situatë në të cilën Qeveria e Kosovës e ka futur vetveten dhe ne të gjithëve, duhet të ndërmerren hapa shumë më të guximshëm e më frytdhënës:
Të gjitha veprimet tjera të institucioneve të Kosovës do të duhej të përputheshin me këtë vijë politike.
Përndryshe, në Kosovë do të vendoset një status quo e re politike e cila duke qenë edhe e mbështetur juridikisht e politikisht nga komuniteti ndërkombëtar, do ta legalizonte konfederalizimin e Kosovës sot dhe do ta legjitimonte ndarjen e Kosovës sipas variantit serb nesër, ndërsa tri komunat shqiptare nën Serbi do të vazhdojnë të mbeten nën pushtim klasik.
Prishtinë
12.11.2008