×

Situata politike në Maqedoni po përkeqësohet

16.05.2010 ·



Shkaktari kryesor i këtij përkeqësimi padyshim është fakti se populli shqiptar dhe trojet e tij vazhdojnë të sundohen nga pushtuesi maqedonas, i cili po përdorë të gjitha format e dhunës për të ushtruar trysni tek populli shqiptar në mënyrë që atij t’i mbytet çdo zë i qëndresës.

Partitë politike shqiptare (në radhë të parë BDI dhe PDSH) të cilat veprojnë legalisht dhe të cilat mbajnë përgjegjësi për gjendjen e krijuar në Maqedoni, edhe në këtë situatë po luajnë rol destruktiv në raport me të drejtat e popullit shqiptar.

Edhe reagimet nga Tirana e Prishtina në lidhje me situatën në Maqedoni nuk janë aspak në përputhje me interesin e popullit shqiptar dhe me zhvillimet e vërteta në Maqedoni. Sidomos skandaloze kanë qenë deklaratat e tyre në lidhje me vrasjet e fundit të shqiptarëve në Radushë.

Kjo situatë, në të cilën shqiptarët shtypen nga maqedonasit, manipulohen nga partite politike shqiptare atje dhe injorohen nga Prishtina e Tirana çdo ditë e më tepër po shkon drejt një shpërthimi të pakontrolluar që do të ishte skenari më i keq për shqiptarët. Nga një luftë e tillë, e nxitur në momentet e një shkalle të ulët të organizimit të shqiptarëve, do të kishte përfitime vetem pushtuesi.

Prandaj, në këtë situatë detyrë imediate del krijimi i një subjekti të ri politik, i cili do të kishte për qëllim realizimin e të drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar në Maqedoni dhe që për realizimin e kësaj të drejte do të shfrytëzonte të gjitha mjetet e nevojshme, në përputhje me situatën politike dhe gjendjen organizative të popullit shqiptar atje.

Prishtinë, 16.5.2010