×

​Të copëzuar nuk arrijmë asgjë – të bashkuar arrijmë gjithçka

09.11.2007 ·



Pushtuesi maqedonas më 7.11.2007, ashtu siç i ka hije pushtuesit, ndërmori një aksion të shkallës së gjerë në malësinë e Tetovës, me përqendrim në fshatin Brodec. Armatimi i përdorur, natyra e aksionit, egërsia e shfaqur nga ana e forcave të Maqedonisë nuk janë gjëra të reja dhe janë plotësisht në përputhje me përmbajtjen e vërtetë të këtyre forcave në veçanti dhe me pushtetin maqedonas në përgjithësi, i cili ka qenë dhe mbetet pushtues për popullin shqiptar dhe për trojet e tij.

Ka kohë që flitet se në malësinë e Tetovës janë grumbulluar njerëz të uniformuar dhe të armatosur. Është folur se prapa tyre qëndron AKSH-ja, ish-luftëtarët e UÇK-së të riorganizuar e deri te implikimi i partive politike shqiptare. Por, pas sulmit të forcave maqedonase u pa qartas se prapa tyre nuk qëndroi askush, së paku nuk u ndihmoi askush.

Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në Tanushë, edhe në Kondovë, të cilat prapa vetes kanë lënë vazhdimisht të vrarë, të arrestuar ose të arratisur nga ana e “njerëzve të uniformuar” dhe banorë të dëmtuar, të tmerruar e të dëshpëruar.

Luftëra të tilla e të ngjashme nuk do të duhej të na përsëriteshin më. Ato na kanë kushtuar mjaft. Kosova, Presheva, Bujanofci e Medvegja, e pastaj edhe lufta në Maqedoni. Të gjitha histori në vete. Të gjitha nga një luftë. Të gjitha nga një marrëveshje – të gjitha në dëm të popullit shqiptar. Të gjitha kanë lënë prapa nga një Rambuje, Konçul apo Ohër. Kanë lënë nga një kushtetutë, kornizë apo rezolutë. Duhen vite, mund, djersë e gjak për t’i zhdukur pasojat e tyre. Historia duhet të na shërbejë si mësim.

Vetëm një politikë e drejtë dhe e shtrirë në shkallë kombëtare mund të sjellë zgjidhje të shkallës kombëtare.


9.11.2007