×

Enciklopedia maqedonase –rrjedhojë logjike e politikës sonë servile

29.09.2009 ·



Është e padiskutueshme se populli shqiptar jeton në trojet e veta nën pushtimin maqedonas;

Është e padiskutueshme se trojet shqiptare nën Maqedoni kanë shkuar e po shkojnë vazhdimisht duke u tkurrur. Ohri, Manastiri, Kumanova etj. tani kanë mbetur me një pakicë shqiptare si pasojë e dhunës dhe terrorit të ushtruar nga politika shoviniste maqedonase;

Është e padiskutueshme se edhe pa enciklopedinë shoviniste të tanishme populli shqiptar në Maqedoni është konsideruar dhe trajtuar si një pakicë kombëtare e cila duhet ose të nënshtrohet e të asimilohet, ose të largohet nga Maqedonia.

Në këtë zhvillim të situatës, politika zyrtare shqiptare e Tiranës, Prishtinës e Shkupit është sjellë dhe po vazhdon të sillet me një inferioritet absurd si ndaj pushtuesit maqedonas, po ashtu edhe ndaj faktorëve ndërkombëtarë, politikë e cila është shumë e dëmshme për populli shqiptar.

Pasojat e një politike të tillë janë reflektuar drejtpërsëdrejti në terren dhe ato janë mjaft të rënda dhe tani po pasqyrohen edhe në historiografinë maqedonase. Një politikë e tillë është bashkëfajtore me pushtuesit për tensionet e përhershme në rajon.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim deklaron se nuk është vetëm enciklopedia maqedonase që duhet të ndryshojë, sepse, në fund të fundit, vetëm ndryshimi i enciklopedisë nuk e ndryshon situatën në terren, por duhet të ndryshojë edhe politika jonë ndaj pushtuesve të trojeve shqiptare. Vetëm kështu mund të krijohen premisa për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare si në Maqedoni, po ashtu edhe në Kosovën Lindore e në Mal të Zi. Vetëm atëherë paqja dhe siguria në rajon do të jenë të garantuara.

Prishtinë, 29.9.2009