×

Maqedonia të mos shqetësohet por të këndellet

12.01.2017 ·



Në reagimin e tij lidhur me takimet e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Kosovës me krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Popovski, duke akuzuar këta të dy për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, ndër të tjera tha se Maqedonia ka qenë gjithnjë e drejtë në bashkëpunimin me fqinjët dhe se do të ishte shumë mirë, nëse ata i bashkohen Shkupit, jo të vendosin mina në këtë rrugë.

Lëvizja për Bashkim e konsideron këtë deklaratë mjaft shqetësuese sepse përmes saj shprehet mungesa e gatishmërisë së shtetit maqedonas për të reflektuar mbi realitetin ekzistues në këtë shtet dhe mohimin e padrejtë të të drejtave të shqiptarëve atje, si komunitet shtetformues. Konsultimi dhe koordinimi politik midis përfaqësuesve të një kombi, për avancimin e të drejtave të një pjese të tij nuk përbën kurrfarë veprimi agresiv apo precedenti në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lidershipi maqedonas, duke u përpjekur ta pengojë komunikimin midis shqiptarëve në rajon, po dëshmon edhe një herë papjekurinë politike dhe mentalitetin e vet jodemokratik e izolues. Nuk mund të konsiderohet bashkëpunim i mirë i Maqedonisë me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë përderisa ky bashkëpunim synon të qëndrojë mbi vazhdimin e padrejtësive ndaj një pjese të kombit tonë.

Lëvizja për Bashkim i fton krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni që të qëndrojnë të vendosur në unitet dhe t’i artikulojnë sa më qartë kërkesat e tyre. Gjithashtu, i ftojmë përfaqësuesit e popullit maqedonas që këtë moment ta shohin si një rast të mirë reflektimi për padrejtësitë e vazhdueshme ndaj shqiptarëve.

Prishtinë
12.1.2017

Lëvizja për Bashkim