28.02.2013 · Agim Kuleta
Z. Kryetar i Kuvendit,
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Fillimisht, më duhet t’ju them se ndjehem thellësisht i zhgënjyer me faktin që paralajmërimet tona të vazhdueshme për rezultatet e këtyre bisedimeve po dalin të sakta. Megjithatë, ky zhgënjim nuk ishte i papritur kur kemi parasysh se si janë pritur sugjerimet tona, si Lëvizje për Bashkim, në raport me këto bisedime. Në fakt, nuk ka si të përfundojnë ndryshe një palë bisedime në të cilat shkohet i papërgatitur. Në të cilat nuk shkohet me qasjen tënde ndaj problemit si tërësi, që si i tillë nuk përfshinë vetëm atë të serbëve në veri, por i përshtatesh qasjes parciale të tjetrit ndaj problemit, në të cilin, pra, nuk përfshihet ai i shqiptarëve në Kosovën Lindore. Nuk ka si të përfundojnë ndryshe një palë bisedime në të cilat nuk shkohet për t’i shtruar qëndrimet e kërkesat tua të artikuluara në një dokument, por shkohet për të negociuar lidhur me qëndrimet dhe kërkesat e artikuluara të palës tjetër. Dhe në fund, nuk ka si të përfundojnë ndryshe një palë bisedime kur në to nuk shkohet për të biseduar se çfarë mund t’u ofrojnë të dy shtetet njerëzve me gjendje të njëjtë në territoret reciproke, por se çka mund të ofrojë shteti i Kosovës për serbët në veri.
Kryeministri, tërë shqetësimin e tij, ditëve të fundit, e ka pasur në sqarimin se asociacion i komunave serbe është në kuadër të Pakos së Ahtisarit dhe se si subjekt, nuk ngërthen në vete ingerenca ekzekutive e legjislative. Për ta ilustruar sa më thjesht këtë ai e quajti OJQ. Në qoftë se, në realitet, ky asociacion është vërtetë i tillë, mendoj se kryeministri ka qenë mjaft sqarues sa i përket kësaj. Por, çështja është se, edhe pse kjo e përbën një pjesë të problemit, madje një pjesë shumë të rëndësishme, megjithatë nuk është krejt problemi. Pjesa tjetër e problemit ka të bëj me pasojat që reflekton ky asociacion edhe si i tillë, pra i zhveshur nga këto ingerenca. Me këtë rast, unë dua të denoncoj publikisht një manipulim që po tentohet të bëhet këtu.
Vazhdimisht është thënë që si pakoja e Ahtisarit si proceset dhe zgjidhjet tjera të synuara kanë për qëllim integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Edhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe po justifikohet përmes këtij motivi. Po a është kjo e vërtetë?
E vërteta është që ky nuk është hap drejt integrimit të serbëve, përkundrazi ky hap e rehabiliton distancën midis palëve. Përmes strukturave të tilla po legjitimohet krijimi i strukturave paralele, një asociacion për komunat e Kosovës dhe një tjetër për komunat me shumicë serbe. A nuk janë edhe këto komuna me shumicë serbe komuna të Kosovës? A është integruese të kemi një asociacion me të gjitha komunat së bashku apo asociacione të ndara mbi baza etnike? Në këtë rast dy gjëra janë të sigurta: e para që ekzistimi i asociacioneve të ndara mbi baza etnike nuk janë shenjë e integrimit dhe e dyta, që askush nga ne nuk është aq naiv ta besoj të kundërtën.
Për momentin, zgjidhje të tilla edhe mund të tingëllojnë të pranueshme. Në fakt, edhe qëllimi është momental. Pra, të arrihet një marrëveshje që përkohësisht krijon perceptimin e normalizimit, por që në thelb nuk i prek problemet kryesore. Dhe e tërë kjo bëhet për krijimin e kushteve që Serbia të ecë në rrugën e saj drejt Evropës.
Serbia edhe mund të ecë në këtë rrugë, nuk ka asgjë të keqe. E keqja është se ne po na mbeten problemet. Krijimi i asociacioneve të ndara ravijëzon dy kampe, dy palë, të cilat vazhdimisht do ta mbajnë gjallë frymën e konfliktit. Prandaj, këto zgjidhje nuk po i zgjidhin problemet, por po e instalojnë konfliktin institucional. Kjo, vetëm do ta ushqejë mosdurimin midis palëve.
Në anën tjetër, çfarëdo aranzhmani vetëm për serbët është qasje e njëanshme e problemit, e rrjedhimisht, nuk përbën zgjidhje të tij. Këtu po mbesin, qëllimshëm, shumë probleme në heshtje. Nuk është çështje e parëndësishme dhe e parrezikshme lënia e mijëra njerëzve pa pronë si pasojë e spastrimit etnik në veri të Mitrovicës; nuk është çështje e parëndësishme dhe e parrezikshme midis Kosovës dhe Serbisë, çështja e Kosovës Lindore. Ne mund të themi që atje është qetë, por jemi dëshmitarë që shumë herë, situata, për shkak të problemeve të pazgjidhura ka dalë nga kontrolli, jashtë parashikimeve të të tjerëve.
Për shkak të kësaj politike injoruese të institucioneve të Kosovës, përfaqësuesit e Kosovës Lindore, detyrohen që zgjidhjen e problemeve të tyre ta kërkojnë përmes bisedimeve me qeverinë serbe, pra me ata që ua shkaktojnë me vetëdije të plotë e në mënyrë sistematike këto probleme, ndërkohë që për serbët e veriut bisedohet midis dy shteteve, me ndërmjetësim ndërkombëtar!!! Pra, në këtë mënyrë, përderisa serbët në veri trajtohen si pjesë e kombit serb, shqiptarët në Kosovën Lindore trajtohen si pakicë! A nuk është ky standard i dyfishtë i trajtimit të njerëzve që ndodhen në të njëjtin pozicion, serbët në veri e shqiptarët në lindje? A është kjo vërtet vlerë evropiane dhe a duhet të krenohen evropianët me të? Unë nuk besoj që është kështu. Dhe, edhe po të jetë, unë do ta kem të pamundur të pajtohem me të. Ky është një veprim që jep një mësim të keq. Kjo është një qasje që i nxitë njerëzit në situata të tilla që të shkaktojnë probleme nëse dëshirojnë të trajtohen më mirë, më me respekt. Serbët e veriut sot po shpërblehen falë veprimeve të tyre kriminale, ndërsa shqiptarët e Kosovës Lindore po ndëshkohen falë sjelljes së tyre konstruktive.
Faleminderit!
Agim Kuleta, deputet i Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 28.2.2013