04.11.2011 · Shukri Klinaku
Në rrugën “Haxhi Zeka” të Prishtinës ka kohë që është hapur një gropë. Para 2 – 3 muajsh ishte shumë e vogël, por ajo dita-ditës po hapet më shumë. Nuk është gropë e thjeshtë në tokën e shtruar me asfalt. Ajo është zgavër e rrezikshme, ngase nën asfalt ose ka lëvizur dheu, ose është zgavër kanalizimi. Nga çarja e asfaltit shihet humnera e zezë. Është shumë e rrezikshme kjo gropë e hapur në mes të rrugës “Haxhi Zeka”.
Kjo rrugë është e frekuentueshme. Lidh qytetin me lagjen “Kolovica e Re”. Prandaj është e pamundur që pushtetarët e komunës së Prishtinës, ata që janë përgjegjës për këtë, të mos e kenë parë. Për të intervenuar, ata nuk intervenojnë. Sikur presin të bjerë dikush në humnerë, e pastaj të ndiejnë keqardhje, të ndajnë mjete për viktimën dhe, në fund, edhe ta rregullojnë!!!
Vetëm Qeveria e Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës „nuk e dinë“ se dialogu është politik
Edhe bisedimet e nisura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë i ngjajnë shumë kësaj grope. Qeveria e Kosovës e sheh gropën, por nuk ndërmerr ndonjë gjë. Madje, sillet më keq sesa qeveria komunale me gropën në rrugën “Haxhi Zeka”. Duke thënë se këto bisedime janë teknike, qeveria dhe kryeparlamnetari bëjnë përpjekje ta mbulojnë gropën me propagandë. Ndërsa, në anën tjetër, rreziku vjen duke u rritur. Të gjithë aktorët në bisedime dhe përreth tyre janë duke e parë, duke e thënë dhe duke u sjellë në përputhje me realitetin se këto bisedime janë politike. Pra, vetëm Qeveria e Kosovës dhe kryeparlamentari „nuk e shohin“ politikën në këto bisedime. Palë të ndryshme madje japin ide e propozime për zgjidhje të çështjeve kardinale politike të këtij dialogu. Ndërsa, qeveritarët tanë dhe „kryenegociatorja“ thonë se këto bisedime filluan si teknike dhe teknike do të mbesin!!!
“Vendosmëria” e palës shqiptare në bisht të çështjes
Disa politikanë të Kosovës, të pozitës dhe të opozitës, shesin politikë, vendosmëri e parimësi kur thonë: “Ne nuk i marrim kopjet e librave të kadastrave dhe librave të ofiqarisë, të cilat i ka marrë pushteti serb më 1999”. Gjendja aktuale politike thotë: “Lëri ato libra (qofshin origjinale a kopje), e rreku me thelbin e problemit!”. Thelbi i problemit është përcaktimi i interesit politik në raport me Republikën e Serbisë, e pastaj me politikë mjeshtërore dhe me vendosmëri e parimësi të përfitohet në dobi të çështjes kombëtare dhe në dobi të paqes në rajon. Pas zgjidhjes së problemit politik, problemi i librave të kadastrave dhe të ofiqarisë nuk do të quhej problem. Edhe çështjet tjera pastaj do të ishin vërtet teknike. Pra, për t’u hapur rrugë bisedimeve teknike me Serbinë, duhet zgjidhur së pari konfliktin politik me këtë shtet.
Për të mos ndodhur më e keqja gropat duhet të sanohen
Komunarët e Prishtinës duhet ta sanojnë gropën në rrugën “Haxhi Zeka” sa më parë, sepse është rrezik që dikush të pësojë në të.
Ndërsa Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht dhe rrënjësisht ta ndërrojë qasjen ndaj këtyre bisedimeve. Duhet që në bashkëpunim me të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë t’i përpilojë qëllimet politike të këtij dialogu. E pastaj ta ngrejë shkallën e vendosmërisë dhe parimësisë. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë nuk do të pësojë vetëm dikush, por do të pësojë e tërë Kosova Lindore, pjesa veriore e Mitrovicës dhe funksionaliteti i tërë Republikës së Kosovës.
Prishtinë,
11.4.2011