×

​Kosova nuk ka nevojë për parulla

09.08.2012 ·



Lëvizja për Bashkim po i përcjell me shqetësim deklarimet e subjekteve politike të Kosovës në prag të dialogut Kosovë-Serbi.

Shqetësuese në këtë situatë është se këto subjekte në vend se të merren me trajtimin serioz e përmbajtjesor të çështjes, ato, të nxitura nga motive elektorale, shërbehen me fraza e parulla krejtësisht jashtë realitetit. Synimet për një “traktat paqeje me Serbinë”, “për normalizim marrëdhëniesh”, për “njohje të ndërsjellë”, apo kërkesa “për kërkim faljeje nga ana e Serbisë” janë synime e kërkesa që do të vinin në shprehje vetëm pasi të zgjidhen problemet që ekzistojnë me Serbinë. Këto janë synime që kanë të bëjnë me situatën postkonfliktuale.

Ndërsa realiteti është krejtësisht tjetër. Midis Kosovës e Serbisë ka ende çështje mjaft të rënda të pazgjidhura, siç është Kosova Lindore, qyteti i ndarë i Mitrovicës, Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku, e të cilat çështje kërkojnë një debat të mirëfilltë e harmonizim pikëpamjesh në mes të subjekteve politike shqiptare, e jo grindje, përplasje e akuza të ndërsjella.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim edhe njëherë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike shqiptare që të gjejnë forcë morale e të ulen në një tryezë për t’i diskutuar çështjet që kanë rëndësi të madhe për të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Përndryshe, deklaratat se po punojnë në të mirën e qytetarëve mbesin veçse demagogji, ndërsa, në anën tjetër, rezultatet e një dialogu të mundshëm me Serbinë pa një agjendë të harmonizuar politike dhe synime të qarta për t’i zgjidhur problemet reale në mes të dy vendeve dhe popujve, mund të jenë me pasoja për Kosovën dhe popullin shqiptar.

Prishtinë,

9.8.2012