×

​Pa Kosovën Lindore nuk duhet të ketë bisedime Kosovë – Serbi

17.02.2011 · Shukri Klinaku



Bisedimet që do të ndodhin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës po shquhen si HISTORIKE?!

Në historinë e kohës së re konflikti ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve nuk ka qenë ndonjëherë më i thjeshtë sesa sot. Krijimi i dy shteteve tjera sllave në kufi me Kosovën (Maqedonia dhe Mali i Zi) dhe shkëputja fizike e Kosovës prej Serbisë më 1999, e pasuar me shkëputjen edhe juridike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, çështjen shqiptaro – serbe e thjeshtuan shumë. Sot ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë disa probleme të rënda të mbetura nga lufta, të cilat edhe nëse nuk zgjidhen shpejt me dialog reciprok, do të zgjidhen vetiu me kalimin e kohës, pa e rrezikuar stabilitetin e dy vendeve. Një palë tjetër problemesh janë të natyrës ekonomike, të cilat po ashtu, nëse nuk i zgjidh shpejt politika, i zgjidh biznesi me kalimin e kohës. Dhe, në fund, është një pjesë e mbetur e konfliktit historik: territori. Edhe ky problem është thjeshtuar deri në tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës (dhe me vazhdimësi territoriale me Serbinë – Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku) dhe në tri komuna shqiptare në jug të Serbisë (me vazhdimësi territoriale me Kosovën – Presheva, Medvegja dhe Bujanoci).

Përkundër pretendimeve të shovinizmit serb që pjesë e kontestit territorial të konsiderohet edhe veriu i qytetit të Mitrovicës (dhe shtatë fshatra përreth të banuara me shumicë shqiptare) dhe të pranohet gjendja faktike në terren e krijuar me anën e spastrimit etnik të kryer pas luftës (sidomos në v. 2000), për palën shqiptare veriu i Mitrovicës nuk duhet të jetë kurrsesi pjesë e çfarëdo agjende bisedimesh të kontestit territorial, përderisa deri në vitin 2000 atje kishte rreth 70% shqiptarë. Për këtë pjesë zgjidhja duhet të kërkohet me çdo kusht brenda kornizave të respektimit të të drejtave themelore njerëzore: në kthimin e të dëbuarve shqiptarë në pronat e veta.

Sidoqoftë, problemi shqiptaro-serb është thjeshtësuar shumë. Por edhe si i tillë, ai duhet të zgjidhet, sepse po e mban peng të ardhmen e të dy popujve.

Duke i komentuar bisedimet e përfolura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, para pak kohësh edhe kryetari serb, dhe kryeministri i Kosovës ato i quajtën bisedime që do të sjellin zgjidhje historike. Zgjidhja historike mund të jetë vetëm nëse e zgjidh konfliktin historik – konfliktin për kufirin territorial ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Prandaj, nuk mund të ketë zgjidhje historike pa përfshirjen e Kosovës Lindore në bisedime dhe në zgjidhje.

Kush e cakton agjendën e bisedimeve?

Nga njeriu i dytë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës para pak ditëve u dëgjua një deklaratë joserioze lidhur me bisedimet. Në atë deklaratë ndër të tjera u tha se Kosova nuk ka marrë agjendë të bisedimeve nga BE-ja! Mendoj se kjo deklaratë është në pajtim me autorin e saj: është joserioze. Është normale që të gjitha palët e interesit në këtë dialog të propozojnë agjendën e vet. Pra, është normale që edhe BE-ja, si palë e interesuar për paqe në Evropë dhe për mbarëvajtje të procesit të zgjerimit të vet, të propozojë agjendë. Por nuk bën që Kosova - njëra ndër dy palët e drejtpërdrejta të dialogut, të mos ketë agjendë të veten. Ndryshe, Kosova mund të pranojë agjendat e të gjitha palëve që kanë interes, mund dhe duhet të pranojë çështje për bisedime nga këto propozime, por të gjitha këto duhet të inkorporohen në agjendën e Kosovës për bisedime. Dhe në këtë agjendë duhet të jetë patjetër Kosova Lindore.

Futjen e Kosovës Lindore në agjendë e bën të lehtë futja e Veriut të Kosovës në agjendë

Bisedimet janë quajtur me terma të ndryshëm: bisedime teknike, teknike me prapavijë politike, politike etj. Ato le të quhen sipas dëshirës së kujtdo qoftë, por përfaqësuesit politikë së Kosovës duhet ta fusin në agjendë edhe Kosovën Lindore. Nëse për një palë kërkimi i zgjidhjes për veriun e Kosovës quhet çështje teknike, atëherë edhe për Kosovën, çështja e Kosovës Lindore le të quhet teknike. Me rëndësi është që Kosova Lindore të jetë pjesë e bisedimeve dhe e zgjidhjes së problemit. Futja e Kosovës Lindore në bisedime me serbët në çfarëdo rrethanash tjera do të ishte mision i vështirë i politikës së shqiptarëve, por futja e veriut të Kosovës në bisedime e bën këtë mision shumë të lehtë dhe të natyrshëm. Prandaj, në agjendën e bisedimeve shqiptaro – serbe duhet të jetë patjetër Kosova Lindore.

Fillimi i bisedimeve – sa më parë, aq më mirë për Kosovën

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të nisin sa më parë, sapo të krijohen kushte normale për bisedime nga pozita të barabarta. Për këtë ekzistojnë një mori arsyesh njerëzore dhe një arsye politike kombëtare për shqiptarët. Për ne është e rëndësishme të fillojnë sa më parë, sepse të dy pjesët e territoreve në kontest janë nën pushtetin e Serbisë (veriu i Kosovës faktikisht, ndërsa Kosova Lindore faktikisht dhe legalisht). Duke qenë se kjo është e vërtetë dhe duke i pasur parasysh veprimet e pandërprera të shovinistëve serbë për ekspansion territorial, të dy këto territore janë duke u serbizuar gjithnjë e më shumë. Prandaj, për të mos e zgjidhur koha edhe këtë problem (në dëm tonin), duhet të angazhohet politika e shqiptarëve që sa më parë ta zgjidhë atë në dobi të qytetarëve të këtyre dy pjesëve të territoreve. Kjo bëhet duke e futur Kosovën Lindore në bisedimet e ardhshme me Serbinë.

Prej gabimit politik të rastit, deri te gabimi i pafalshëm

Ka gabime dhe gabime. Këtu dëshiroj të shtroj çështjen: a do të ishte gabim i rastit apo gabim i pafalshëm i kreut politik të Kosovës nëse nuk e futin çështjen e Kosovës Lindore në bisedimet shqiptaro – serbe?! Mendoj se mospërfillja dhe lënia anash në bisedime e kësaj çështjeje nuk mund të quhet gabim politik i rastit, sepse, pos rrethanave të favorshme për futjen e kësaj çështjeje në bisedime, pos kërkesës së shtruar nga disa faktorë kombëtarë për këtë, edhe vetë politikanët e Kosovës Lindore e kërkojnë futjen e çështjes së këtij territori në bisedime. Duhet të vendoset ndërmjet interesit të përgjithshëm dhe interesit të ngushtë. Në këtë rast, interes i përgjithshëm është fati i banorëve të Kosovës Lindore, ndërsa interes i ngushtë është ruajtja e pushtetit të politikanëve me seli në Prishtinë. Rrjedhimisht, konsideroj se udhëheqësit politikë të Republikës së Kosovës, të inkurajuar edhe nga ata të Republikës së Shqipërisë, duhet të ngulin këmbë - qoftë edhe me dorëheqje... - për futjen e Kosovës Lindore në bisedimet e ardhshme shqiptaro – serbe.

Shukri Klinaku

(Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LB-së)