×

​Heshtje e dyshimtë e Qeverisë së Kosovës

21.05.2013 ·



Ditëve të fundit, konsorciumi amerikan “New Generation Power” lidhi një marrëveshje me Qeverinë e Serbisë për investime në gjigantin metalurgjik të Trepçës. Për këtë çështje, menjëherë pas marrëveshjes, u prononcua edhe Qeveria e Serbisë, ministri i së cilës tha se nënshkrimi i kësaj kontrate erdhi pas marrëveshjes për veriun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ajo që nuk u deklarua fare për këtë çështje deri më sot është Qeveria e Kosovës.

Lëvizja për Bashkim konsideron se heshtja e Qeverisë së Kosovës rreth këtij rasti është një papërgjegjësi e madhe e këtij institucioni. Ky është një veprim i cili lë hapësirë për dyshime të arsyeshme se edhe vetë kjo Qeveri është e implikuar në forma të ndryshme në këtë ngjarje. Madje, një sjellje e tillë ngjallë dyshime edhe për përmbajtjen e vërtetë të marrëveshjes së dëmshme midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë në bisedimet e fundit.

Lëvizja për Bashkim e fton Qeverinë e Kosovës që të kryej obligimin e saj ndaj qytetarëve të vendit duke mbajtur qëndrim për këtë situatë. Ajo duhet ta demonstrojë fuqishëm faktin se Republika e Kosovës është shtet dhe se Qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi pasuritë tona e rrjedhimisht as në kompleksin e minierave të Trepçës.

LËVIZJA PËR BASHKIM

Prishtinë,

21.5.2013