Deputeti i Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës, z.Raif Qela, në pyetjen parlamentare drejtuar Kryeministrit të Kosovës lidhur me fatin e projektligjit për Trepçën u shpreh:
“Para nja 20 muajsh ky Kuvend, por edhe Qeveria, kanë qenë në siklet të madh, duke e shqyrtuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, me qëllim që çështja e Trepçës të mos futet në qorrsokak. Prej atëherë pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar me këtë çështje. Gjendja e agonisë në të cilën është Trepça qe më shumë se 26 vjet, po vazhdon. Lidhur me këtë, unë e kam këtë pyetje për kryeministrin:
Z.Kryeministër,
Jeni zotuar se do ta procedoni në Kuvend, në afatin e paraparë, Ligjin për Trepçën. Këtë zotim nuk e keni përmbushur akoma. Kur do ta procedoni në Kuvend Ligjin për Trepçën?”
Kryeministri Mustafa, në përgjigjen e tij, ndër të tjera tha:
“Ligji është përgatitur dhe është konsultuar me faktorin ndërkombëtar. Ai do të procedohet në Kuvend në mënyre që t’i arrijmë afatet e domosdoshme që ligji të nënshkruhet në afate që nuk e rrezikojnë Trepçën.”
Në insistimin e deputetit Qela se “a do të thotë kjo se më 2 nëntor, kur është afati i fundit ligjor, do të hyjë në fuqi ky ligj?, Kryeministri Mustafa e konfirmoi këtë.