24.03.2016 · Raif Qela
Deputeti i Lëvizjes për Bashkim (LB) dhe anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Raif Qela, ka thënë se po të hulumtohen tregjet botërore, këto mbetje minerale mund të shiten edhe më shtrenjtë sesa tregu momental. “Jam i bindur se me pak hulumtim mbetjet minerale mund të shiten në tregun botëror me çmim shumë më të volitshëm sesa ky, por edhe po të shiten krejt depozitat e mbetjeve minerale me çmimin e kontraktuar së fundmi, del se vlera e mbetjeve minerale të ndërmarrjes ‘Trepça’ është rreth 884 milionë euro”, ka thënë Qela
Kosova ka rreth 68 milionë tonë mbetje minerale, të cilat në tregun momental kushtojnë më shumë se 884 milionë euro
Pos vlerës financiare që mund ta përfitojë Kosova nga këto mbetje, ato paraqesin edhe rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve. E konsideruar si pasuri në dëm të shëndetit të njerëzve, kjo mbetje minerale ende është pa destinim, sepse Ligji për mbetjet minerale tash e dhjetë vjet nuk është miratuar e, po ashtu, as Ligji për “Trepçë”-n.