22.09.2016 · Raif Qela
Prej fillimit të këtij viti, si përfaqësues i qytetarëve të Kosovës, e kam ngritur me dhjetëra herë çështjen e Ligjit mbi Trepçën. Edhe në Komisionin për Zhvillim ekonomik, infrastrukturë tregti e industri, edhe në Seanca të Kuvendit, me pyetje parlamentare drejtuar kryeministrit të Kosovës, z. Isa Mustafa etj.
Këtë e kam bërë duke e ditur rëndësinë që ka Ligji mbi Trepçën në potencialin që do ta krijonte ai për zhvillimin ekonomik të krejt Kosovës dhe duke e parë rrezikun që ky Ligj nuk po procedohet me kohë në Kuvend.
Para 20 muajsh ky Kuvend, por edhe Qeveria, kanë qenë në siklet të madh, duke e shqyrtuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, me qëllim që të pengohet likuidimi i paralajmëruar i Kombinatit “Trepça”.
Prej atëherë pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar lidhur me këtë çështje: gjendja e agonisë, në të cilën është Trepça qe pothuajse 25 vjet, po vazhdon.
Akoma nuk e kemi nxjerrë bazën ligjore të nevojshme që kjo ndërmarrje të zhvillohet dhe me afarizmin e vet pozitiv të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të krejt Kosovës.
Ligji për Kombinatin “Trepça” duhet të sillet në Kuvend, e jo të mjaftohemi me terapi shpëtimi të përkohshëm, apo me ligje surrogate, siç kemi vepruar para 20 muajsh...
Qe disa muaj Komisioni për hartimin e Projektligjit për Trepçën, i emëruar prej vetë kryeministrit Mustafa, e ka kryer punën e vet dhe e ka nxjerrë një version fillestar të Projektligjit.
Prej atëherë ne nuk kemi asnjë lëvizje.
Qeveria nuk e ka proceduar në Kuvend Ligjin për Trepçën.
Shumë nga përfaqësuesit e Institucioneve kanë pas dhënë premtim para punonjësve të Kombinatit “Trepça” dhe para qytetarëve se do ta nxjerrin Ligjin për Trepçën në afatin e paraparë.
Edhe vetë KM në shkurt të këtij viti e ka pas dhënë këtë premtim në Trepçë para minatorëve në manifestimin me rastin e përvjetorit të grevës së minatorëve.
Ku është ai premtim?
Pse akoma nuk ka lëvizje?
Ne nuk duhet të paralizohemi nga frika e pabazë e të mos veprojmë, siç kemi bërë deri më tani.
Këtë duhet ta bëjmë më së largu brenda javës, sepse më 2 nëntor është afati kur Trepça shkon me automatizëm në likuidim po qe se deri atëherë nuk nxirret Ligji mbi Trepçën.
Nuk ë kurrfarë zgjidhjeje përsëritja e praktikës për nxjerrje të ndonjë ligji surrogat, përmes të cilit do t'ia zgjasnim akoninë Trepçës, ashtu siç kemi vepruar para 20 muajsh.
Ose të nxirret Ligji mbi Trepçën, ose të tregojmë se nuk jemi të aftë ta udhëheqim vendin dhe të japim përgjegjësi për çdo dështim.
Raif Qela,
Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Lëvizja për Bashkim