05.06.2022 · Lëvizja për Bashkim
Të hënën, me datën 6 qershor 2022, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prej orës 10:00, para Kuvendit të Kosovës do të organizojnë protestë kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve.
LB e bindur në drejtësinë e kësaj çështjeje, të ngritur nga OVL e UÇK-së, ka vendosur që ta mbështes protestën dhe do të marr pjesë aktive në të.
LB është bindur se këndëvështrimi i mbrapshtë se kategoritë e dala nga lufta janë barrë për shoqërinë është antinjerëzor e antikombëtar.
Me projektligjin e Qeverisë së Kosovës, i cili do të shqyrtohet të hënën në Kuvendin e Kosovës, parashihet që të rrëzohet ligji aktual që e lidh pensionin e veteranit me pagën minimale, (edhe ashtu ka qenë pension shumë i vogël, 170 euro), pra të mos ketë rritje për këtë kategori ashtu siç parasheh projektligji për pagën minimale.
Lëvizja për Bashkim fton që jo vetëm veteranët, por të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës dhe të mos lejojmë që kategoritë më meritore për lirinë që po e gëzojmë të na shndërrohet në kategori sociale!
JO diskriminimit të mëtutjeshëm të luftëtarëve të lirisë!
TË GJITHË në protestë në mbrojtje të njerëzve më meritorë për lirinë që po e gëzojmë!
Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 5.6.2022