×

​Urime 10 vjet shtet!

16.02.2018 ·



U bënë 10 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e 19 vjet nga momenti që shënoi hapjen e rrugës për këtë akt. Sot, po shënojmë ditën që simbolizon fundin e një makthi shekullor për këtë pjesë të atdheut. Nuk ka asgjë më të shtrenjtë për një njeri, një shoqëri e një komb, se sa të jetë i lirë dhe të ketë të drejtën të zgjedhë vetë atë që është më e mirë për të. Le të mbetet kjo vlerë udhëheqësja e dëshirave, mendimeve dhe veprimeve të përditshme të secilit prej nesh. Respektimi i dallimeve midis nesh të bëhet flamur në zemrat dhe mendjet tona.

Është e vërtetë se po jetojmë në një kohë të vështirë e të vendimeve të mëdha. Në një kohë të betejës së ashpër midis të mirës e të keqes. Por në fund, padyshim, e mira do të triumfojë. Prandaj, për ta bërë këtë më të lehtë e më të shpejtë, në këtë ditë të veçantë për ne, të zotohemi të gjithë se do të angazhohemi që këtë vend ta bëjmë një vend të shpresës dhe mundësive të barabarta për çdo qytetar të tij. Ta bëjmë një vend me të cilin do të jemi krenarë të gjithë ne.

Sot, Kosova është e pavarur dhe kjo përbën një të arritur të madhe në përpjekjet e kombit tonë për liri. Përbën një moment sigurie nga i cili duhet të vazhdohet të ecet tutje, duke e thelluar edhe më sovranitetin, drejt qëllimit tonë final.

Duke ua uruar këtë festë të madhe, ju lutemi t’i kujtojmë më respekt të thellë të gjithë ata që e bënë të mundur ditën që fëmijët tanë të lindin të lirë.

Urime 10 vjet shtet!

LËVIZJA PËR BASHKIM

16 shkurt 2018