30.12.2008 · Avni Klinaku
(Asgjë e madhe, asgjë e rëndësishme. Çdo gjë do të shkojë me ritmin e deritanishëm. Do të vazhdojë njohja e “kontrolluar” e shtetit të Kosovës dhe “kontrollimi” i ndarjes së vazhdueshme funksionale. Pra, forcim i ngadalshëm i pozitave të jashtme dhe ngadalësim i forcimit të pozitave të brendshme. Rezoluta 1244 do të vazhdojë të qëndrojë si shpatë e damokleut mbi kokën e shqiptarëve të Kosovës, ndërsa pavarësia e Kosovës si gogol për serbët. Apo, shqiptarët do të vazhdojnë të ngushëllohen me pavarësinë pa sovranitet, ndërsa serbët me Rezolutën e pazbatueshme 1244. Kështu, pa dëshirën e tyre (por me naivitetin e deritashëm politik), edhe shqiptarët, edhe serbët e Kosovës do të vazhdojnë të jetojnë edhe më tutje në pasiguri, në varfëri e në jetë pa dinjitet edhe në vitin 2009. Të tjerët do të vazhdojnë të jenë zotët e vërtetë të jetës së tyre.)
Viti 2008 do të mbahet mend si një vit i kundërthënieve të mëdha. Në njërën anë ky ishte vit i shpresave, në anën tjetër vit i zhgënjimeve. Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 2008, përbën burimin e shpresës së qytetarëve të Kosovës dhe njëkohësisht burimin e zhgënjimit të tyre. Gjatë gjithë periudhës së pasluftës sikur ishim përshtatur me varfërinë, me papunësinë, me korrupsionin, me gjendjen e rëndë në ekonomi, në arsim, në shëndetësi e në të gjitha sferat tjera të shoqërisë dhe kjo përshtatje lidhej ngushtë me shpresën se pas shpalljes së pavarësisë do të fillojnë ditë më të mira për të gjithë.
Mirëpo, as pavarësia nuk erdhi siç prisnin qytetarët e Kosovës, e as ajo që erdhi nuk solli ndryshime, apo së paku fillimin e ndryshimeve për të mbarë.
Pavarësia e Kosovës, megjithëse përbën shkëputjen edhe juridike nga Serbia (që është një hap i madh e i rëndësishëm për popullin shqiptar), nuk u realizua si një vullnet i popullit, si një rezultat i përpjekjeve e sakrificave (madje ato u injoruan me këtë rast), por erdhi si rezultat i koniunkturave ndërkombëtare, pra si rezultat i raporteve ndërkombëtare, sidomos i raporteve në mes të SHBA-së, Rusisë e Bashkimit Evropian. Si pasojë, Pavarësia e Kosovës u shpall në bazë të një “marrëveshjeje” që në realitet mbeti vetëm si propozim – Pakoja e Ahtisarit, e cila shkeli rëndë vullnetin dhe të drejtat e popullit shqiptar dhe, në fund të fundit, nuk na ofroi as zgjidhje të situatës, e as garanci për ndonjë paqe të qëndrueshme.
Pastaj, përkundër shkeljes së rëndë mbi vullnetin e popullit shqiptar (pavarësi e pasovranitet dhe mohim i së drejtës për vetëvendosje), madje, ndoshta pikërisht duke qenë kështu, në fuqi mbeti edhe Rezoluta 1244, e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
Pavarësia e Kosovës dhe Rezoluta 1244 paraqesin kundërthënien mbi të cilën u zhvilluan pothuajse të gjitha ngjarjet politike në Kosovë e rreth saj në vitin 2008.
Në qoftë se Pavarësia e Kosovës paraqet bazën juridike në bazë të së cilës shqiptarët përpiqen ta vazhdojnë jetën dhe t’i realizojnë synimet e veta politike, Rezoluta 1244 paraqet bazën juridike ndërkombëtare mbi të cilën Serbia dhe serbomëdhenjtë përpiqen ta zhvillojnë jetën dhe t’i realizojnë synimet e tyre politike.
Kjo kundërthënie do të na përcjellë edhe gjatë.
Të dyja këto akte juridike i dhanë edhe produktet e veta që domosdo ishin edhe ato në kundërthënie të papajtueshme.
Derisa nga akti i shpalljes së pavarësisë doli kushtetuta e Kosovës dhe u realizuan 53 njohje ndërkombëtare, nga Rezoluta 1244 doli Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe Plani Gjashtëpikësh i Ban Ki Mun-it.
a) Kushtetuta e Kosovës
Kushtetuta e përkufizon Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran...
Mirëpo, duke qenë se e tërë pjesa tjetër e kushtetutës i nënshtrohet pa kushte Pakos së Ahtisarit, Kosova nuk bëhet shtet i pavarur por shtet i mbikëqyrur (nga UNMIK-u, nga EULEX-i, pra nga OKB-ja dhe Brukseli), Kosova nuk bëhet sovrane, por e kufizuar (nuk ka të drejtë të vetëvendos etj.) dhe në fund, Kosova është e kushtëzuar (shtet, por sipas Pakos së Ahtisarit!).
Kushtetuta e përkufizon Kosovën si shtet unik dhe të pandashëm...
Mirëpo, edhe pas gati një viti jetë Kosova nuk e ka as për së afërmi unitetin e proklamuar dhe kjo për shkak të Rezolutës 1244, pas së cilës mbahen serbët e Kosovës dhe Serbia, si dhe për shkak të rrethanave ndërkombëtare, të cilat reflektohen fuqishëm në Kosovë.
b) Njohja nga 53 shtete
Të gjithë kanë pritur se pas shpalljes së pavarësisë Kosova do të njihet shumë shpejt në shkallë të gjerë botërore, ose së paku 100 shtete do ta njohin shumë shpejt (kështu pat deklaruar edhe Kryeministri i Kosovës). Mirëpo jo vetëm që nuk ndodhën njohjet e pritura, por, çka është më shqetësuese, shtetet që e kishin njohur pavarësinë bënë veprime në kundërshtim me të si në rastin e Rezolutës serbe në KS të OKB-së për në GJND rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë, si në rastin e marrëveshjes së Serbisë me OKB-në për Gjashtëpikëshin e njohur, po ashtu edhe në rastin e shtrirjes së EULEX-it dhe rikonfigurimit të UNMIK-ut. Gjithashtu organizmat më të rëndësishëm botërorë (OKB-ja dhe BE-ja) shpallën neutralitetin ndaj pavarësisë.
Përkundër të gjithave, edhe pse njohja nga 53 shtete akoma nuk është e mjaftueshme për Kosovën, pavarësia e saj, kështu siç është, është e pakthyeshme. As synimi i faktorëve ndërkombëtarë, as synimi përfundimtar i Serbisë nuk shkon në këtë drejtim.
c) Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë
Diplomacia serbe, e bazuar në Rezolutën 1244, kërkoi nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratimin e një rezolute me anë të së cilës do të kërkohej deklarimi i Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë për ligjshmërinë ndërkombëtare të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. OKB-ja e miratoi një kërkesë të tillë.
Edhe pse me këtë rezolutë kërkohet të kontestohet pavarësia e Kosovës, prapa saj fshihet një qëllim më i largët i politikës serbe ndaj Kosovës. Hilja qëndron në faktin se Serbia, duke e kontestuar pavarësinë synon zbehjen e saj në arenën ndërkombëtare dhe realisht synon ndarjen (fillimisht funksionale) të Kosovës. Politika shtetërore serbe e ka fare të qartë se ndarja funksionale e Kosovës nuk shkon në kundërshtim me veprimet dhe synimet e deritashme të faktorit ndërkombëtar në Kosovë.
ç) Plani Gjashtëpikësh
Qeveria e Serbisë, e vetëdijshme se shpallja e pavarësisë së Kosovës është e pashmangshme dhe se kjo është çështje e pakthyeshme, qysh në janar të vitit 2008, pra para shpalljes së pavarësisë, me anë të Planit operativ për Kosovën përpiloi bazat rreth ndarjes funksionale të Kosovës. Në mars të po këtij viti ajo përmes ministrit Samarxhiq e bëri publike këtë tendencë të re ndaj Kosovës. Në qershor të vitit 2008 Ban Ki Mun e zyrtarizoi në suaza ndërkombëtare një tendencë të tillë serbe përmes letrave që ua dërgoi Serbisë dhe Kosovës.
Gjashtëpikëshi në formë të marrëveshjes Serbi-OKB u bë i njohur në nëntor të këtij viti.
Qeveria dhe Presidenca e Kosovës i thanë “jo” këtij plani me arsyetimin se kjo do të ishte ndarje e Kosovës dhe u mjaftuan të kundërpërgjigjën me “planin” e zbehtë katërpikësh.
Organizatat joqeveritare dhe Lëvizja Vetëvendosje! organizuan demonstrata kundër këtij plani dhe kërkuan ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Përkundër kësaj, KS i OKB e miratoi Gjashtëpikëshin serb dhe i “aneksoi” edhe katër pikat e Kosovës.
Në të vërtetë, Plani Gjashtëpikësh i Ban Ki Mun-it nuk paraqet ndarjen e plotë të Kosovës (prandaj u aprovua nga i tërë faktori ndërkombëtar), por ai paraqet ndarjen funksionale të Kosovës dhe përgatitje të terrenit për ndarje të plotë të Kosovës sipas planeve serbe (prandaj u propozua nga Serbia).
Duke pasur parasysh se “qeveritarët” e vërtetë të Kosovës nuk janë as Qeveria e Kosovës, as Qeveria e Serbisë, d.m.th. as shqiptarët, as serbët, pra, duke pasur parasysh se realisht Kosovën e drejtojnë faktorët ndërkombëtarë, pa hezitim mund të themi se edhe në vitin 2009, si deri më tani, situata do të vazhdojë të mbahet nën kontroll nga ndërkombëtarët.
Në bazë të interesave të faktorëve relevantë ndërkombëtarë dhe ne bazë të raporteve në mes të këtyre faktorëve në vitin 2009 Kosova do të vazhdojë të ecë drejt njohjeve të ngadalshme dhe të pamjaftueshme për ta përforcuar subjektivitetin e plotë ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë do të kemi përforcim të ndarjes së brendshme të Kosovës.
Koalicioni i tanishëm qeveritar bashkë me opozitën e çorientuar nuk e kanë as dijen, as guximin, as interesin e tyre të ngushtë për ta shmangur këtë rrjedhë të situatës. Populli, i bombarduar nga propaganda e fuqishme çorientuese, duke qenë i paorganizuar dhe duke mos e pasur në krye një organizëm që angazhohet vërtet për një të ardhme më të mirë, vazhdon të heshtë. Në anën tjetër, ndoshta ana më e mirë e situatës, faktori ndërkombëtar nuk do ta lejojë Serbinë ta cenojë pavarësinë e mbikëqyrur e të pasovranitet të Kosovës, të cilën e preferon vetë faktori ndërkombëtar në krye me SHBA-në.
Në këtë konstelacion të forcave dhe në këtë zhvillim të situatës politike ka shumë pak shpresë që viti 2009 do të sjellë ndryshime në gjendjen sociale e ekonomike të popullsisë në përgjithësi.
Për të dalë nga kjo rrjedhë e ngjarjeve dhe për t’iu shmangur kësaj gjendjeje të rëndë si politike, si social-ekonomike, si kulturore e më gjerë, Kosovës i duhet një forcë politike e cila do të dijë që qytetarin ta bëjë zot të jetës së vet, ta bëjë kreator të vërtetë të politikës së vet, ta bëjë sovran në territorin e vet, pra kjo forcë duhet të dijë ta zbatojë kushtin e parë të demokracisë konsekuente – vox populi, vox dei (zëri i popullit, zëri i zotit).
Prishtinë, dhjetor 2008