×

Fundi i kërkesës për pavarësi

10.04.2008 · Avni Klinaku



Ka pesëmbëdhjetë vjet që kërkesa për pavarësi të Kosovës sillet vërdallë nëpër trojet e copëtuara shqiptare. E shpikur nga shpikësi i pacifizmit të shpifur në Kosovë, pastaj, e pranuar nga të gjitha partitë pacifiste të paraluftës dhe ato institucionaliste të pasluftës, jeta e kësaj kërkese të pajetë zgjati kaq shumë pikërisht për shkak të pagjakësisë së përkrahësve të saj, organizimit të dobët të kundërshtarëve të saj si dhe interesave të ndryshme të faktorëve të jashtëm. Që nga lindja e deri te vdekja, që nga anemia politike e shpikësit e deri te servilizmi i varrmihësit, kërkesa për pavarësi u mësua të bashkëjetojë me mohuesen e saj - Serbinë. Në fillim, më 1992, me referendumin e famshëm për pavarësi u deklarua se Kosova tanimë është e pavarur dhe pritet vetëm njohja formale e saj edhe pse Kosova ndodhej në pushtim klasik dhe kalonte çastet më të vështira të historisë së saj; tani kur po pritet që "në bashkërendim me faktorët jashtëm" të shpallet sërish pavarësia e Kosovës (sipas pakos së Ahtisarit, domosdo) të gjithë me çdo kusht po përpiqen ta bindin opinioni se rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, nuk e pengon pavarësinë e Kosovës. Tani, së paku do të ketë njohje ndërkombëtare të saj dhe pikërisht njohja e saj do të jetë edhe fundi i saj. Ajo tani "po bëhet realitet". Varrmihësi me gjithë suitën e tij dhe të gjithë pasuesit tjerë të shpikësit po bëjnë be e rrufe se kjo është pavarësia e vërtetë. Ashtu qoftë! Edhe pse të gjithë e dimë se sipas pakos së Ahtisarit Kosova nuk do të jetë e pavarur, apo në rastin më të mirë ajo do të jetë një pavarësi e kufizuar, e kushtëzuar, e mbikëqyrur dhe me rezolutën 1244 mbi krye si shpatë Demokleu.

Kufizimi i pavarësisë

Pavarësia e Kosovës sipas pakos së Ahtisarit ka shumë kufizime por më kryesori është ai i cili Kosovën nuk e trajton si shtet i pavarur dhe sovran, por shoqëri multietnike dhe si pasojë Kosova nuk do të ketë prerogativat kryesore të shtetit, siç janë ministria e jashtme, përmes së cilës ushtrohet sovraniteti i jashtëm dhe ministrinë e mbrojtjes, përmes së cilës ushtrohet sovraniteti i brendshëm.

Kushtëzimi i pavarësisë

Kosova e pavarur e pacifistëve të djeshëm dhe e servilëve të sotëm kusht të posaçëm do ta ketë që të mos bashkohet me asnjë shtetet tjetër (kupto me Shqipërinë), nuk do të mund t'i bashkohet asnjë pjesë tjetër asaj (kupto Presheva, Bujanoci e Medvegja) etj. Kusht tjetër tepër të rëndë do t'i ketë të drejtat e minoriteteve, të cilat jo vetëm që duhet të respektohen (gjë normale) por duhet të bëhet edhe një "diskriminim pozitiv", i cili shkon deri atje sa që pakicat në Kosovë, të cilat mezi përbëjnë pesë përqindëshin e popullsisë, në shumicën e çështjeve duhet të barazohen me shumicën dërmuese të popullsisë, me çka këtë "shoqëri multietnike" do ta bëjnë një "shtet" jo funksional dhe të pasigurt.

Mbikëqyrja e pavarësisë

Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës do të realizohet përmes Bashkimit Evropiane dhe konkretisht nga Misioni Evropian për Politika të Sigurisë dhe Mbrojtjes (MSPSM) ose më drejtpërdrejt nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) dhe nga forcat ushtarake ndërkombëtare të quajtura Prania Ndërkombëtare Ushtarake (PUN). Afati i qëndrimit të këtyre mekanizmave në Kosovë nuk është i përcaktuar fare dhe kjo e bënë mbikëqyrjen e përjetshme.

Shpata e Demokleut

Pasi që pakoja e Ahtisarit nuk arriti të miratohet nga KS i OKB-së, ku do të duhej dhënë domosdo një përgjigje kontradiktës të dukshme në mes të rekomandimit të Ahtisarit për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës dhe rezolutës 1244 e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, me qëllim apo pa të, tani çështja e Kosovës apo e statusit të saj do të zgjidhet jashtë OKB-së. Sipas të gjitha gjasave faktorët politikë të Kosovës do ta shpallin pavarësinë sipas pakos së Ahtisarit dhe shtetet e ndryshme veç e veç do ta njohin realitetin e krijuar. Kështu mund të “shpëtohet” nga tema “e nxehtë” për rezolutën 1244, apo nga diskutimet dhe qëndrimet e vendimet tepër të rëndësishme për sovranitetin mbi Kosovën. Faktorët politikë ndërkombëtarë “më tepër do të preferojnë” (mund të jetë ky një qëllim) dualitetin e sovranitetit mbi Kosovën, sesa zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje. Sidoqoftë Kosova do ta ketë rezolutën 1244 edhe më tutje në qafë si një shpatë, e cila, me në varshmëri me rrethanat, do të paraqes rrezik të vazhdueshëm për të dhe popullsinë e saj.