Kosova edhe me kushtetutën në fuqi dhe me legjislacionin përcjellës që janë produkt i Pakos së Ahtisaarit që i rri varur në qafë (e që duhet përsëritur se është mbi këto dy të parat në rast se ato nuk janë kompatibile me të) ka një sovranitet të kufizuar. Madje edhe pavarësia e saj quhet jo rastësisht pavarësi e mbikëqyrur dhe kushtëzuar. Për më tepër ky sovranitet më tej u kufizua me Planin Gjatëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Munit, përmes së cilit u mundësua vendosja e EULEX-it në Kosovë në bashkëpunim dhe me lejen e Beogradit zyrtar. Sikur të mos mjaftonin tërë këto kufizime, të pranuara (herë heshtur e herë hapur) nga pala kosovare (qeveria dhe opozita parlamentare), Serbia çdo ditë ndërmerr hapa, që atë pak sovranitet që mbetet, ta shkel, ta dëmtojë, ta kufizojë. Dhe këtë nuk e bën vetëm në veriun e Kosovës, ku ajo ka një situatë krejtësisht të ndryshme me brendësinë e Kosovës, por ajo po e bën këtë edhe me enklavat brenda Kosovës, si dhe me ofensivën diplomatike që po ndërmerr për të dobësuar pozitën politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Një gjë është e qartë, Serbia e di se ndarja e Kosovës sot zyrtarisht nuk mund të ndodh. Rrjedhimisht ajo po punon që t’i përforcojë pozitat e veta në Kosovë, në mënyrë që ta përgatis ndarjen sa më të favorshme për të, në momentin kur të krijohen rrethanat ndërkombëtare për këtë gjë përcjell me krijim të realiteteve të reja në terren. Kjo punë e vazhdueshme, përcillet me një dobësim permanent të shtetit të Kosovës, duke ndikuar në anën tjetër që në arenën ndërkombëtare Serbia ta paraqes Kosovën si një shtet të dështuar, pa mundësi të ushtrojë sovranitet në tërë territorin e saj.
Po ne ku jemi në këtë mes? Ku është qeveria jonë që me të madhe thirret në kushtetutë dhe në ligjet e Republikës së Kosovës? Si është e mundur qeveria e një shteti sovran të lejojë ardhjen në territorin e saj të një delegacion zyrtar të shtetit që jo vetëm nuk po e njeh, por po ia bën çdo ditë e më tepër të vështirë ekzistencën. Si është e mundur që kreu i kësaj qeverie të deklarojë se me këtë vizitë për herë të parë Serbia po e njeh de jure Kosovën, sepse paska kërkuar leje tek UNMIK-u, e UNMIK-u paska kërkuar mirëkuptim nga qeveria e Kosovës. Për më tepër kreu i qeverisë ishte krenar që këtë delegacion po e shoqëron Policia e Kosovës. Por cila është e vërteta në këtë mes? E vërteta është se Qeveria e Serbisë nuk ka kërkuar leje as nga UNMIK-u (e lë më nga Qeveria e Kosovës), por vetëm e ka njoftuar atë. Qeveria serbe në vazhdimësi është sjell dhe sillet me Kosovën si një territor i veti, andaj ka kujdes të veçantë kur ndërmerr hapa të tillë. Në anën tjetër UNMIK-u ka kërkuar (nëse nuk e ka urdhëruar) nga Qeveria e Kosovës që Policia e Kosovës ta ndihmojë atë në përcjelljen e këtij delegacioni. Dhe Policia e Kosovës, e konsideruar tani së voni edhe me ligj si polici e shtetit të Kosovës, me bekimin e qeverisë sonë, e ka përcjell delegacionin e shtetit serb për të minuar sovranitetin e Kosovës në çdo hap të tyrin, në çdo pjesë të Kosovës ku ata shkonin. Ky delegacion e inauguroi zyrën (ilegale) e Post Telekomit të Serbisë në Graçanicë, u takua me zyrtarët komunal të zgjedhjeve ilegale serbe në Kosovë, u tallë publikisht me institucionet e Kosovës (duke i ofruar procedurë të shpejt kryeministrit tonë për një pasaportë serbe) dhe bëri kudo thirrje publike tek zyrtarët komunalë serbë dhe tek qytetarët serbë që të mos i njohin institucionet e Kosovës dhe t’i bojkotojnë ato. Këta zyrtarë të lartë serb, që tani paralajmëruan se serbët e Kosovës do t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, sepse ata i kanë institucionet e tyre, që janë institucione të Republikës së Serbisë. Nën përcjelljen e policisë së Kosovës ata disa herë iu referuan Kosovës si pjesë të Serbisë dhe deklaruan se ata nuk i kërkojnë leje askujt për të ardhur në Kosovë. Kjo vizitë nuk mund të shihet ndryshe veç në vazhdën e përpjekjeve të Beogradit zyrtar për të rrënuar vazhdimisht edhe atë pak sovranitet që ka Kosova dhe të sigurohet se Plani Gjashtëpikësh do të zbatohet në terren.
Në të vërtetë po të ishte kjo një vizitë zyrtare e shtetarëve të një shteti tjetër, do të përcillej me njohjen e shtetit ku po shkojnë dhe të institucioneve të tij. Si mund të thuhet se ata po e njohin de jure shtetin e Kosovës, kur ata nuk denjuan të takohen me institucionet e Kosovës në Prishtinë. Për më tepër i injoruan, i tallën, i treguan si të parëndësishme për ta dhe për synimet e tyre në Kosovë. Po si është dashur të reagojë qeveria jonë në këtë rast? Në vend se të jepen deklarata që nuk përkojnë me realitetin dhe që janë vazhdimësi e politikave të improvizimeve, të mishëruara në mendësinë tonë politike në 18 vitet e fundit, është dashur që të dëshmojë një çikë se këtu ka një shtet sado i dobët që mund të jetë në këto rrethana. Qeveria e Kosovës, jo veç që është dashur të urdhëroj policinë tonë të mos e përcjell këtë delegacion, por është dashur, që të mos e lejojë hyrjen e saj. Në qoftë se kjo nuk do të lejohej nga KFOR-i, është dashur që së paku t’i bëhej jeta e vështirë këtij delegacioni, e penguar në çdo hap nga Policia e Kosovës dhe e përcjell nga protestat e qytetarëve që do të duhej me thirrjen e qeverisë t’i bllokojnë rrugët kudo që ky delegacion do të kalonte. Gjithashtu është dashur t’i çohet një sinjal të qartë bashkësisë ndërkombëtare se kësi aktesh janë të patolerueshme për institucionet e Kosovës. Këso situatash, jo që do të ndihmojnë integrimin e serbëve të brendësisë së Kosovës në institucionet e Prishtinës, por përkundrazi së bashku me moszgjidhjen e drejtë të problemit të veriut të Kosovës (dhe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, që mund të zgjidhen vetëm nëse aplikohet parimi i reciprocitetit dhe atë deri në vetëvendosje) janë faktorë që këtë pakicë do ta mbajnë të izoluar, të paintegruar dhe instrument të shovinizmit serb. Për më tepër kjo situatë e pamundëson çfarëdo kthimi efektiv të tërë atyre që janë larguar nga Kosova që nga viti 1999. Mbi të gjitha brengosëse në këtë mes është si është sjell Prishtina zyrtare. Kështu me këtë qasje Qeveria e Kosovës, i ka bërë me dije Beogradit zyrtar, se ai këtu nuk ka farë pengesash serioze të punojë çdo ditë në minimin dhe rrënimin e sovranitetit të Kosovës. Atij i është bërë me dije se derën e ka hapur të vij e të bëj çka të dojë në oborrin tonë. Në këso situate qytetarët tanë vërtet me të drejtë mund të pyesin se kur do t’i vijë fundi politikës totale të indolencës, improvizimeve dhe të jo-sinqeritetit ndaj realitetit që na rrethon nga ana e institucioneve të Kosovës por edhe të opozitës parlamentare; kur do të vijë dita që qeveritë tona të dëshmojnë sovranitet shtetëror?