13.06.2008 · Valon Murati
1. Kohët e fundit në opinionin publik është manipuluar jashtëzakonisht shumë me qëndrimin se Kushtetuta e Kosovës ka gjoja karakter qytetar, andaj edhe është moderne, demokratike dhe në trend me përcaktimin euro-atlantik të politikës sonë. Kështu, - vazhdojnë apologjetët e kësaj zgjidhjeje, - kjo kushtetutë do të ishte anakronike po ta përcaktonte Kosovën në preambulën e vet si shtet të popullit shqiptar (dhe të pakicave kombëtare që jetojnë aty), sepse ajo në të vërtetë është e tërë qytetarëve të saj pa dallim etnie (thuajse dikush me mend në kokë do ta kishte mohuar këtë!). Kushtetuta jonë, - arsyetojnë ata, - është e bazuar në konceptin e qytetarit si individ dhe jo në përkatësinë etnike të tij. Në këtë arsyetim kinse ideologjik dhe filozofik (qytetari kundër etnisë) asnjëherë nuk thuhet krejt e vërteta. Ajo mbështillet me një tis mjegulle, duke u përpjekur të stiset një arsyetim racional për zgjidhjen irracionale që i është bërë rregullimit juridiko-politik të Kosovës dhe, si rrjedhim, marrëdhënieve të popujve brenda saj. Nuk ka dyshim se sinqeriteti do të ishte rrugëdalja më e ndershme nga kjo situatë. Dhe sinqeriteti do të nënkuptonte që t’i sqarohej popullit të Kosovës, qytetarëve të saj, se parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar kjo kushtetutë nuk i kemi vënë ne, por ato janë vendosur në një proces politik të imponuar, që ka rezultuar me shkëputje nga Serbia, me pavarësi të kushtëzuar, të kufizuar e të mbikëqyrur dhe me pak apo aspak sovranitet të popullit (në daçi: qytetarëve) të Kosovës mbi vendin e tyre. Kjo situatë e re krijoi një konflikt të nxehtë permanent me serbët e Kosovës dhe konflikt të ngrirë me Serbinë. Pastaj, se kush i ka ndërtuar teknikisht disa nga pjesët e kësaj kushtetute nuk ka fare rëndësi. I rëndësishëm në këtë mes është materiali me të cilin është ndërtuar shtëpia (kupto: kushtetuta), e jo dizajni i jashtëm i saj. Materiali i brishtë mund të bëjë që kjo shtëpi për kohë të gjata të qëndrojë në këmbë të qelqta (me rrezik rrënimi). Si e tillë, kjo kushtetutë nuk mund të konsiderohet se është vullnet i këtij populli, nuk është vullnet i qytetarëve të këtij vendi, por vullnet i atyre që e kanë bërë Pakon e Ahtisaarit, rrjedhimisht i koniunkturave momentale ndërkombëtare. E të mos flasim pastaj se funksionimi edhe i vetë këtij rregullimi juridiko-kushtetues në pjesët ku jetojnë serbët, për shkak të mosnjohjes nga ana e tyre e shtetit të Kosovës, do të jetë sfida që do të na harxhojë shumë mund e energji në vitet në vijim.
2. Në të vërtetë ajo që po konsiderohet kushtetutë qytetare nuk është aspak e tillë. Në radhë të parë, ndonëse ajo pretendon të jetë akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës, nuk është e tillë. Kushtetuta në tërësi i nënshtrohet Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, përkatësisht Marrëveshjes së Ahtisaarit (shih nenin 143). Njëkohësisht, edhe institucionet e vendit janë të kufizuara në fuqitë e veta qeverisëse, sepse Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil është “autoriteti përfundimtar në Kosovë lidhur me interpretimin e aspekteve civile të Propozimit Gjithëpërfshirës” (e Propozimi është mbi Kushtetutën) dhe se “asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka juridiksion ta rishikojë, ta pakësojë ose në ndonjë mënyrë ta kufizojë mandatin, kompetencat dhe detyrimet e përcaktuara me nenin 146 dhe me këtë nen” të Përfaqësuesit Ndërkombëtar Civil (shin nenin 147). Duke qenë produkt i Pakos së Ahtisaarit, kjo kushtetutë është etnike në vetë karakterin e saj. Porse ajo është etnike në një mënyrë të çuditshme dhe ‘origjinale’. Ajo është etnike në dhënien e privilegjeve pakicës, në veçimin e pakicës ndaj shumicës dhe në de-sovranizimin e shumicës. Ajo është etnike në mënyrën sesi është planifikuar të bëhet decentralizimi, sesi i është dhënë karakteri krejtësisht etnik trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë dhe sesi i veçon serbët nga shumica dhe nga pakicat e tjera (ndonëse nuk janë përcaktuar në mënyrë eksplicite në kushtetutë, në Pako që është mbi Kushtetutën këto janë të përcaktuara shumë qartë dhe si të tilla po rregullohen me ligjet e Kuvendit të Kosovës, pra janë pjesë e rregullimit kushtetues-juridik të Kosovës).
3. Nëse do të kishim kushtetutë të pastër qytetare (p.sh. të tipit francez apo amerikan), ashtu siç po trumbetojnë përkrahësit e saj, atëherë në kushtetutë nuk do ta kishim të pranishëm në këtë masë konceptin e komuniteteve, sepse aty do të mbizotëronte fryma se të gjithë qytetarët pa dallim etnie janë të barabartë si qytetarë të Kosovës dhe si të tillë do të duhej t’i realizojnë të drejtat e tyre individuale dhe si rrjedhim edhe ato kombëtare. Koncepti i pastër qytetar i kushtetutës nuk do ta duronte konceptin e komuniteteve. Për më tepër është e palogjikshme dhe absurde që të thirremi në vlera të konceptit qytetar për shtetin e Kosovës kur kemi të bëjmë me shumicën dërrmuese (shqiptarët), e ta etnizojmë konceptin kur i trajtojmë pakicat (sidomos serbët). Nuk mundet Kosova të jetë shtet qytetar kur bëhet fjalë për shqiptarët dhe shtet etnik kur bëhet fjalë për serbët. Një qasje e tillë vetëm sa e rëndon situatën dhe krijon burime të pafundme të konfliktit. Dhe atë jo vetëm në relacionet shqiptarë-serbë, por edhe brenda vetë shoqërisë shqiptare në Kosovë (kujto situatën e tensionuar që u krijua gjatë miratimit të Ligjit për Festat Zyrtare në Kosovë nga ana e Kuvendit të Kosovës). Pastaj, po të shtrihej në kushtetutën e vendit tonë edhe koncepti qytetar në tërësinë e tij, do ta kishte bërë sovran qytetarin e Kosovës, e rrjedhimisht koncepti i vullnetit të shumicës as që do të vihej në dyshim. Edhe me këtë koncept qytetarët e Kosovës do të mund të bashkoheshin me ndonjë shtet tjetër. Ajo që e cenon atë është sanksionimi në kushtetutë i shprehjes së vullnetit abstrakt të kosovarëve për të mos u bashkuar me një shtet tjetër. Nga ku buron ky vullnet asnjëherë i matshëm, përveç në Pakon e Ahtisaarit, nuk e kanë shpjeguar asnjëherë apologjetët e këtyre zgjidhjeve krejtësisht të imponuara politike të kushtetutës. Dhe nëse njëherë ky vullnet matet dhe si rrjedhim realizohet e drejta e vetëvendosjes së popujve me tërë kuptimin e saj (për shqiptarët dhe për serbët në veriun e Kosovës), atëherë rezultati edhe mund të mos jetë i rëndësishëm. Sepse atij populli, atyre qytetarëve që njëherë u garantohet kjo e drejtë, nuk mund t’u merret më. Ajo nuk është një e drejtë e konsumueshme. Sot mund të vendosin për të mos u bashkuar, por nesër mund të vendosin ndryshe. Pikërisht hartuesit e Pakos së Ahtisaarit dhe shkruesit e vërtet të Kushtetutës i janë frikësuar moskonsumimit të saj. Kështu që përgjigja më realiste ndaj pretendimeve se Kosova ka një kushtetutë qytetare, është se sot Kosova ka një kushtetutë ku as qytetari, e as populli i saj nuk janë sovranë të vendosin për fatin e vet.
4. Sidoqoftë, po luhet dhe po manipulohet edhe me vetë termet kushtetutë me koncept qytetar a etnik. Në të vërtetë, sot tërë kushtetutat moderne janë qytetare në thelbin e tyre edhe kur në preambulë përcaktohen si shtete të kombeve të caktuara. Të gjitha kushtetutat moderne dhe demokratike pa dallim, në thelbin e vet mbrojnë liritë dhe të drejtat e qytetarit dhe qytetari pa dallim etnie apo feje është i barabartë para ligjit. Në parimin e barazisë para ligjit të të gjithë qytetarëve, në të gjitha kushtetuat moderne konsiston karakteri qytetar i tyre. Në këtë pikë në shoqërinë tonë ka pasur një pajtueshmëri të plotë, duke pasur parasysh se askush nuk ka qenë dhe nuk është i interesuar të ndërtojë shtet që nuk do t’i plotësonte parimet themelore demokratike. Kështu, duke e ditur historinë e Kosovës, trashëgiminë e diskriminimit shekullor të shqiptarëve, si dhe përpjekjeve titanike e të vazhdueshme për liri kombëtare dhe njerëzore, si dhe duke e ditur përkushtimin e shumicës së qytetarëve të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri demokratike ku do të respektoheshin të drejtat dhe liritë e individit, por edhe të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare që jetojnë në Kosovë, nuk ka pasur asnjë arsye që Kosova të jetë përjashtim në mënyrën sesi e ka të rregulluar sistemin e vet kushtetues-juridik. Pra, nuk i është dashur t’i vendosen popullit të Kosovës pengesa dhe kufizime në ushtrimin e sovranitetit mbi Kosovën. Nuk do të ishte kundër parimeve demokratike që Kosova në preambulën e kushtetutës së vet të përcaktohej si një shtet i popullit shqiptar të Kosovës dhe tërë pakicave që jetojnë në të. Përkundrazi. Nuk është dashur të jetë problematike që Kosova të jetë një shtet i qytetarëve të lirë që mund të vendosin lirshëm për të ardhmen e tyre dhe të shtetit të tyre. Kështu siç është rregulluar sistemi politiko-juridik i Kosovës, ne jemi një vend sui-generis, ku shumë parime (ai qytetar, etnik dhe multietnik) janë përzier në një dokument, për ta prodhuar një amalgamë, që do të mund të jetë me pasoja të mëdha për funksionimin e vetë këtij shteti dhe për marrëdhëniet në mes të popujve brenda tij. I vetmi shpëtim për këtë vend do të jetë kur të shpëtojë nga prangat e Pakos së Ahtisaarit. E kjo mund të bëhet vetëm me veprime dhe vendime të përgjegjshme dhe të guximshme politike.