×

​Nga rritja e bashkëpunimit në integrim, e nga integrimi në bashkim

12.11.2012 · Valon Murati



Festimet për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar janë të rëndësishme, sepse edhe një herë tregojnë për ndjenjën e përbashkësisë brenda shqiptarëve. Për më tepër, dëshmojnë se shteti shqiptar ishte projekt i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, projekt që nuk u realizua në tërësinë e tij, por për të cilin asnjëherë nuk u ndal së punuari. Shteti i Kosovës, në mënyrë të logjikshme, duket një hap drejt realizimit të atij projekti që filloi së realizuari në vitin e largët 1912. Sidoqoftë, duke mos e injoruar rëndësinë që kanë festimet, shumë më e rëndësishme në këtë 100-vjetor të pavarësisë shqiptare është të punojmë seriozisht që projekti i nisur më 1912 të realizohet. Në këtë fazë që po kalon kombi ynë, kjo mund të ndihmohet edhe përmes rritjes së bashkëpunimit në mes të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës në të gjitha sferat e jetës, bashkëpunim i cili në fazën afatshkurtër do të duhej të kurorëzohej me integrim, e më pas edhe me bashkimin e plotë politik. Andaj, shumë të rëndësishëm janë indikatorët realë të bashkëpunimit në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Këta indikatorë, ndonëse kanë rritje viteve të fundit, ashtu siç dëshmojnë edhe raporte të ndryshme zyrtare e të shoqërisë civile, shifrat e këtij bashkëpunimi lënë shumë për të dëshiruar. Dhe shifrat në këtë rast, e jo fjalët për realizimin e shifrave, janë ato që e demaskojnë retorikën false patriotike, e ndonjëherë edhe folklorizmin e festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë.

2.

Të shumta janë fushat ku pa ndonjë bujë të madhe, pa retorikë boshe, por me projekte të qarta do të mund të bëhej shumë punë në fushën e integrimit kombëtar, e që është krejtësisht në pajtueshmëri edhe me vlerat e integrimit evropian. Duke qenë se ekonomia qëndron në themelet e zhvillimit shoqëror, ajo do të duhej të ishte edhe motori që i shtyn përpara integrimet. Por fatkeqësisht, përveç rritjes së shifrave në bashkëpunimin tregtar (edhe aty me shumë probleme, për shkak të vendosjes së çmimeve preferenciale për mallrat e të dy vendeve në kufi), çdo gjë që çon drejt krijimit të një tregu të përbashkët, e më pas edhe të një ekonomie unike, është larg së realizuari. Duke qenë se ekonomia, para politikës, ka qëndruar në themelet e projektit evropian, nga aty edhe për ne shqiptarët do të duhej të ishte më së lehti të fillohej. E lidhur me funksionimin e ekonomisë kombëtare qëndron edhe mundësia e madhe për bashkëpunim në fushën e energjisë. Përputhshmëria e sistemeve tona përkatëse energjetike (kombinimi hidro me termo), e bën ideal dhe të domosdoshëm bashkëpunimin. Në vend të krijimit të politikave të përbashkëta në këtë fushë, që do të duhej të kulminonte me një treg dhe sistem unik energjetik, janë krijuar telashe dhe probleme me realizimin e projektit të interkoneksionit 400-kilovoltësh, si dhe me çështjen e ndërtimit të hidrocentralit të Zhurit. E ashtu siç po e dëshmojnë ekspertët e fushës, sistemi unik energjetik është i rekomandueshëm nga partnerët tanë evropianë. Edhe nisma për unifikimin e kodit të telefonisë mobile, ndonëse ka lëvizje në këtë drejtim, do të duhej të merrej shumë më seriozisht nga të dyja qeveritë, sepse prek jo vetëm interesin kombëtar, por edhe interesin e qytetarëve të cilët i kanë shtuar komunikimet e ndërsjella. Në legjislacion ka jashtëzakonisht shumë hapësirë të bashkëpunimit, e sidomos po të shfrytëzohet procesi i integrimeve evropiane, kështu që të adaptohen ligje të cilat për fusha të njëjta krijojnë rregullim të njëjtë juridik në të dy vendet. Për më tepër, me një politikë largpamëse, politikë-bërësit dhe ligjvënësit, duke shikuar përtej hundës dhe interesave vetjake, do të duhej të punonin që të krijonin edhe ligje të cilat njësoj do ta rregullonin funksionimin e sistemit të drejtësisë, pushtetit komunal, atij qendror, sistemin e zgjedhjeve etj. Krijimi i abetares së përbashkët është një hap i mirë e i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm në drejtim të unifikimit të sistemit arsimor. Ky sistem që gjendet në krizë në të dy shtetet, larg standardeve të cilësisë së pranueshme, përmes unifikimit në të gjitha nivelet, do ta rriste hapësirën e konkurrencës dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për promovimin e shkencës, projekteve hulumtuese si dhe ngritjes së cilësisë së arsimit në përgjithësi. E njëjta gjë vlen edhe për krijimin e politikave të përbashkëta kulturore dhe unifikimin e ligave sportive, duke i gjetur modalitetet juridike për t’i shmangur pengesat nga organizmat sportive ndërkombëtare.

3.

Siç u tha më herët, përtej deklaratave të zjarrta patriotike shpeshherë fshihen interesa klanore, provinciale, e pse jo edhe kriminale, të cilat në realitet e vështirësojnë ecurinë e këtyre marrëdhënieve. Dhe me raste të rralla (siç janë projekti i autostradës, abetarja e përbashkët), kudo që këto marrëdhënie kanë qenë përgjegjësi e institucioneve shtetërore ka pasur pengesa e vështirësi. Paradoksi pozitiv është se, në anën tjetër, marrëdhëniet në planin e komunikimit njerëzor i kanë tejkaluar larg politikat e përbashkëta dhe marrëdhëniet në mes të institucioneve. Pra, njerëzit tanë po e bëjnë atë që do të duhej ta bënte politika. Dhe kam besim se, ndonëse me vështirësi, ky vullnet normal i njerëzve për ta rritur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet në mes të një populli, do të reflektojë domosdo edhe në politikë. Gjithashtu duhet theksuar se bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe mediave (kjo është shkaktuar nga krijimi i një tregu të përbashkët kulturor sidomos në fushën e muzikës dhe të spektakleve, i diktuar edhe nga depërtimi i madh i mediave të Tiranës në Kosovë) ka shënuar një rritje të paimagjinueshme, duke bërë që unifikimi shpirtëror të shënojë rritje të vazhdueshme.

4.

Sidoqoftë, reflektimi i marrëdhënieve njerëzore dhe i interesave të përbashkëta duhet të fillojë të pasqyrohet përmes ndërtimit të politikave të përbashkëta. Në mënyrë që ta kemi një unifikim të tregut shqiptar dhe unifikim në shumicën e sferave të tjera politike dhe shoqërore, e në mënyrë që të kurorëzohet rritja e komunikimit të njerëzve në realizimin edhe të projektit të moçëm politik, duhet veprim i koordinuar i politikës në Prishtinë dhe Tiranë. Përdorimi i modeleve të suksesshme që janë përdorur për shtete e popuj të ndryshëm e për rrethana të ndryshme nga tonat (si Beneluksi, vetë BE-ja etj.), do të mund të aplikoheshin edhe për marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, natyrisht, duke iu përshtatur kontekstit shqiptar e rajonal. Këto politika, që unë do t’i quaja “Nga rritja e bashkëpunimit në integrim dhe nga integrimi në bashkim”, do të nënkuptonin ndërtimin e politikave, e pse jo edhe mekanizmave të përbashkëta parlamentare, qeveritare, ekonomike, arsimore, kulturore, sportive e të sigurisë (p.sh. një asamble e përbashkët parlamentare që do të mblidhej disa herë në vit dhe do t’i diskutonte problemet kryesore në marrëdhëniet në mes të dy shteteve, por edhe do të vendoste për një shumicë problematikash, apo një komitet i përbashkët i ministrave që do të mund të mblidhej në mënyrë periodike disa herë në vjet e do të ndërtonte politika dhe do të realizonte projekte të përbashkëta). Të tilla mekanizma dhe politika të përbashkëta do ta lehtësonin që përmes integrimit, në një proces politik të kujdesshëm (duke i zgjidhur edhe problemet e mprehta të veriut të Kosovës dhe të Kosovës Lindore) të vendoseshin bazat për realizimin e bashkimit kombëtar, pa i tronditur të tjerët dhe pa i traumatizuar raportet e brendshme. Në të kundërtën, do të na duhet edhe një kohë të gjatë të jemi pjesë e situatave kaotike në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve, ku shqiptarët do të ecin si zakonisht shumë para politikanëve të tyre.