03.03.2013 · Valon Murati
(Fjalim i
Valon Murati
1.
Kur flitet për bashkimin kombëtar të shqiptarëve shtrohet domosdoja e heqjes së tabusë dhe e çmitizimit të kësaj teme. Debati duhet t’i thyejë kornizat në të cilat ajo deri më tani është vendosur. Bashkimi kombëtar është anatemuar tash e një kohë të gjatë, jo pa qëllim, jo rastësisht, si një ide e tejkaluar, romantike, primitive, agresive, që e prish paqen në rajon, që është në kundërshtim me frymën e integrimeve evropiane dhe që është e drejtuar kundrejt të tjerëve. Shpeshherë është dëgjuar të thuhet se një Shqipëri e bashkuar nuk mund të mendohet ndryshe veçse si një vend i mbyllur, si një shtet vetëm i shqiptarëve, si një shtet që i shkel në mënyrën më brutale të drejtat e pakicave që do të jetonin në të. Jo rastësisht koncepti i bashkimit kombëtar është barazuar me konceptin e Shqipërisë së Madhe, e kjo me Serbinë e Madhe, Greqinë e Madhe etj. Për më tepër, shumë herë kemi qenë dëshmitarë që edhe përkrahësit e idesë së bashkimit, kur i kanë vizatuar hartat etnike kanë futur aty territore që sot nuk banohen fare nga shqiptarët dhe kanë lënë hapësirë keqinterpretimi të idesë së bashkimit, me atë të Shqipërisë së Madhe. Kjo pjesë e njerëzve ka kontribuar në folklorizimin e idesë së bashkimit. Andaj, nuk ka dyshim se debati për këtë temë duhet të racionalizohet, duhet të shndërrohet në një debat normal e konkret për një çështje që është me interes për shqiptarët dhe të tjerët. Kjo është sfida e parë në këtë realitet të ri që po krijohet, kur po krijohen mundësitë që tema e bashkimit të mos trajtohet si tabu apo si gogol frikësues për shqiptarët dhe të tjerët.
2.
Kështu, kur këtë temë fillojmë ta diskutojmë dhe debatojmë në terma tokësorë, konkretë dhe racionalë, së pari duhet të përcaktojmë se a ka qenë ndarja një padrejtësi e madhe që i ka shkaktuar shumë vuajtje popullit tonë dhe se a kanë shqiptarët të drejtë të bashkohen? Përgjigja e natyrshme në këtë pikë, që mund të konsiderohet ndoshta edhe konsesuale, është: po. Shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë në një shtet.
E dyta çështje që duhet të trajtohet është se a është i dobishëm bashkimi për shqiptarët. Pra, ne mund te kemi të drejtë të jetojmë në një shtet, por, nëse konsiderojmë se ky shtet i përbashkët nuk është i dobishëm, mund të vendosim të jetojmë të ndarë. Të gjitha analizat e bëra herët dhe tani, madje vetë orientimi i kohëve të fundit i garniturës politikë të Prishtinës kah Tirana, për shkak të vështirësive që po shkaktohen nga mungesa e stabilitetit politik dhe ekonomik të Kosovës, çojnë tek konstatimi se bashkimi kombëtar është tejet i dobishëm për shqiptarët në të tri dimensionet: politik, ekonomik dhe atë të sigurisë.
Dhe çështja e tretë, pra e fundit, që duhet të shtrohet këtu (e që jo pa qëllim shumë shpesh shtrohet si e para) është se a mund ta realizojmë sot bashkimin kombëtar. Nëse jo, pse jo? Cilat janë arsyet dhe faktorët që e pengojnë këtë proces. Dhe në përputhje me këto konstatime të punohet për eliminimin e pengesave dhe për realizimin e saj në të ardhmen. Gjithashtu mund të konstatohet se çka është sot menjëherë e realizueshme. Dhe në këtë kontekst integrimi i shqiptarëve në shumë fusha (ekonomike, energjetike, sportive, arsimore, kulturore etj.) do të mund të realizohej, duke shtruar kështu rrugën edhe për realizimin e bashkimit politik në të ardhmen. Nëse ne kemi të drejtë dhe nëse ai është i dobishëm për t’u realizuar, pengesat e sotme nuk do të duhej të na demoralizonin në angazhimet tona drejt realizimit të këtij synimi.
Duke i konsideruar krejtësisht të qarta pengesat shumë më të mëdha që i bëhen bashkimit kombëtar të shqiptarëve që ndodhen në viset nën pushtim klasik (shqiptarët nën Maqedoni, nën Mal të Zi e ata të Kosovës lindore të mbetur nën Serbi) dhe përpjekjet për tejkalimin e atyre pengesave atje nuk mund të jenë të njëjta me ato që duhet të bëhen në Kosovë, më poshtë do të përqendrohem në mundësinë e bashkimit të Kosovës me Republikën e Shqipërisë, duke e trajtuar Kosovën Lindore të mbetur nën Serbi si pjesë të Kosovës, si pjesë të kontestit shqiptaro-serb dhe në funksion të zgjidhjes së tij.
Përndryshe, një nga pengesat reale, një sfidë është se si të gjendet mekanizmi që të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, përkatësisht neni i saj 1.3. që e ndalon këtë bashkim. Dhe problemi nuk është tek një amendamentim i thjeshtë kushtetues, por tek një thyerje e kornizave që i janë vënë shtetit të Kosovës me Planin e Ahtisarit, që në të vërtetë për momentin paraqet një konsensus të një pjese të madhe të faktorit ndërkombëtar. Pra, nga ndryshimi i Kushtetutës dalim tek sfidimi i Plani të Ahtisarit dhe tek shumë nga parimet që ai i ka përcaktuar. Një nga këto parime është ai i multienticitetit, i cili shqiptarët edhe pse janë mbi 90% të banorëve të Kosovës, i konsideron komunitet, pra nuk i trajton si komb dhe si rrjedhim ua mohon të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Sidoqoftë, këto sfida nuk janë të patejkalueshme në qoftë se institucionet e Prishtinës, të fuqizuara edhe nga përkrahja e qytetarëve të vet, do ta sfidonin këtë situatë. Dhe kjo sfidë nuk duhet të mendohet si shpallje lufte bashkësisë ndërkombëtare. Përkundrazi. Drejtësia e çështjes për të cilën angazhohemi dhe vendosmëria jonë për ta arritur qëllimin do t’i shtyjë faktorët ndërkombëtarë që t’i ndryshojnë qëndrimet dhe bindjet e veta karshi këtij problemi dhe do të ripozicionohen në favor të zgjidhjes së drejtë të tij.
Vazhdimi i kësaj situate dhe i kësaj letargjie politike në Kosovë mund të sjellë situata shumë të rrezikshme për paqen me shpërthime të pakontrolluara. Në këtë funksion, Lëvizja për Bashkim mendon se rruga e vetme për ta sfiduar këtë rregullim dhe për ta hequr këtë pengesë është zgjidhja e problemit shqiptaro-serb dhe atë përmes zgjidhjes me reciprocitet të problemit të veriut të Kosovës (tri komunat serbe) dhe të Kosovës Lindore të mbetur nën Serbi, që domosdo në fund do të çojë në vetëvendosje për të dy pjesët. Me zgjidhjen e këtij kontesti do të rrëzohej edhe koncepti mbi të cilën është ndërtuar Kosova e sotme – ajo e multietnicitetit dhe komuniteteve dhe shqiptarët do ta fitonin të drejtën për të vetëvendosur, pra për ta shprehur lirisht vullnetin e tyre për shtet të pavarur apo për bashkim me Republikën e Shqipërisë.
3.
Dhe për fund po dua t’i sfidoj disa nga konceptet që i përmenda në fillim, e me të cilat koncepte në të vërtetë mundohen ta luftojnë dhe ta stigmatizojnë idenë e bashkimit. Sipas tyre, bashkimi është një ide e tejkaluar, romantike dhe se sot është koha e shteteve qytetare dhe jo atyre kombëtare. Nëse është ide e tejkaluar, pse u bashkua Gjermania në vitin 1990!? Nuk është i largët ky vit. Dhe sot të thuash se nuk ka shtete kombëtare, por qytetare, është vërtet mungesë njohurish elementare për situatën dhe për funksionimin e shteteve moderne. Funksionimi i shteteve kombëtare nuk është fare në kontradiktë me konceptin e shteteve qytetare, sepse sot shumica e shteteve demokratike, edhe kur janë shtete kombëtare, i respektojnë të drejtat e çdo qytetari, pa dallim feje, etnie, gjinie, race etj. Në themel të shteteve që e konsiderojnë veten demokratike është respektimi i parimit të mosdiskriminimit. E tillë është edhe Gjermani e bashkuar. Nëse është ide romantike, pse po ka tendencë bashkimi në një shtet të vetëm evropian? Kjo përpjekje nuk qenka romantizëm, por qenka modernizëm! Po çka nëse dështon projekti i Bashkimit Evropian? Çka nëse kriza financiare shndërrohet në krizë ekonomike dhe politike? A duhet ne shqiptarët të mbesim peng i projekteve të tilla dhe të mbesim nën mëshirën e fqinjëve, nëse ndryshimi i rrethanave nuk na gjen të konsoliduar?
– Projekti i bashkimit është nacionalizëm agresiv, i drejtuar kundër të tjerëve dhe e prish paqen në rajon, – është pohimi tjetër që e kanë në majë gjuhe kundërshtarët e kësaj ideje. Në të vërtetë, bashkimi i territoreve të shqiptarëve në një shtet të vetëm, aty ku ata janë shumicë dhe kanë lidhshmëri territoriale vetëm sa do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptarët, të shpërndarë në shumë shtete, të shtypur e të diskriminuar do ta rrezikojnë çdo herë paqen në rajon! Ndërsa shqiptarët në një shtet do të thotë edhe Serbi stabile dhe Maqedoni përfundimisht e konsoliduar. Shqiptarët, të shpërndarë e të shtypur, jo vetëm që vetë mund të jenë burim i destabilizimit për shkak të shtypjes dhe pasigurisë, por munden shumë lehtë edhe të manipulohen për ta destabilizuar rajonin nga faktorë të ndryshëm të jashtëm, kur ata e kanë atë nevojë. Shqiptarët e bashkuar do ta krijonin një shtet stabil, të respektueshëm dhe përafërsisht të barabartë në potenciale njerëzore me fqinjët, si dhe me mundësi të krijimit të një ambienti demokratik dhe të zhvillimit më të madh ekonomik. Në këso rrethanash do të mund të flitej për një integrim me premisa të suksesit edhe në rajon.
Dhe, në fund, rreth sintagmës “Shqipëri e Madhe”. Shumë kundërshtarë të bashkimit kombëtar, shqiptarë e të huaj, e barazojnë me vetëdije e pa të, bashkimin kombëtar të shqiptarëve sidomos me konceptin shovinist të Serbisë së Madhe, të Serbisë edhe aty ku “është një varr serb”, të Serbisë në tri dete, të Serbisë aty ku nuk ka serbë. Ky koncept është shovinist, kolonialist dhe luftënxitës. I tillë çfarë ka qenë për më shumë se një shekull. Në të vërtetë, synimi i shqiptarëve nuk duhet të jenë territoret, por njerëzit dhe mirëqenia e tyre. Shqipëria me territore ku sot nuk ka shqiptarë, apo ku shqiptarët janë pakicë, është vërtet Shqipëri e Madhe. Por ne duhet të kemi koncept tjetër. Lëvizja për Bashkim e ka tjetër koncept dhe në përgjithësi lëvizja jonë politike e ka pasur të tillë tradicionalisht. Ne duhet të kërkojmë që Shqipëria të vendoset atje ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë lidhshmëri territoriale në mes vete. Kjo është zgjidhja më njerëzore dhe më e natyrshme. Kjo nuk është Shqipëri e Madhe. Ky koncept nuk mund të anatemohet si shovinist apo nacionalizëm agresiv. Shqipëria aty ku shqiptarët janë shumicë është racionale, e dobishme dhe paqësore.
Dhe, në fund, do ta theksoja bindjen time të plotë se nëse ne vërtet mobilizohemi dhe punojmë seriozisht si komb, bashkimi kombëtar më nuk do të jetë sfidë, por realitet.
Ferizaj, 13.3.2009