16.10.2016 · Avni Klinaku
Kohëve të fundit, disa njerëz mediokër, të papërgjegjshëm dhe që nuk përfaqësojnë askënd, njerëz nga Kosova dhe Shqipëria, gjoja analistë të pavarur, po përpiqen me çdo kusht që të ngjallin një debat me tone të theksuara armiqësie kundër Shqipërisë, respektivisht Kosovës! Qëllimi i tyre është me të vërtetë meskin dhe për keqardhje! Si ai djali i keq, që për të dalë në sipërfaqe është në gjendje t’i bie shuplakë edhe nënës së vet!
Pavarësisht këtyre zërave të humbur në kohë e hapësirë, shqiptarët, andej e këndej kufirit, tanimë e kanë të qartë se Kosova ashtu si edhe Shqipëria janë vende me mbi 90% shqiptarë dhe rrjedhimisht janë nga “i njëjti brumë”. Që të dyja kanë mjaftueshëm sfida reale dhe nuk bien në grackën e krijimit të një sfide të re imagjinare. Që të dyja tanimë e dinë se edhe sfidat i kalojmë më lehtë kur jemi me forca të bashkuar. Jemi një dhe duhet të ecim bashkë, pavarësisht konjukturave të sotme politike e madje duhet të jemi një edhe kur njëri gabon ndaj tjetrit!
Për ta ilustruar këtë po e marr shembull futbollin, ku, në dukje, gjërat kanë shkuar më së largu: Pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA u duk se kjo do të keqpërdoret nga armiqtë e shqiptarëve për t’i përçarë ata në mes veti! Dhe në lojërat e para kualifikues deri diku edhe patën sukses! Dikush i gëzohej humbjeve të Kosovës e dikush humbjeve të Shqipërisë! Filluan “lojërat” me tradhtarë e patriotë! Andej e këndej kufirit! Por kjo nuk na shpie askund! Të gjithë shqiptarët kudo që janë duhet ta mbështesin përfaqësuesen e Kosovës pa asnjë rezervë edhe nëse nuk pajtohen me zgjidhjen e sotme politike të statusit të saj, apo me simbolet e himnin e saj! Ato janë zgjidhjet konjukturale, ndërsa dashuria për Kosovën dhe Shqipërinë kanë qenë dhe mbesin të përhershme!
Prandaj, të gjithë dashakëqijve dhe ekstremistëve të të dyja palëve ju themi, PUSHONI! E keni kot: NE JEMI NJË!