02.03.2009 · Valon Murati
1.
Kohët e fundit në Kosovë filloi të hapet një debat dinamik për mundësitë e thellimit të integrimeve shqiptare, posaçërisht në lëmin e ekonomisë. Dhe kjo është e kuptueshme në kontekstin në të cilën po hapet ky debat. Lajmi se punimet në rrugën Durrës-Kukës janë afër përfundimit janë nxitësi kryesor i këtij debati të rilindur. Natyrisht, sa herë që viteve të fundit ideja e integrimeve ndërshqiptare (e të mos e përmendim bashkimin kombëtar) shfaqej në diskursin politik zyrtar dhe medial si diçka e tejkaluar, romantike, andaj edhe shumë e dëmshme, ishte rruga ajo që (në fillim si projekt dhe më pas edhe si realitet) ka qenë gjithnjë faktor i cili e ka mbajtur gjallë debatin për këto tema. Në anën tjetër, vështirësitë ekonomike të Kosovës që po vazhdojnë edhe pas shpalljes së pavarësisë, përveç tjerash edhe për shkak të moszgjidhjes deri në fund të kontestit shqiptaro-serb (që shfaqet përmes situatës në veri të Kosovës, por edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e që si pasojë Kosovës i është imponuar jo vetëm një formë e çuditshme e protektoratit ndërkombëtar, por edhe me zgjidhjet e “ofruara” nga Pakoja e Ahtisaarit Kosovën e bën një shtet krejtësisht jofunksional), bllokada e Serbisë ndaj mallrave të Kosovës, vartësia e madhe e Kosovës nga mallrat serbe, maqedonase etj., kanë bërë që njëkohësisht me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, vëmendja e opinionit publik dhe e qeverisë të orientohet drejt shpërthimit të kësaj situate, përmes lidhjeve më të forta me Shqipërinë. Natyrisht, në këtë kontekst, oferta e hershme e qeverisë shqiptare për t’iu dhënë në shfrytëzim Kosovës porti i Shëngjinit përsëri u vendos në rend të ditës. Kështu, dalja e Kosovës në det përmes Durrësit dhe Shëngjinit do të fillojë të bëhet realitet, e me këtë situatë të re do të krijohen edhe raporte të tjera ekonomike dhe politike në rajon. Këto rrethana të reja që po krijohen dhe të vjetrat që po i kushtëzojnë ato, e nxitën në këtë frymë edhe nevojën për krijimin e tregut të përbashkët (që do të duhej ta vendoste unionin doganor të përcjellë jo vetëm me eliminimin e të gjitha tarifave doganore në mes të dy shteteve dhe vendosjen e tarifave të përbashkëta të jashtme doganore, por dhe me përafrimin e politikave fiskale dhe ekonomike) dhe, pse jo, siç pat propozime, për një union ekonomik të Shqipërisë me Kosovën. Natyrisht, në këtë situatë të re ka edhe shumë politikë ditore, sepse hapat që duhet ndërmarrë në fushën e tregut të përbashkët dhe të unionit ekonomik janë shumë komplekse, serioze dhe do të hasin edhe në vështirësi politike, sidomos nga faktori ndërkombëtar. E kur vjen tek presioni ndërkombëtar, nuk është vështirë të prognozohet sesi do mund t’i hanë llafet e veta politikanët e Prishtinës. Sidoqoftë, e rëndësishme është se ky debat u hap, filluam të çlirohemi nga vetëcensura dhe filluam të debatojmë në terma racionalë për një temë shumë të rëndësishme, që në të vërtetë përbën boshtin kurrizor të interesit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan.
2.
Nuk ka dyshim se procesi i integrimeve ndërshqiptare është një proces i natyrshëm (edhe nën sfondin e ndalesave ndërkombëtare për bashkim) dhe madje, si frymë, në pajtueshmëri të plotë me integrimet evropiane. Bashkëpunimet në lëmin e ekonomisë dhe energjetikës që janë krejt në fazën fillestare duhet të thellohen dhe ta marrin formën e plotë të integrimeve, përmes krijimit të politikave të përbashkëta në të dy lëmenjtë. Duke qenë se si Kosova ashtu edhe Shqipëria e plotësojnë njëra-tjetrën në këto fusha, unifikimi gradual i ekonomisë dhe sistemeve energjetike del si domosdoshmëri dhe nevojë. Përveç integrimeve në lëmenjtë e përmendur më lartë, integrimi duhet të thellohet edhe në fushën e arsimit dhe kulturës. Përveç nismave private (mediat, muzika, librat etj.) që kanë avancuar integrimet kulturore, në fushën institucionale nismat janë të papërfillshme (përkundër faktit që ekziston një muaj i kulturës Kosovë-Shqipëri). E të mos flasim për nivelin e bashkëpunimit në arsim, i cili në katër dekadat e fundit nuk ka qenë kurrë më i vogël. Në kohën kur arsimimi është një ndër bartësit kryesorë të zhvillimeve shoqërore, niveli i tij si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri nuk është në lartësinë e duhur. Bashkëpunimi më i thelluar në të gjitha fushat dhe nivelet do ta rriste konkurrencën, do ta rriste mobilitetin e profesorëve dhe nxënësve, do ta rriste numrin e projekteve të përbashkëta shkencore, dhe, domosdo, do ta rriste cilësinë e cila do të krijonte parakushte më të mira edhe për zhvillim ekonomik në të ardhmen. Duke qenë se integrimi (jo vetëm në këto fusha) është aq i dobishëm për kombin tonë dhe për të dy shtetet, nga ky prizëm del më shumë se qesharake përpjekja disavjeçare, sidomos e garniturave aktuale politike të Prishtinës (pozitë dhe opozitë) që ta mbysin jo vetëm debatin për këtë çështje, por edhe të punojnë që në opinion të krijohet një frymë anti-Shqipëri. Shumë nga politikanët që ishin bartës të kësaj vije zyrtare, këtë e kanë bërë nga nënshtrimi total ndaj bashkësisë ndërkombëtare (e, siç e tha ish-ambasadori slloven në Kosovë këto ditë, “ky nënshtrim po bëhet i frikshëm për të ardhmen e Kosovës”). Natyrisht, përveç presioneve të ndërkombëtarëve të cilët dëshironin që temën e integrimit dhe bashkimit kombëtar ta impononin si ‘mollë të ndaluar’, si temë me të cilën merren vetëm ekstremistët, njerëzit joracionalë, romantikë dhe demode, kjo garniturë politike, duke filluar t’i ndiejë privilegjet e pushtetit, filloi t’i frikësohet një integrimi a bashkimi të mundshëm dhe rritjes së konkurrencës për pushtet politik në të ardhmen (që gjithashtu do të krijonte shumë më shumë cilësi si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë në raport me atë se çka performojnë të dy garniturat politike). Dhe në këtë kontekst është krejtësisht mosmirënjohëse ndaj shtetit shqiptar se si sillen politikanët e Prishtinës, e shpeshherë edhe mediat, duke e injoruar tërësisht rolin e shtetit shqiptar dhe popullit shqiptar të Shqipërisë administrative në avancimin e statusit politik të Kosovës. Megjithë dobësitë e mëdha që ka pasur shteti shqiptar në funksionimin e tij në tranzicionin e gjatë nëpër të cilin kaloi, shumë nga proceset kryesore nëpër të cilat kaloi Kosova në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli nuk mund të mendohen pa të. Vetë zhvillimi i luftës çlirimtare ka qenë krejtësisht i parealizueshëm pa ndihmën e Shqipërisë në të gjithë lëmenjtë. Sidoqoftë, frika nga dështimet e brendshme në planin politik dhe ekonomik, si dhe dështimet në fushën diplomatike të Prishtinës zyrtare, janë duke e shtyrë atë prapë drejt një bashkëpunimi më të afërt me Tiranën. Nuk ka dyshim se ofensiva e Tiranës zyrtare në këtë drejtim është duke e luajtur një rol parësor në këto zhvillimet e fundit (vetë vendosmëria e saj për ndërtimin e rrugës, përkundër të gjitha kundërshtimeve nga ndërkombëtarët, oferta për portin e Shëngjinit, gatishmëria për bashkëpunim edhe në lëmenjtë e tjerë janë duke e bërë prapë Tiranën piemont të integrimeve shqiptare).
3.
Por a është i mjaftueshëm vetëm integrimi? Nëse e marrim dhe e analizojmë procesin e integrimeve evropiane, shohim se problemi kryesor që pengon thellimin e integrimit deri në fazën e krijimit të një shteti evropian të përbashkët, janë barrierat dhe interesat e ndryshme politike. Edhe përkundër integrimeve ekonomike, - që në kuadër të BE-së jo vetëm që kanë krijuar tregun e njësuar (single market) i cili mundëson lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve, por në pjesën më të madhe të shteteve të BE-së është krijuar edhe unioni monetar, - bashkimi politik nuk po bëhet. Ende ka interesa të ndryshëm politikë, ende ka politika të jashtme divergjente, ende ka animozitete në marrëdhëniet në mes të shteteve, ende ka identitet shumë të fuqishëm kombëtar, ende ka kujtesë mbi historinë e kaluar të hidhur me njëri-tjetrin. Krejt ky sfond kompleks shoqëror po bëhet pengesë për realizimin e ëndrrës së shumë idealistëve të kaluar, por edhe i shumë entuziastëve të sotëm për Shtetet e Bashkuara të Evropës. Në këtë fazë të zhvillimit të vet, BE madje dështoi në vendosjen e një kushtetute të BE-së, e njëkohësisht po ka telashe në përcaktimin e politikave të përbashkëta të mbrojtjes dhe atyre të jashtme. Të mos përmendim tani edhe krizën financiare, e cila ka rritur nacionalizmin ekonomik në shtetet anëtare, e që është krejtësisht kundër frymës dhe parimeve të ekzistencës së BE-së. Nëse e krahasojmë këtë situatë me integrimet shqiptare do të shohim se pengesat që ekzistojnë në mes të shteteve evropiane për ta thelluar integrimin në drejtim të krijimit të një entiteti të përbashkët politik, nuk vlejnë edhe për shqiptarët në Ballkan. Shqiptarët, kudo që jetojnë, i kanë të përbashkëta historinë, gjuhën, kulturën. Vuajtjet i kanë të shkaktuara nga të tjerët dhe për të dalë nga situatat e rënda kanë luftuar e janë përpjekur bashkërisht. Shqiptarët e krahinave të ndryshme nuk kanë luftuar kundër njëri-tjetrit dhe nuk kanë dashur të jetojnë të ndarë, por janë ndarë dhunshëm kur u krijua shteti shqiptar. Shqiptarët i kanë të përbashkëta sukseset dhe dështimet. Shqiptarët kanë interesa të përbashkëta jo vetëm ekonomike, por edhe politike e të sigurisë, sepse ata të bashkuar do të ishin jo vetëm një treg më i madh, që do të thoshte investime të brendshme e të jashtme më të mëdha, e që do të rezultonte me një zhvillim më të lartë ekonomik, por ata do të ishin edhe një forcë reale politike në rajon, një forcë që do të balanconte të tjerët (e jo të tjerët t’i balancojnë forcat në dëm të mbajtjes së shqiptarëve të ndarë e të pushtuar) dhe kështu përfundimisht do të stabilizonte politikisht tërë rajonin. Në këtë kontekst, në një moment të caktuar të zhvillimeve ekonomike dhe politike integrimi nuk do të jetë i mjaftueshëm. Rezultatet e afrimit në fushat e tjera do t’i bënin të panevojshme pengesat që dalin në zhvillimin normal të një kombi nga sistemet e ndara administrative dhe juridike. Ekzistimi i dy shteteve do të ishte pengesë për zhvillimet dhe avancimet e mëtejme ekonomike, por edhe në fushat e tjera. Duke pasur parasysh se në rastin tonë nuk ekzistojnë pengesat politike dhe historike që ekzistojnë në nivelin evropian, atëherë edhe rezultatet këtu do të jenë sigurisht të ndryshme dhe së paku më të shpejta se ato në nivelin evropian. Është ironike që shqiptarëve sot u ndalohet bashkimi, mu në emër të parimeve të integrimeve evropiane (e që në të vërtetë do të duhej të ishte e kundërta, sepse ndalimi i bashkimit është në kundërshtim me frymën e integrimeve). Por integrimet gradualisht do ta krijojnë atë që është ende në fillimet e veta - kapitalistët e vërtetë shqiptarë, të cilët të kombinuar me idealin e brezave të tërë shqiptarëve, do të jenë forca shtytëse për realizimin e bashkimit kombëtar. Në këtë rrugë do të gjenden edhe rrugët për tejkalimin e barrierave politike dhe juridike që e pengojnë këtë proces. Normalisht, krejt ky proces në fund duhet ta marrë edhe pajtimin e popullit përmes një referendumi popullor. Në ato rrethana, personalisht nuk e kam as më të voglin dyshim se cili do të ishte vullneti i këtij populli.