×

Bashkimi kombëtar si një proces

05.11.2012 · Valon Murati



1.

Për shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera të ish-Jugosllavisë vullneti dhe dëshira për bashkim kombëtar ka qenë pashmangshmërisht e lidhur me vullnetin dhe dëshirën për liri dhe çlirim. Pra sa herë kemi thënë liri e çlirim kemi menduar edhe bashkim kombëtar, dhe e kundërta, sa herë kemi folur dhe punuar për bashkim kombëtar, e kemi bërë sepse në të vërtetë ai ka qenë në shërbim të kauzës së lirisë dhe çlirimit. Andaj e kundërta e lirisë – robëria, e kundërta e çlirimit – pushtimi, së bashku me copëtimin e tokave shqiptare kanë krijuar trinomin të cilit edhe i vetëm ka mund t’u qëndrojë koncepti i bashkimit kombëtar. Fotografia ka qenë gati se bardh e zi. Në njërën anë pushtimi, robëria, pra Serbia dhe në anën tjetër liria, përpjekjet për çlirim, pra Shqipëria. Dhe zgjidhja ka qenë e thjeshtë në të tilla rrethana. Sidoqoftë krahasuar me të kaluarën, kjo fotografi më nuk është bardh e zi. Situata ka ndryshuar me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, e sidomos pas vitit 1999, me çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe më 2008 me pavarësimin e saj. Situata është ndryshuar dhe bërë më komplekse, sepse bashkimi nuk erdhi me lirinë dhe çlirimin. Pa hyrë më thellë në arsyet politike se pse kjo nuk ndodhi, është e mjaftueshme, të konstatojmë se ato na erdhën ndarazi nga bashkimi. Kështu që tani duke qenë se nga trinomi na u nda koncepti i bashkimit, duke qenë se Kosova u bë shtet por pa të drejtë bashkimi me Republikën e Shqipërisë, tërë procesi, ndonëse në rrethana më të relaksuara në jetën e përditshme (sepse për Kosovën erdhi liria), politikisht është ndërlikuar. Pra tani kur flasim dhe argumentojmë për bashkimin, nuk mund ta lidhim më me lirinë, e çlirimin, porse duhet të ndërtohen argumente që në planin e dobishmërisë dhe racionalitetit i tejkalojnë këto dy koncepte, por që sa i përket respektimit të vullnetit të popullit ende lidhen me vetëvendosjen. Sepse në mënyrë absurde për një sy neutral, por e qartë për njohësit e rrethanave, Kosova dhe qytetarët e saj, e që janë në shumicë shqiptarë, ndonëse e kanë fituar shtetin dhe pavarësinë, ende u mohohet vetëvendosja, e sidomos ajo e jashtmja. Pra tani, fotografia e çështjes shqiptare është me shumë ngjyra, madje edhe brenda një ngjyre kemi shumë nuanca.

2.

Shpesh shtrohet për diskutim se pse na duhet bashkim kombëtar, kur edhe ashtu shoqëria shqiptare në Kosovë dhe në Republikën e Shqipërisë kanë probleme në dukje më akute, e të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejtë, siç janë sundimi i ligjit, funksionimi i demokracisë dhe institucioneve të pavarura, zhvillimi ekonomik, mirëqenia ekonomike dhe sociale, zhvillimi i arsimit etj. Madje vazhdohet me argumentimin se mos po rrezikohet projekti evropian i Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë me projektin e bashkimit. Për më tepër ky projekt vendoset si i kundërt me atë të integrimeve evro-atlantike. Përgjigja më e logjikshme këtyre tezave do të ishte se në radhë të parë bashkimi nuk është në kundërshtim me sundimin e ligjit, demokracinë, zhvillimin e mirëqenien ekonomike. Përkundrazi, të gjitha gjasat janë që indikatorët në këto fusha do të pësojnë rritje në rast të bashkimit. Bashkimi, krijon një situatë tjetër edhe institucionale e edhe shpirtërore, krijon një stad të ri të zhvillimit kombëtar, që mund të japë zgjidhje për disa nga problemet në të cilat jemi mpleksur në një rreth vicioz në dy dekadat e fundit. Ndërsa në anën tjetër, projekti i bashkimit logjikisht nuk mund të shihet si i kundërt me procesin e integrimit evropian. Nuk ka gjë më të përputhshme për nga logjika politike dhe ekonomike, që atë që janë duke e bërë kombe të ndryshme të Evropës, në përpjekjen për ta konsoliduar një bashkësi të përbashkët ekonomike dhe politike me elemente shteti, të mos e bëjnë shqiptarët në mes vete (qoftë para se të futen në BE, por pse jo edhe pas futjes në të, në varësi të rrethanave politike). Së fundmi, duhet konstatuar se projekti evropian, pra ai i BE-së, si dhe projekti NATO, nuk janë projekte shqiptare. Ato janë projekte që ne shqiptarët nuk mundemi e as duhet t’i refuzojmë. Për më tepër nga ato ata duhet të përfitojmë maksimalisht si popull i vogël që jemi. Por në anën tjetër, këto projekte nuk janë të tilla në të cilat ne mund të ndikojmë. Pra janë projekte të të mëdhenjve, të cilat janë krijuar, mbahen gjallë e në këmbë për shkak të interesave të tyre. Gjithashtu kundërshtitë dhe kontradiktat e tyre edhe mund t’i dobësojnë e shkatërrojnë këto projekte. Pra nuk është në dorën tonë ta ruajmë apo forcojmë BE-në e NATO-n. Përderisa në anën tjetër bashkimi është projekt i yni (që normalisht edhe ky nuk mund të shihet jashtë kontekstit ndërkombëtar), është projekt që ne na forcon, fuqizon dhe barazon me të tjerët së paku në rajon. Si të tillë, do të jemi më të denjë edhe funksion të projektit evropian.

3.

Shpesh flitet për dallime të mëdha të krijuara në mes të shqiptarëve si pasojë e një ndarjeje të gjatë dhe jetesës në shtete të ndryshme. Ata që paraqiten si flamurtarë kundër idesë së bashkimit, i zmadhojnë dallimet e shkaktuara nga kjo ndarje dhe i shndërrojnë në argumentin e tyre kryesorë. Por si është realiteti? Realiteti besoj unë është shumë më kompleks dhe më i ndryshëm. Është e vërtetë se ndarja ka shkaktuar edhe dallime. Është e vërtetë se kjo ndarje ka krijuar stereotipe për njëri-tjetrin jashtë realitetit objektiv (para viteve 90’ të shekullit të kaluar stereotipet kanë qenë kryesisht pozitive në kuptimin që këndej nga Kosova Shqipëria është konceptuar si kopsht me lule, ndërsa koncepti për kosovarin në Shqipëri ka qenë ai i një kreshniku e malësori të ndershëm e burrëror). Këto stereotipe kanë marrë një konotacion negativ pas vitit 1990, kur shqiptarët filluan të takohen më shpesh, por në rrethanat e një konteksti të rëndë politik dhe socio-ekonomik si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Këto keqkuptime, kanë filluar të tejkalohen prej periudhës së luftës çlirimtare 1998-99, e sidomos gjatë kohës së bombardimeve të NATOs kur me qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u strehuan në familjet vëllezërve e motrave në Shqipëri. Rritja e komunikimit në të gjitha nivelet, por sidomos në planin e kontakteve njerëzore pas luftës e sidomos pas ndërtimit e autostradës, ka vendosur baza krejt të tjera në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve. Edhe në këtë rritje komunikimi, çdo herë si në çdo shoqëri do të ketë edhe konflikte e keqkuptime, por lakorja e marrëdhënieve po shënon vetëm maja pozitive. Komunikimi po e shtron rrugën e mirë, për eliminimin e dallimeve që kanë mundur të krijohen si pasojë e ndarjes. Ndërsa ndarja, asnjëherë nuk ka arritur të krijojë të çara aq të thella, sa të shndërrohet në diferencim kombëtar (ndonëse për këtë kanë punuar gjatë sidomos shovinistët serbë) e në krijimin e një identiteti të veçantë kombëtar për shqiptarët në Kosovë. Kjo shpjegohet edhe me faktin se projekti kryesor politik i shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, përkatësisht atyre të pushtuar nga Serbia e më vonë Jugosllavia, ka qenë projekti i bashkimit me Shqipërinë. Ky projekt për të arritur qëllimin kryesor, ka ndryshuar taktikë dhe kërkesa në varësi të rrethanave, si kërkesa për republikë, e më vonë për pavarësi, por të gjitha këto janë parë në funksion të bashkimit. Duke qenë ky projekt udhërrëfyes i jetës së dhjetëra brezave, ka bërë që disa prej elementeve kombëtare si gjuha, simbolet, figurat kryesore kombëtare të jenë të njëjta. Personalisht tendencat për ndarje, e kundërshtim të bashkimit me lloj-lloj tezash (edhe të tilla si kush do ta ketë pushtetin në një Shqipëri të bashkuar, jugu apo veriu, Prishtina apo Tirana), i shoh si përpëlitje të mentalitetit fisnor e krahinor në shoqërinë shqiptare. Puna për bashkim, është luftë për mposhtjen e këtij mentaliteti, që janë mbetje e dromca të feudalizmit në shoqërinë tonë, kur fisi e krahina qëndron mbi kombin e shtetin. Mposhtja edhe njëherë e këtij mentaliteti (që u luftua aq shumë nga rilindësit dhe krijuesit e shtetit shqiptar), do të thoshte edhe konsolidimin përfundimtar të kapitalizmit e demokracisë në shoqërinë tonë, të cilat asnjëherë deri më tani nuk u instaluan në plotninë e tyre në shoqërinë shqiptare.

4. Tani do t’i shtroja tre pyetje themelore kur flasim për bashkimin, dobinë e tij dhe mundësinë që ai të realizohet.

Së pari duhet shtrohet pyetja më e lehtë. A ka qenë padrejtësi historike dhe njerëzore ndarja e shqiptarëve në vitin 1913, atëherë kur ajo ka ndodhur me Konferencën e Londrës e si rezultat i Luftërave Ballkanike? Në këtë pyetje gati se përgjigja konsesuale edhe e atyre që janë kundër bashkimit është se Po, ndarja ka qenë një padrejtësi e madhe. Sidoqoftë një rregullim i një padrejtësie historike nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe nevojë dhe dobishmëri për ta rregulluar atë. Andaj pyetja e dytë që duhet shtruar është se projekti i bashkimit kombëtar a është i dobishëm dhe i nevojshëm? Të gjitha analizat politike, ekonomike dhe të sigurisë besoj unë do të dëshmonin domosdonë e bashkimit. Krijimi i një tregu më të madh dhe ekonomie të përbashkët, do të thoshte mundësi më e madhe për konsolidimin e prodhimit vendor, mundësinë e tij për të përballuar konkurrencën në kushtet e një tregu të lirë si dhe si rezultat zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve si në planin ekonomik edhe atë social. Në planin politik një shtet më i madh dhe më i fuqishëm shqiptarë, do të krijonte mundësi të mëdha për një stabilitet më të madh të brendshëm, dhe do ta shndërronte në një faktor të patejkalueshëm politik në rajon dhe një partner shumë më serioz rajonal në procesin e integrimeve evro-atlantike. Dhe në planin e sigurisë, një shtet i përbashkët do të thoshte mundësi më e vogël e rrezikimit të substancës shqiptare në Ballkan dhe krijimi i baraspeshës politike por edhe në planin e sigurisë sidomos me Greqinë dhe Serbinë, dy shtete me të cilat shqiptarët kanë pasur dhe ende kanë telashe. Një situatë e tillë do të krijonte mundësit që në pozita partneriteti edhe me këto shtete e popuj, të hapet një faqe e re e marrëdhënieve fqinjësore.

Dhe pyetja e tretë, që shpesh shtrohet si e para, duke e bllokuar shpeshherë debatin racional, e që është pyetja edhe më e rëndësishme në këto rrethana ka të bëjë me mundësinë dhe mënyrën e bashkimit. Pra a mundet të bëhet bashkimi dhe si mund të bëhet ai?

Duke qenë se ne operojmë brenda një konteksti të caktuar ndërkombëtar dhe kombëtar, në rrethanat aktuale, bashkimi nuk mund të ndodh me një të goditur, me një akt parlamenti, apo me një referendum si shprehje e vullnetit popullor. Jo, situata ashtu siç thamë më herët, nuk është më bardh e zi, dhe ajo shkon përtej vullnetit të popullit shqiptar dhe njëkohësisht përfshin në lojë shumë aktorë të tjerë të fuqishëm. Në radhë të parë duhet kuptuar se sot Kosova është shtet. Por jo çfarëdo shteti, por i tillë pa të drejtë vetëvendosjeje të jashtme dhe me një marrëveshje ndërkombëtare (Pakoja e Ahtisarit) që e ka krijuar kornizën ligjore dhe politike të këtij shteti (dhe që realisht e ka ndaluar bashkimin). Pra duhet rikujtuar, se ndonëse pavarësia dhe shteti janë vullnet i shqiptarëve të Kosovës, përmbajtja e kësaj pavarësie dhe këtij shteti, nuk është produkt i këtij vullneti. Çfarë duhet bërë në këto rrethana? A duhet të dorëzohemi dhe t’i çojmë duart nga projekti i bashkimit? Personalisht mendoj se jo, sepse kjo situatë nuk e ka bërë bashkimin të pamundur, por e ka shndërruar realizimin e tij në një proces. Ky proces përbëhet prej shumë hapave të vegjël e akteve të vogla.

Dy janë hapat kryesor, të cilat e afrojnë bashkimin. Ato mund të bëhen njëkohësisht por që jo domosdo janë të lidhura në periudhën afatshkurtër, por që janë pjesë e projektit në periudhën afatgjatë. Këto dy hapa janë: integrimi dhe zgjidhja politike për veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës.

E para, pra procesi i integrimeve kombëtare e ndihmon shumë bashkimin (ndonëse nuk e zëvendëson atë, dhe jo domosdo integrimi përfundon me bashkim, sidomos jo nëse nuk është edhe integrimi pjesë e projektit politik të bashkimit), dhe njëkohësisht ndikon në tejkalimin e dallimeve dhe ndasive të krijuara gjatë ndarjes së gjatë. Realisht integrimi, ndihmon që bashkimi në planin institucional nesër të jetë sa më i lehtë, dhe jotraumatik. Këto integrime, pa asnjë pengesë politike nga faktori ndërkombëtar mund të ndodhin në shumë fusha.

Poshtë do të shkoqisen disa nga fushat ku pa ndonjë problem, mund të ndërtohen politika bashkëpunimi të frytshme që mund të çojnë deri në integrim në ato fusha në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Në këtë drejtim procesi i integrimi evropian mund të jetë një lehtësues për integrimin kombëtar në fushat që do të trajtohen më poshtë.

- Harmonizimi i legjislacionit

Përkthimi i legjislacionit evropian dhe harmonizimi i tij me atë vendor mund të jetë një fushë e bashkëpunimit, jo vetëm sa i përket përkthimeve në gjuhën shqipe të legjislacionit të BE-së, por edhe përmes krijimit të ligjeve dhe institucioneve juridike e shtetërore të ngjashme në të dy shtetet.

  • Integrimi ekonomik
  • Telekomunikacioni
  • Politika e jashtme e përbashkët
  • Unifikim i sektorit energjetik dhe politikave të tij
  • Politika e përbashkët e sigurisë
  • Politika të përbashkëta kulturore
  • Sport i integruar

Bashkëpunimi ekonomik në këtë rast nuk nënkupton vetëm rritje të shkëmbimit tregtar, por mbi të gjitha ai do të duhej të kulminonte jo vetëm me krijimin e tregut të përbashkët por edhe me krijimin e një ekonomie të përbashkët kombëtare. Kjo është një fushë ku do të duhej të ngulmohej të punohej seriozisht për shkak të rolit të madh që ka integrimi ekonomik, jo vetëm për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, por edhe në zhvillimet integruese në të gjitha fushat e tjera.

Në fushën e telekomunikacionit ky integrim p.sh. do të mund të formësohej përmes marrjes së prefiksit të përbashkët +355 edhe nga ana e Kosovës e cila duhet ende të përdor prefiksin e Serbisë, Monakos dhe Sllovenisë duke derdhur me qindra milion euro në buxhetet e këtyre shteteve. Edhe në këtë drejtim kemi shembuj të shumtë, për të përmendur atë të SHBA-ve dhe Kanadasë që shfrytëzojnë të njëjtin kod ndërkombëtar telefonik.

Krijimi i politikave të jashtme të përbashkëta bazuar në interesin kombëtar, hapja e ambasadave të përbashkëta, krijimi i një akademie të përbashkët për shkollimin e diplomatëve etj, duket se duan vetëm pak vullnet politik për t’u realizuar, përderisa dobia për të dy shtetet dhe mbi të gjitha për kombin shqiptar do të ishte e madh.

Te dy shtetet kanë potenciale të mëdha energjetike (Kosova ka potenciale termo, Shqipëria hidro). Në rast të kombinimit të këtyre potencialeve në politika të përbashkëta, ne do të mund të shndërroheshim në një fuqi rajonale sa i përket prodhimit të energjisë.

Kosova përtej pranisë së NATO-s, duhet të mendojë sesa do të jetë e aftë të nesërmen e largimit të KFOR-it të mbrojë sigurinë e vet dhe pavarësinë e vet, në çfarëdo rrethanash të ndryshimeve në politikën ndërkombëtare. Vendosja e bazave për një politikë të përbashkët të sigurisë, do të fuqizonte edhe pozitën e shtetit shqiptar në Ballkan, edhe duke pasur parasysh anëtarësimin e tij në NATO.

- Sistemi integruar arsimor

Krijimi i një sistemi të integruar arsimor, nuk do të duhej të kufizohej vetëm me krijimin e një abetareje të përbashkët, por mbi të gjitha me krijimin e kushteve që sistemet arsimore të jenë kompatibile në mes vete, me standarde të përbashkëta dhe me mundësi të lëvizjeve të studentëve dhe stafit akademik, duke krijuar kushte për rritjen e konkurrencës dhe cilësisë në arsim. Sistemi i përbashkët arsimor do të duhej të ishte projekt i përbashkët i dy qeverive në këtë periudhë.

Duhet më shumë përkrahje financiare nga ana e dy qeverive për projekte të përbashkëta kulturore, përfaqësim i përbashkët në manifestimet ndërkombëtare kulturore, etj. P.sh. do të mund të krijohej një fond për kulturën i financuar nga të dy shtetet e pse jo edhe nga donatorët privat dhe i cili do të financonte vetëm projekte kulturore të përbashkëta (normalisht në këto projekte do të përfshiheshin edhe shqiptarët që jetojnë në shtetet e tjera të rajonit).

Kur rajoni dhe Evropa po shkon drjet krijmit të ligave rajonale, Kosova dhe Shqipëria do të duhej të ecin përpara duke krijuar liga të përbashkëta në të gjitha sportet dhe përfaqësim i përbashkët në arenën ndërkombëtare. Përveç ngritjes së cilësisë, kjo do të ishte edhe një mënyrë për thyerjen e bllokadës që kanë sportistët dhe ekipet nga Kosova për t’u paraqitur në arenën ndërkombëtare.

Dhe hapi tjetër është ai politik, përkatësisht është zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe. Çfarë do të thotë zgjidhje përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe? Me pavarësinë e Kosovës, ka përfunduar pjesa më e madhe e zgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe. Sidoqoftë ajo që ka mbetur e pazgjidhur në këto marrëdhënie, e kanë bërë të pamundur që shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj të kenë të drejtën edhe të vetëvendosjes së jashtme, përkatësisht të së drejtës për bashkim me Shqipërinë. Duhet kuptuar se Pakoja e Ahtisarit e cila sot është pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës, në planin funksional Kosovën e bën një shtet me shumë të meta dhe gati gati e bën shtet të gjymtë. Me këtë plan, çelësat e funksionimit të Kosovës i janë dhënë pakicës serbe. Asnjë ndryshim në kushtetutë, nuk mund të ndodh pa pëlqimin e 2/3 të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Kjo nënkupton, se me këtë kornizë juridike dhe politike, asnjëherë Kosova nuk mund ta heq qafe nenin 1.3 që e ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Andaj në këto rrethana, na duhet një zgjidhje e re politike, për atë që thamë çështje shqiptaro-serbe. Cilat janë problemet reale në mes të dy shteteve? Përtej faktit se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, problemet e serbëve në tri komunat në veri të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë një problem real politik i Kosovës. Në anën tjetër në të njëjtën situatë janë edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në atë që njihet si Kosova Lindore ose Lugina e Preshevës. Andaj dialogu politik në mes të dy vendeve, që do të duhej të përfundonte me aplikimin e standardeve të njëjta për të dy popullsitë do të shtronte rrugën për zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb. Në një situatë më të relaksuar aplikimi i standardeve të njëjta do të mund të dërgonte edhe në ridefinimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë duke u bazuar në vullnetin e popullsive përkatëse. Çfarëdo marrëveshje nuk do të duhej të përfshinte pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës nga ku 12.000 shqiptarë janë dëbuar në vitin 2000. Para çfarëdo zgjidhjeje për atë pjesë të qytetit të Mitrovicës do të duhej të ndodhte kthimi i shqiptarëve atje.

Pra po qe se do të arrihej që të zgjidhej situata në veri të Kosovës dhe në Luginën e Preshevës duke zbatuar parimin e reciprocitetit, do të krijohen rrethanat për një marrëveshje të re politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjë që do të sillte deri tek rënia e parimeve të Pakos së Ahtisaarit dhe rrjedhimisht edhe ndalesës për bashkim me Shqipërinë. Vetëm atëherë do të mund të fillonim debatin serioz brenda botës shqiptare pro dhe kundër bashkimit. Vetëm atëherë do të krijoheshin mundësit reale që të zbatohej vullneti i qytetarëve të Kosovës për vetëvendosje deri në bashkim kombëtar.

(Ky prezantim është mbajtur në Tiranë para studentëve dhe pedagogëve të Universitetit Vitrina)