×

Qeveria e Kosovës në rrugë pa krye

02.02.2009 · Avni Klinaku



(Çështja në lidhje me zbatimin e Planit Gjashtëpikësh ka shkuar aq larg saqë Qeveria e tanishme e Kosovës, edhe po ta kishte vullnetin, nuk ka mundësi ta pengojë atë.)

Plani Gjashtëpikësh, si një marrëveshje në mes të Serbisë e Kombeve të Bashkuara, përveç që parasheh zgjidhje të caktuar për gjashtë çështje tepër të ndjeshme për gjendjen në Kosovë dhe për të ardhmen e saj, parasheh edhe vazhdimin e bisedimeve për mënyrën e zbatimit të tyre.

Do të nevojiten negociata të mëtutjeshme mes palëve relevante negociuese...”, - thuhet prerazi në këtë plan.

Ditëve të fundit është aktualizuar nga ana e shtetit serb dhe nga ana e Përfaqësuesit të OKB-së, shefit të UNMIK-ut, z. Zanier, çështja e bisedimeve në mes të palës kosovare dhe asaj serbe për zbatimin e të ashtuquajturave Gjashtë Pika të Ban Ki Mun-it, bisedime të cilat po quhen “bisedime teknike”.

Qeveria e Kosovës tani do të përballet me pasojat e veprimeve të saj të mëhershme dhe do ta paguajë tagrin e gabimeve të saj të pafalshme, qoftë për shkak të veprimeve të veta krejtësisht të gabuara, qoftë për shkak të qëndrimit duarkryq para situatës tepër të rrezikshme që e sollën Pakoja e Ahtisarit e Gjashtëpikëshi. Ajo ndodhet tani në një situatë tepër të rëndë dhe pothuajse të pashpresë. T’i pranojë bisedimet teknike apo t’u thotë JO atyre, - kjo është çështja. T’i pranojë bisedimet do të thotë të angazhohet për zbatimin e Planit Gjashtëpikësh, i cili, pa asnjë dyshim, Kosovën fillimisht e fut në një ndarje funksionale, e pastaj në ndarje faktike. Qeveria e Kosovës dhe këshilltarët e saj ndërkombëtarë e kanë plotësisht të qartë se një zhvillim i tillë i situatës do të ketë pasoja tepër të rënda për Kosovën, por pasojat do ta prekin edhe skenën politike të saj. Ata që do të marrin pjesë në bisedime për zbatimin e Gjashtëpikëshit përballen me rrezikun e humbjes së besueshmërisë së popullit, i cili faktikisht do t’i vuajë pasojat. Një zhvillim të tillë nuk e dëshiron as Hashim Thaqi, e as faktorët relevantë ndërkombëtarë. Prandaj Hashim Thaqi, i këshilluar nga faktorë të caktuar ndërkombëtarë, si dhe nga ndërgjegjshmëria e tij karrieriste do t’u thotë JO pa dyshim edhe bisedimeve teknike Kosovë-Serbi.

Por kjo akoma nuk e ndalon zbatimin e Gjashtëpikëshit, ashtu siç ndodhi me rastin e miratimit të tij në KS të OKB-së. OKB-ja përmes UNMIK-ut do t’i zhvillojë bisedimet teknike dhe do t’i zbatojë ato pa Qeverinë “e rebeluar” të Kosovës. Zbatuesi në terren do të jetë EULEX-i i shtrirë në tërë Kosovën. Veriu i Kosovës dhe enklavat serbe do ta vazhdojnë jetën e veçantë nga pjesa tjetër e Kosovës dhe jashtë kushtetutës së saj. Por tani me bekimin “juridik” të faktorit ndërkombëtar. Kjo do ta komplikojë edhe më tepër situatën në Kosovë dhe do ta vështirësojë akoma më shumë zgjidhjen e kësaj situate.

Pra, çështjet në lidhje me Planin Gjashtëpikësh kanë shkuar aq larg (ka dalë në skenë si marrëveshje OKB-Serbi, është pranuar në KS të OKB-së, të gjithë faktorët ndërkombëtarë e kanë pranuar) sa që Qeveria e Kosovë, me anë të JO-së apo me anë të PO-së ndaj “bisedimeve teknike” nuk do të mund ta pengojë zbatimin e Planit Gjashtëpikësh. Asaj i mbetet vetëm edhe një rrugë: ta pengojë në praktikë zbatimin e Gjashtëpikëshit

A mundet Qeveria e Kosovës ta bëjë një gjë të tillë? Le ta shohim.

Do ta marrim shembullin më të lehtë për Qeverinë e Kosovës – Graçanicën – dhe të shohim nëse ajo ka gjasa ta pengojë zbatimin e Gjashtëpikëshit. Njëra nga çështjet e Gjashtëpikëshit është policia dhe zinxhiri i saj komandues. Plani parasheh që në stacionet e policisë të komuniteteve (lexo: veriu i Kosovës dhe enklavat serbe), pra edhe në Graçanicë emërimet në funksionet e larta policore të bëhen nga ana e UNMIK-ut, ose në rastin tjetër nga ana e EULEX-it, pra nga faktori ndërkombëtar dhe jo nga ana e mekanizmave të shtetit të Kosovës. Sipas planit në fjalë raportimet do të bëhen tek UNMIK-u, me çka do të humbet zinxhiri komandues i policisë së Kosovës. Me çfarë mjeti do ta pengojë Qeveria e Kosovës një gjë të tillë? Është më se e qartë se Qeveria e Kosovës, sidomos dhe në radhë të parë duke qenë e shkëputur nga qytetari i vet, duke qenë qeveri jokreative, duke qenë politikisht plotësisht pasive, duke qenë pa vizion e largpamësi politike, duke qenë servile deri në paturpësi, nuk do te mund ta pengojë Serbinë në realizimin e qëllimeve të saj, e sidomos kur ajo do ta ketë përkrahjen e OKB-së dhe gjithë faktorëve ndërkombëtarë.

Një zhvillim i tillë i ngjarjeve do të jetë me pasoja afatgjata për Kosovën dhe popullin e saj. Ma merr mendja se Qeveria e Kosovës nuk do të këndellet as nga kjo situatë dhe do ta vazhdojë avazin e vjetër. Ajo do t’u thotë JO “bisedimeve teknike” dhe zbatimin e Gjashtëpikëshit në terren do të mundohet ta maskojë në forma të ndryshme duke e gënjyer qytetarin e Kosovës se kjo nuk do të thotë zbatim i Gjashtëpikëshit, se kjo është në të mirën e popullit, se ne e kemi planin Katërpikësh etj., etj.

Një Qeveri e vërtetë e Kosovës do të duhej që urgjentisht ta alarmojë situatën në të cilën jemi futur, do të duhej ta paralajmëronte popullin për rreziqet e Planit Gjashtëpikësh, do të duhej ta aktualizonte çështjen e dhjetëra mijëra të dëbuarve nga pjesa veriore e Kosovës dhe do të këmbëngulte në zgjidhjen e këtij problemi, do të duhej ta aktualizonte çështjen e pazgjidhur të popullit shqiptar të mbetur nën pushtimin serb në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë etj. Kështu, një Qeveri e tillë padyshim se do ta fitonte mbështetjen e qytetarëve dhe të vetë forcave politike në vend. Një Qeveri e tillë do të respektohej ndryshe edhe nga vetë faktorët ndërkombëtarë, ndërsa situata politike do të zhvillohej në një drejtim krejtësisht tjetër – në drejtimin e duhur.

Prishtinë, 2.2.2009