Njëmijenjë probleme që më shohin sytë në fakultet, në universitet, në politikë e në shoqëri përgjithësisht më vjen t’i kritikoj e të shkruaj për to. Sa e sa kritika të tilla i kam lënë vetëm në fillim. Ua kam shkruar titullin, hyrjen e nëntitujt edhe i kam lënë të papërfunduara. Jo për tjetër gjë, pos nga droja se mos edhe unë po e përforcoj atmosferën e grindjes që mbretëron ndër shqiptarë anembanë. Ani pse kritika e bazuar dhe e mirëfilltë, pa tendencë grindjeje dhe fyerjeje, nuk është grindje.
Grindja, puna më e lehtë që mund ta bëjë njeriu
Matësi kryesor i mirëqenies dhe përparimit tonë është sasia e punës që bëjmë. D.m.th., mirëqenia dhe përparimi jonë rrinë në përpjesëtim të drejtë me punën që bëjmë ne. Kur them punën, e kam fjalën për punën – detyrën që na shkruhet me referat. E para, referati i çdo detyre shkruhet për t’ia treguar bartësit të detyrës se çfarë ka për detyrë dhe se si puna me të cilën është ngarkuar ai është e dobishme për shoqërinë përderisa është e bazuar në ligj dhe rregulla. Shembull: gazetari e ka për detyrë të shkruajë pasqyrime për ato që ndodhin. Referati i thotë që këtë ta bëjë në mënyrë të ekuilibruar në disa aspekte. Mirëpo, jemi dëshmitarë që shumë gazetarë dhe bartës të mediave pasqyrat i kanë të përdredhura, prandaj realitetin e përdredhin. Ose e humbin ekuilibrin duke sharë e duke fyer gjithnjë dhe çdo gjë. Ose, ndodh që gazetari fyen rëndë njerëz në emision publik dhe moderatori nuk reagon që t’i mbrojë ata, ta mbrojë mediumin e vet, ta mbrojë emisionin dhe veten e vet dhe në të njëjtën kohë të përcjellë në publik një porosi të dobishme. Ose gjyqtari. Puna e tij është ta zbatojë ligjin drejtpërdrejt. Me mbrojtje të ligjit dhe vetëm me mbrojtje të ligjit matet puna e tij. Më mirë të punojë vetëm një orë në ditë dhe të gjykojë një lëndë drejtë, se sa të punojë 10 orë e ta shkelë i pari ligjin 10 orë rresht. Ata që më së shumti largohen nga referati i detyrës që e kanë marrë përsipër janë politikanët, mësimdhënësit universitarë dhe akademikët. E keqja e madhe është se këta janë me përgatitje intelektuale, e cila premton se më së miri këta do ta kuptojnë referatin e detyrës. Pra, pritja është që këta ta shkelin më së paku ligjin, rregulloret apo referatin e detyrës që kanë. Mirëpo, nga 8 orë punë nëse i kanë, së paku 4 prej tyre i kalojnë për çështje personale, 3 të tjera me thashetheme e grindje. Dhe në fund, a punon 1 orë për të cilën është ngarkuar apo edhe atë e shqyen te ato dy problemet e mëdha të mëparshme. Përjashtimet nga kjo skemë e orarit të punës janë të rralla. Pra, shumica e të ngarkuarve me detyra shtetërore “punojnë” atë që iu vjen më lehtë: punët personale, thashetheme dhe grindje. Grindja është e lehtë; dhe ajo nuk është polemikë, nuk është kritikë e argumentuar, nuk është dialog intelektual.
Grindjet në politikë
Shihini politikanët shqiptarë gjithandej. Mjerisht, në themel të fjalorit të pothuaj secilit politikan është grindja. Kjo grindje manifestohet me sharje, fyerje, e shumë shpesh edhe me shpifje e kërcënime. Kjo sjellje e tyre, pos dëmeve të drejtpërdrejta që i sjell shoqërisë, është duke reflektuar një joedukatë për brezat e rinj, është duke e instaluar në shoqëri një klimë të ftohtë ndërmjet njerëzve, për të mos thënë klimë urrejtjeje, një praktikë të keqe të zgjidhjes së problemeve ordinere. Një shembull tipik, krejtësisht i papranueshëm, është rasti kur njëri nga kryeministrat shqiptarë iu kërcënua një deputeti me prishje të fytyrës. Pse ky angazhim i politikanëve? Sepse fjalori që reflekton dashamirësi dhe bërja e politikës me argumente shkencore e faktike dhe bërja e politikës me vepra është për ata që janë punëtorë dhe dashamirës të përparimit të gjithmbarshëm, e jo vetëm të përparimit personal apo, e shumta, vetëm të përparimit grupor. Për të ndërtuar vepra dhe argumente dhe kundërargumente duhet lexuar, duhet punuar, duhet biseduar në nivelin e atyre që i lexon për t’i deshifruar ato. Politikanët shqiptarë, edhe nëse e kuptojnë misionin e politikës, nuk janë duke e përfillur atë. Politikanët shqiptarë edhe nëse e kuptojnë çka është opozita politike, nuk janë duke bërë opozitë.
Grindjet ndër intelektualë
Ka pasur grindje ndërmjet intelektualëve edhe në të kaluarën, por tash plasi me të madhe. Është befasuese si ka mbijetuar gjendja ndër intelektualët pa grindje në sipërfaqe. Ndryshe, nën rrogoz mësimdhënësit universitarë më së paku merren me punën e tyre bazë. E më së shumti me grindje, thashetheme, ndërskamca dhe angazhim për sigurimin (gllabërimin) e shumë orëve honorar. Kjo shumë e orëve honorar, sikur bie në kundërshtim me pohimin kryesor të këtij shkrimi: jemi duke punuar pak. Por, kjo është vetëm në dukje. Ata, profesorët me apetit të madh, marrin honorar shumë, për të marrë të holla shumë. Ndërsa, sa për punë, të gjithë e dimë se një profesor universitar nuk ka mundësi t’i zotërojë mirë 20 orë ligjërimi në javë. Gjysmën e tyre ose nuk i mban, ose bën thashetheme në to.
Përderisa nuk i kryejmë detyrat tona si duhet, kemi prapambetje edhe në nxënien e të arriturave të reja shkencore në raport me botën e përparuar. E si të mos kemi? Vetëm një pyetje e kam për rektoratet (e UP-së dhe UPz-së) dhe për ASHAK-un: sa revista shkencore i merr Kosova nga jashtë në mënyrë periodike dhe në rrugë zyrtare?!
Në anën tjetër, puna që pret – mal
Kuptohet, derisa ka kaq shumë grindje, puna e pakryer që na pret – është mal. Për shembull, gazetarët dhe kolumnistët që kritikojnë duke sharë dhe fyer (nganjëherë duke shpifur) të punojnë më me shumë përkushtim në shkrimet e tyre që të jenë më të saktë; të përdorin fjalor kritik gjithsesi, por të ngrohtë, përfitues dhe me efekt. Se, disa gazetarë, ata që janë kinse më kritikët, janë duke e huqur qëllimin e vet me mënyrën e palejueshme të shprehjes.
Politikanët në pushtet në radhë të parë të ofrojnë dashamirësi në dialog dhe paraqitje publike dhe përgjegjësi për atë që thonë e bëjnë dhe të mos e shkelin ligjin dhe rregulloret. Politikanët opozitarë (edhe këta duhet të reflektojnë dashamirësi dhe përgjegjësi për atë që thonë), në radhë të parë të na tregojnë për shkeljet ligjore të pushtetit dhe menjëherë (pa shumë zhurmë) t’i procedojnë ato në prokurori. Pastaj, me ide të reja, më të mira, sipas tyre, të bëjnë përpjekje për ta marrë pushtetin. Kjo rrugë është më e vështirë dhe më e gjatë, por është rrugë që shoqërinë e çon përpara shumë më shpejt.
Intelektualët t’i ndërtojnë shoqatat e tyre profesionale dhe të vënë kontakt me shoqatat homologe të vendeve me shkencë dhe arsim të përparuar. Në ato shoqata të diskutohet e të ligjërohet periodikisht për të arriturat individuale dhe të arriturat botërore të asaj fushe! Pas kësaj mund të lindë diçka e mirë për ta dhe për të tjerët.
Akademikët e dinë vetë punën e tyre. Por, do t’i kisha lutur përulësisht të modernizohen pak. Kjo nuk nënkupton që ata të dalin nga vetja, por të bashkëpunojnë me intelektualët e rinj (jo-bartës të titullit akademik) që ta modernizonin punën e ASHAK-ut dhe të ASHSH-së.
E di. Me këtë shkrim e kam merituar një sharje apo përbuzje nga ata që ka kohë që shfryjnë e shajnë dhe nga ata që nuk e kryejnë punën e vet. Por, ani. Unë bëra përpjekje maksimale të mos e shaj, as ta fyej ndokë. Sa herë që unë jam sharë, fyer e shkelur, kjo më ka ndodhur sepse kam folur të vërtetën, ose se jam përpjekur ta them të vërtetën. Unë në vazhdimësi luftoj me veten për të punuar pak më shumë sesa jam duke punuar. Dëshira për të ndenjur, për të shikuar TV e për t’u dëfryer, ma rrëmben kohën. Por për një jam i përbetuar: për t’u grindur nuk do të grindem. Edhe pse shumë nëpunës ministrorë, dekanë e profesorë etj. më kanë tërhequr dhe më tërheqin kah grindja.
Shukri Klinaku
Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim
Prishtinë, 29.11.2011