×

LB uron qytetarët për pranimin në UEFA dhe për liberalizim të vizave

04.05.2016 ·



Kosova brenda dy ditësh i mori dy lajme shumë të rëndësishme: pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe vendimin pozitiv të Komisionit Evropian për rekomandimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Lëvizja për Bashkim konsideron se mbajtja e Kosovës në izolim të plotë sa i përket futbollit, e sidomos aspektit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj, kanë qenë padrejtësi që kanë zgjatur shumë. Këto dy lajme pozitive janë rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit të të gjitha institucioneve relevante, qytetarëve të Kosovës dhe i përkrahësve të këtyre kauzave nga të gjitha vendet e tjera. Sa i përket pranimit në UEFA, ne vlerësojmë se ky hap ndihmon shumë në rritjen e cilësisë së futbollit në vend duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë që krijohen si në aspektin ndërkombëtar, përmes pjesëmarrjes në gara të këtij niveli, ashtu edhe në aspektin rajonal, përmes krijimit të një lige të përbashkët shqiptare. Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave Lëvizja për Bashkim vlerëson se ky hap përbën përmbushje të një të drejtë elementare njerëzore për lëvizje të lirë të qytetarëve tanë. Presim që ky rekomandim të miratohet edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe nga Parlamenti Evropian. Gjithashtu, me këtë rast, kërkojmë nga të gjithë qytetarët tanë që kjo e drejtë të shfrytëzohet në përputhje me rregullat që parashihen me rastin e njohjes së saj. Lëvizja për Bashkim i uron të gjithë qytetarët e Kosovës për këto suksese dhe zotohet se do të angazhohet çdo ditë që këto suksese dhe të tjerat në të ardhmen të jenë edhe më të plota.

.

Prishtinë, 4.5.2016