×

Valon MURATI: Për çështjet me interes kombëtar duhet konsensus

06.04.2016 ·



Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se se pozita dhe opozita duhet të dialogojnë në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje për krizën politike. “Ajo që unë e konsideroj si shumë të dëmshme për vendin është mungesa, tanimë gati totale, e komunikimit në mes të forcave politike. Kjo sjellje jo vetëm që rëndon punën e institucioneve dhe atmosferën politike në përgjithësi, jo vetëm që qytetarët i mbush pesimizëm dhe dëshpërim, por ngushton edhe hapësirat për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë” . Më poshtë, mund t’i gjeni disa copëza nga intervista e z. Murati:

PËR SITUATËN AKTUALE NË VEND: Ndonëse ekziston përshtypja se ka një relaksim momental të situatës politike, ajo vazhdon të mbetet e tensionuar dhe komplekse për t’u zgjidhur për shkak të pozicioneve të ngurta të të gjitha palëve. Ajo që unë e konsideroj si shumë të dëmshme për vendin është mungesa, tanimë gati totale, e komunikimit në mes të forcave politike. Kjo sjellje jo vetëm që rëndon punën e institucioneve dhe atmosferën politike në përgjithësi, jo vetëm që qytetarët i mbushë pesimizëm dhe dëshpërim, por ngushton hapësirat për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë. Ndërsa, ashtu siç e kam thënë tanimë sa herë, në fund të ditës ne do të duhet gjithsesi një ditë të ulemi dhe të shtrojmë rrugën për zgjidhjen e problemeve

PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME: Mbajtja e zgjedhjeve në këto rrethana, nuk është e dobishme për vendin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve, por njëkohësisht besoj se forcat politike do të duhej të uleshin për të biseduar për çështjet e nevojës së një reforme zgjedhore e cila mund të sjell edhe deri tek një datë e re e zgjedhjeve parlamentare.

PËR REFORMËN ZGJEDHORE: Procesin e tejkalimit të krizës e shoh në dy binarë. Shtylla e parë ka të bëjë me nevojën e një reforme zgjedhore duke u nisur jo vetëm nga pastrimi i listave, por diskutimi më i thelluar për natyrën e listave (të hapura apo të mbyllen prapë për një periudhë për shkak të defekteve të mëdha që kanë shkaktuar), për pragun zgjedhor (heqjen e tij dhe krijimin e kushteve për një përfaqësim më të denjë në parlament të nismave të ndryshme politike), për votimin e presidentit nga populli, si dhe hapjen e mundësive që diaspora jonë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata.

PËR KONSENSUSIN KOMBËTAR: Unë kam besimin e patundur se ne, si forca politike shqiptare, duhet gjithashtu të instalojmë një tryezë tjetër afatgjate, atë të diskutimit të çështjeve me interes shtetëror dhe kombëtar e që tejkalojnë interesat dhe konceptet e ngushta partiake. Ndër ato tema që do të duheshin diskutuar janë bisedimet me Serbinë, çështja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, çështjet e ndryshimeve kushtetuese të cilat konsiderohen të domosdoshme për të eliminuar segmentet e caktuara që po e bëjnë shtetin jofunksional etj. Një tryezë e tillë, e cila do të krijonte një konsensus shoqëror, shtetëror e kombëtar për çështje të tilla të ndjeshme, dhe do të ndihmonte të mos krijoheshin situatat si ajo me asociacionin apo demarkacionin.

PËR DEMARKACIONIN E KUFIRIT ME MALIN E ZI: Lëvizja për Bashkim ka konstatuar se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, duhet të përfundojë në Kuvendin e Kosovës, dhe aty pas debatit parlamentar duhet të futet në procedurat e rregullta të ratifikimit. Ne duke mos u përcaktuar se cila palë ka të drejtë në këtë drejtim, por duke qenë të vetëdijshëm për mosbesimin e thellë të krijuar në këtë proces në shoqërinë tonë, dhe duke e konsideruar se tërë procesit i ka munguar transparenca e duhur (gjë që u vu në dukje edhe në të gjeturat e komisionit verifikues të krijuar nga presidentja) konsiderojmë se marrëveshja nuk duhet të ratifikohet dhe duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar.

PËR (MOS)MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE SERBE NË KOSOVË: Serbët në Kosovë, me kornizën kushtetuese dhe ligjore e kanë të garantuar dyshtetësinë dhe rrjedhimisht mundësinë për të marrë pjesë në zgjedhjet serbe. Problemi nuk është tek kjo e drejtë që kanë serbët, por tek mënyra sesi Serbia po punon që të ushtrohet kjo e drejtë, duke injoruar tërësisht faktin se Kosova është shtet dhe ka ligjet e veta. Ajo votuesit serbë në Kosovë nuk i trajton si votues të saj me banim jashtë shtetit serb por si banorë të Serbisë, duke e trajtuar Kosovën si pjesë integrale të Serbisë. Gjithashtu, fushata e tyre parazgjedhore në Kosovë është e mbushur me nxitje kundër shtetësisë së Kosovë dhe institucioneve të saj. Kjo përbën agresion të pastër ndaj shtetit tonë, prandaj ne, si shtet, nuk duhet t’i nënshtrohemi këtij agresioni por duhet t’i përgjigjemi ashtu siç do t’i përgjigjej çdo shtet normal në botë – me ndalimin e tyre për aq kohë sa Serbia nuk ndërron qasje.

PËR PUNËN E MINISTRISË SË DIASPORËS: Ne kemi filluar përgatitjet për sezonin e verës, kur bashkatdhetarët tanë vijnë dhe vizitojnë Kosovën. Do të jemi në kontakt me komunat e Kosovës, por edhe me institucionet e tjera që pritja për bashkatdhetarët të jetë sa më e mirë. Njëkohësisht jemi duke punuar në hartimin e kalendarit kulturor gjatë Muajit të Diasporës, në mënyrë që gjatë verës të kemi sa më shumë veprimtari kulturore, arsimore, argëtuese e sportive. Po punojmë në organizimin e kampeve verore, të programit të praktikës për studentët e diasporës në institucionet e vendit por po punojmë edhe të shfrytëzojmë maksimalisht qëndrimin e bashkatdhetarëve tanë për procesin e regjistrimit.