×

2011 - një vit i çuditshëm ky

29.12.2011 · Valon Murati



Në vitin që po e lëmë pas, në vend se të merreshim me fatin e veriut të qytetit të Mitrovicës dhe fshatrave përreth dhe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, ne u morëm me Leposaviqin, Zveçanin e Zubin Potokun! Në vend se të zhvillonim bisedime të vërteta politike me Serbinë për problemet e mbetura në veri të Kosovës dhe në Kosovën Lindore, ne zhvilluam bisedime “teknike”, të cilat do të kenë pasoja politike, e që mund të përfundojnë në një autonomi për veriun! Në këtë vit, në vend që ta nxirrnim një ligj ku do ta legjitimonim luftën e UÇK-së si një luftë çlirimtare, ne nxorëm një ligj për UÇK-në, nga ku e flakëm luftën e saj dhe shumicën e atyre që e kanë zhvilluar atë - veteranët! Në vitin që po e lëmë pas, në vend se si shoqëri ta luftonim korrupsionin që na ka kapur për laku e po na e pengon zhvillimin në të gjitha fushat jetës, ai edhe më shumë zuri vend si një dukuri që ka filluar shoqërisht të bëhet shqetësuese! Vërtet i çuditshëm ky viti që po e lëmë pas.

1.

Viti që po e lëmë pas nuk është ndonjë vit për të cilin do t’i marrë malli qytetarët e Kosovës. Për më tepër, është një vit i cili në thelb nuk dallon nga vitet e mëparshme në planin e rritjes së cilësisë së jetës në Kosovë, e aq më pak të rritjes së cilësisë së qeverisjes dhe të bërjes politikë në përgjithësi. Edhe viti 2011 vazhdoi të karakterizohet me një krizë të rëndë ekonomike, pa shpresë se në planin afatshkurtër do të kemi një rritje të nevojshme ekonomike për ta ulur nivelin e lartë të papunësisë (më të lartin në Evropë) dhe as për ta zbutur varfërinë. Kjo situatë ekonomike bëhet edhe më e rëndë kur të kemi parasysh se edhe Qeveria e dalë nga zgjedhjet e vitit të kaluar, ashtu si qeveritë e mëparshme, ekonominë e vendit e ka qeverisur pa ndonjë politikë të qartë zhvillimore, por më shumë në mënyrë anarkike. Si rrjedhojë, Kosova vazhdoi të vuajë nga deficiti i lartë tregtar, që është shënjues i qartë i mungesës së politikave që e përkrahin prodhimin vendor dhe eksportin e tij. Drejtësia ka vazhduar të mbetet një thembër e Akilit për sistemin tonë juridik, duke e fuqizuar jashtëzakonisht shumë korrupsionin, i cili është bërë jo vetëm sëmundja shoqërore më e përhapur që e ka kapluar politikën, administratën, ekonominë, shëndetësinë e arsimin por edhe vetë moralin tonë shoqëror. Një situatë e rëndë ka vazhduar të mbretërojë edhe në fushën e shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe sportit, ku, përkundër përpjekjeve të herëpashershme të dikastereve të caktuara qeveritare për ta përmirësuar gjendjen, situata mbetet e rëndë. Qytetarët tanë edhe vitin e kaluar jo vetëm që nuk patën shërbime më cilësore shëndetësore, por ata janë qytetarët e vetëm në Evropë që vazhdojnë të mos kenë sigurime shëndetësore. Në fushën e arsimit gjendja është më tepër se shqetësuese, kur të kemi parasysh se sistemi ynë arsimor është shndërruar në një sistem të promovimit të diplomave të cilat në një pjesë të madhe të rasteve përmbajnë shumë pak dije në to. Kultura është ende në përpëlitjet për të nxjerrë ndonjë vlerë që mund të na bëjë të krenohemi, përderisa gjendja në sport jo vetëm që stagnoi, por ka rënë nën pikën zero, duke e bërë krejt të pashpresë situatën për gjeneratat e reja që duan të merren me sport. Izolimi në sport ka vazhduar, për të mos thënë është thelluar. Krejt kjo situatë do të dukej më pak e zymtë po ta kishim një opozitë më të organizuar, me alternativa politike të qarta për të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike. Fatkeqësisht, opozita, jo e vogël në numër në Kuvendin e Kosovës, është krejtësisht e paorganizuar dhe i ngjan një makinerie vote që është e interesuar vetëm për votën e qytetarit, për pushtetin si qëllim në vete, duke e shndërruar veten në një trup (apo shumë trupa) që kundërshton, kritikon dhe shan vetëm sa për t’u dukur se po e kryen punën e vet, por pa ofruar zgjidhje për problemet e mëdha që i ka shoqëria, e që në masë të madhe janë produkt i qeverisjes dhe i mënyrës së të bërit opozitë.

2.

Në planin politik ngjarja kryesore e vitit ka mbetur përpjekja e shtuar, por gjithnjë në rrugë të gabuar, e Qeverisë së Kosovës për ta zgjidhur çështjen e veriut të Kosovës. Çështja e veriut të Kosovës është një çështje e mprehtë politike, pjesë e pazgjidhur e çështjes shqiptaro-serbe, andaj çdo përpjekje për ta zgjidhur me masa policore, duke e trajtuar si një çështje të sigurisë dhe kushtetutshmërisë, jo vetëm që nuk na ndihmon për ta zgjidhur, por na çon në rrugë pa krye dhe e fut vendin dhe kombin shqiptar në aventura të panevojshme. Nuk mund të zgjidhet çështja e veriut as duke u fshehur fakti i dëbimit të 12.000 shqiptarëve nga veriu i qytetit të Mitrovicës dhe fshatrave përreth pas terrorit në natën në mes të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, kur ndër të tjera u vranë 13 civilë shqiptarë, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Nuk mund të zgjidhet çështja e veriut të Kosovës, duke u heshtur çështja e pazgjidhur e Kosovës Lindore (Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës). Si rrjedhim, nuk mund të zgjidhet ky problem aq i rëndë pa u definuar mirë e mirë interesi kombëtar i shqiptarëve të Kosovës. Dhe, si edhe në fushat e tjera, ashtu edhe në këtë drejtim, në politikën e Kosovës nuk ka pasur dallime qenësore në mes të pozitës dhe opozitës. Por ka pasur zhurmë, dallime kozmetike, ka pasur përpjekje për të marrë primat nga ana e forcave politike se kush do të ishte më i “vendosur” për ta marrë ushtarakisht dhe me forca policore veriun, por nuk ka pasur kundërshtime thelbësore ndaj qasjes së qeverisë ndaj këtij problemi. E vetmja opozitë reale në këtë drejtim ka qenë Lëvizja për Bashkim, e cila guximshëm ka dalë kundër rrymës së një patriotizmi folklorik në Kosovë (i nxitur nga krejt spektri politik sidomos pas intervenimit të 25 korrikut), duke e bërë të qartë se çështja e veriut është çështje politike dhe nuk zgjidhet përmes aventurave policore, dhe se duhet dhe mund të zgjidhet vetëm përmes bisedimeve politike me Serbinë, por duke shtruar njëkohësisht në tryezën e bisedimeve edhe çështjen e Kosovës Lindore. Lëvizja për Bashkim qartazi ka pohuar se bisedimet teknike me Serbinë janë një farsë, të cilat së bashku me situatën e krijuar në veri pas intervenimit policor janë duke i krijuar parakushtet për një autonomi për veriun e Kosovës (aranzhman politik që mund edhe të mos quhet me emër autonomi). Kjo autonomi, jo vetëm që do ta bënte edhe më jofunksional shtetin e Kosovës (edhe ashtu jofunksional me Pakon e Ahtisaarit), por duke e futur në të edhe pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth, do ta dëmtonte rëndë interesin kombëtar shqiptar. Shtoja kësaj edhe faktin se Kosova Lindore do të lihej anash në këtë proces, dhe në një periudhë kohore edhe ajo pjesë do të mund të zbrazej nga shqiptarët si pasojë e represionit dhe jetës pa perspektivë ekonomike, ky interes në këto treva do të mund të pësonte goditje përfundimtare. Andaj Lëvizja për Bashkim ka konstatuar se zgjidhja më e mirë për të dy popujt dhe për të dy shtetet është që të ndodhë ridefinimi i kufijve duke u bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje (për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe për serbët në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan). Por duke qenë se në situatën e dhënë kjo zgjidhje nuk përkrahet as nga faktori ndërkombëtar, as nga Serbia, asnga faktori politik në Prishtinë, atëherë LB-ja ka kërkuar që të zbatohet parimi i reciprocitetit, që nënkupton: ato të drejta që do t’iu ofrohen serbëve në tri komunat veriore, t’iu jepen edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore. Kjo mund të shkojë deri në autonomi, e më vonë, pse jo, edhe deri në ridefinim të kufijve.

3.

Viti 2011 do të karakterizohet edhe për një mashtrim e manipulim të madh. Gjatë tërë vitit është folur e debatuar për ligjin për kategoritë e dala nga lufta çlirimtare. Projektligji i ardhur nga qeveria në Kuvend ishte krejtësisht i çalë. Përveç shumë defekteve, dy ishin atotë cilat Lëvizja për Bashkim që nga fillimi i ka trajtuar dhe i ka kundërshtuar që në krye të herës. Mungesa e përkufizimit të luftës çlirimtare në projektligj dhe mungesa e përfshirjes së beneficioneve për veteranët ishte i papranueshëm për ne. Në radhë të parë, përkufizimi i luftës si çlirimtare në këtë ligj do ta legjitimonte përfundimisht karakterin çlirimtar të luftës, edhe përmes një norme juridike të zbatueshme dhe do të ishte goditje për të gjithë zërat e jashtëm e të brendshëm se këtu paska pasur luftë civile, konflikt etnik, konflikt etj. Në anën tjetër, ndonëse të vetëdijshëm për problemet me regjistrat e saktë për veteranët dhe telashet që kjo i nxjerr qeverisë në raport me FMN-në kur të vijë puna tek kalkulimi saktë i shpenzimeve buxhetore, për ne ishte e papranueshme që në këtë ligj të anashkaloheshin beneficionet (përfitimet) për veteranët. Varianti që beneficionet të sanksionoheshin në Ligj, por të përcaktohej se ato mund të fillonin të shfrytëzoheshin nga ai vit në të cilin do të përcaktohej numri i saktë i veteranëve, ishte ai që përkrahej nga Lëvizja për Bashkim. Në këtë kontekst edhe me ndikimin e deputetes së LB-së në Komisionin për Shëndetësi, Punë e Mirëqenie Sociale, Projektligji u përmirësua dhe u mbush me përmbajtje të tillë që nuk do të na turpëronte para të kaluarës dhe para gjeneratave të ardhshme. Fatkeqësisht, dhe për turpin e partisë në pushtet, e cila mbahet si vazhduese e UÇK-së, nën ndikimin e saj ky projektligj u ndryshua tërësisht, nën arsyetimin e presioneve nga FMN-ja; dhe u hoqën jo vetëm beneficionet për veteranët, por për turpin e të gjithëve, në ligj u hoq edhe përkufizimi i luftës si luftë çlirimtare. Kështu, në fund u miratua një ligj i turpshëm për UÇK-në, pa luftën e saj çlirimtare në të dhe pa beneficionet për shumicën e atyre që e kanë bërë atë luftë - veteranët e luftës çlirimtare. Ky ligj si tillë nuk do t’i qëndrojë kohës, andaj edhe Lëvizja për Bashkim ishte hapur kundër miratimit të këtij ligji, dhe deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës votuan kundër.

4.

Viti që po e lëmë pas për Lëvizjen për Bashkim ishte më i suksesshmi që nga themelimi. Ajo jo vetëm që i ka dy deputetë në Kuvendin e Kosovës, por është fuqizuar organizativisht,dhe koncepti i saj politik është më i pranishëm sesa më parë në opinion publik. Në funksion të depërtimit të konceptit të saj për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe, institucionalizimit të këtij koncepti, përpjekjeve për integrime kombëtare në të gjitha fushat ku kjo është e mundshme, si dhe në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarit, në vitin që po hyjmë Lëvizja për Bashkim do të jetë e pranishme edhe më shumë në jetën politike të Kosovës, por do të jetë aktive edhe në fuqizimin e saj organizativ dhe kontaktin me qytetarin e Kosovës. Lëvizja për Bashkim është e vetëdijshme se në rrugën e gjatë e komplekse për bashkimin e kombit duhet kaluar me suksese nëpër shumë procese më të vogla, pa të cilat ky bashkim është i pamundshëm.

Për fund: Urime të gjithëve, me dëshirën që të takohemi në aktivitete, në punë e në debate për zhvillimin e vendit dhe të kombit.