16.02.2016 · Valon Murati
Nesër Kosova mbush 8 vjet shtet. Më 17 shkurt edhe zyrtarisht u formalizua shkëputja juridike e vendit tonë nga pushtuesi gati 100-vjeçar Serbia. Ky ishte një hap tejet i rëndësishëm në përpjekjet titanike dhe të mundimshme të popullit shqiptar për liri. Pas shumë përpjekjesh e sakrificash, mundi i shumë gjeneratave nuk shkoi huq.
Përkundër faktit që shpallja e pavarësisë erdhi përmes një procesi të rëndë kompromisesh të dhimbshme nga negocimi me Serbinë, kjo e fundit vazhdon të mos e njohë këtë pavarësi dhe kryen obstruksione të njëpasnjëshme ndaj shtetit të Kosovës. Dhe këtë e bën pikërisht duke i shfrytëzuar këto marrëveshje që kanë sjellë zgjidhje joadekuate të problemeve. Ndërsa këto marrëveshje janë pasojë e shpërdorimit të rastit historik nga ana e PDK-së, LDK-së, VV-së dhe AAK-së, të cilat, në vend të një platforme kombëtare për zgjidhjen e këtyre problemeve, vendit i ofruan beteja e grindje ndërpartiake.
Kosova edhe në këtë 8-vjetor vazhdon t’i vuajë pasojat e sjelljes së papërgjegjshme të këtyre forcave politike.
Prandaj, Lëvizja për Bashkim edhe në këtë rast iu bën thirrje këtyre forcave që ta shmangin kursin aktual, e të sillen në nivel me peshën dhe seriozitetin e situatës, duke i përqendruar të gjitha përpjekjet për hartimin e një konsensusi të gjerë kombëtar e shoqëror që do të përbënte rrugëdalje nga situata e rëndë ku është zhytur vendi sot. Në krye të prioriteteve Lëvizja për Bashkim e vendos gjetjen e konsensusit kombëtar për ndërtimin e pozicionit të përbashkët politik të faktorit shqiptar në Kosovë, për t’i tejkaluar të gjitha kufizimet kushtetuese që i ka shteti i Kosovës.
Duke uruar të gjithë qytetarët për 17 Shkurtin, edhe një herë bëjmë thirrje që t’i përqendrojmë potencialet dhe energjitë tona drejt forcimit të sovranitetit të Kosovës dhe krijimit të kushteve që, pas heqjes së pengesave kushtetuese, në një proces demokratik të realizohet edhe synimi i bashkimit kombëtar.
Lëvizja për Bashkim
Valon Murati
Kryetar
Prishtinë,
16.2.2016