×

​BAZA E BAZAVE TË KORRUPSIONIT NË KOSOVË ËSHTË KORRUPTIMI POLITIK I LIDERËVE TË PREFERUAR NGA SHTETET E KUINTIT

08.02.2011 · Shukri Klinaku



Dialog me z. Feith, z. Dell dhe z. Sparkes

Krejt ajo që dua të ju them mund të përmblidhet me këtë fjali: Nuk ka politikan shqiptar që është me dinjitet dhe i pakorruptuar e që nuk është anëtar i idesë për bashkim kombëtar.

Të nderuar ambasadorë! Ju këtyre ditëve kërkuat qeveri të pastër për Kosovën dhe shprehët mosbesim në luftën kundër korrupsionit. Kjo më shtyri të Ju drejtohem me këto fjalë. Korrupsioni në Kosovë, të nderuar miq, fillon me Ju! Në të vërtetë, ka filluar shumë kohë më parë, por vazhdon gjithnjë edhe me veprimet Tuaja. Nuk dua të Ju lëndoj personalisht, por misioni të cilit i shërbeni është korruptiv. Pse?

Ju nuk jeni neutral ndaj aktorëve politikë të skenës politike në Kosovë. Ju anoni. Me këtë ju i korruptoni politikisht disa liderë, ata pastaj tërë jetën e vet e bëjnë të korruptuar. Ju ndoshta dëshironi t’i korruptoni vetëm në një segment klientët Tuaj – në orientimin politik të tyre. Por ja që njeriu nuk u korruptuaka vetëm në një segment, vetëm në një fushë. Korrupsioni është sëmundje gjithëpërfshirëse, nuk mund të korruptohesh në një sferë e në tjetrën të jesh i pastër. Ju disa politikanë i keni korruptuar drejtpërdrejt. Ndërsa, pjesa më e madhe e politikanëve të korruptuar korruptohen vet, sipas modelit të politikanit të gdhendur nga Ju, sepse këtë e shohin rrugë më të lehtë për depërtim në majat e piramidës, cilësdo qoftë. Ka figura politike me peshë në Kosovë që shkojnë kokulur (dhe të korruptuar, së paku politikisht) pas liderit të tyre të korruptuar. Ata në rrugën e korruptuar mbahen duke përsëritur vet me vete rregullisht idealet e veta të hershme (idealet e përhershme të popullit) për liri dhe sovranitet. Aleati dhe arma Juaj në korruptimin e këtyre liderëve është: vetëdija e liderit dhe kërcënimi me mospërkrahje.

Ky është një përfundim i studiuar dhe i bazuar në faktet e historisë më të re të Kosovës dhe të hapësirave dhe kohërave tjera. Le t’i mbetet lexuesit ta aplikoj këtë formulë te cilido politikanë i Kosovës, qoftë i vogël qoftë i madh. Unë e kam provuar - formula vlen pa përjashtim. Kjo më bindë që këtë formulë ta quaj ligj. Aplikimi do të duhej bërë në këtë mënyrë: e merr politikanin x në shqyrtim dhe kërkon përgjigje në pyetjet: Si është bërë politikan? Çfarë idesh ka përfaqësuar? Si kanë evoluar idetë e tij? Si i ka shfaqur dhe si i ka fshehur idetë e tij? Si është ngjitur në piramidë apo si është rrëzuar nga ajo? Si ka lëvizur pasuria e tij materiale?

Korruptimi i “shoqërisë civile”

Sidomos veprimtarët e “shoqërisë civile”, njerëz nga mediat apo edhe ndonjë analistë që po futen në politikë janë model i korruptimit politik të politikanit sipas formulës së theksuar më lartë. Madje ata korrupsionin e ideve të veta e lëshojnë deri në nivel financiar. Do të ishte shumë e pranueshme që prej një pozite kritikuese apo neutrale një person nga këto bashkësi të ndërtonte diçka të re, por është shumë dëshpëruese kur një udhëheqës i një OJQ-je, një kryeredaktor, një analist e kishe profesor futet, sa për një karrige, në baltën e partive të dëshmuara për korrupsion. Me këtë hap këta njerëz shkelin edhe ato pak parime civile që u kanë mbetur.

Farsa ose keqinterpretimi i thënies: Politika është arti i së mundshmes

Thënien, politika është art i së mundshmes e pranoj me një kusht: është arti i së mundshmes, por pasi ta kesh vendosur (shënjuar) cakun e duhur. Nuk mund të realizosh një qëllim nëse nuk e synon atë, nëse nuk e ke vendosur atë në shënjestër. Konkretisht, nuk mund të realizohet bashkimi kombëtar i shqiptarëve nëse nuk e synon njeriu apo subjekti politik në programin e vet të veprimit. Këta zotërinjtë liderë të partive në program kanë diçka tjetër dhe shesin fjalë të kota në takime dhe raste tjera joformale se gjoja jemi real në politikë, se gjoja nuk i ka ardhur koha bashkimit kombëtar, e 100 gjoja tjera, të cilat ju shërbejnë vetëm për një arsye: ta mbulojnë korrupsionin politik ku janë zhytur (ku i keni zhytur). Liderët e sotëm janë “të përkrahur” nga Ju që të largojnë nga programi politik bashkimin kombëtar. Me këtë ata fitojnë përkrahjen Tuaj, fatkeqësisht në çdo fushë.

Eliminimi i bazës së bazave të korrupsionit është vetëm hapi i parë i domosdoshëm për eliminim të korrupsionit

Edhe po të arrihet që të gjithë politikanët e Kosovës të shprehin lirshëm mendimin e vet dhe të ndërtojnë programet politike pa dirigjimin Tuaj, nuk janë zhdukur të gjitha bazat e korrupsionit të të gjitha sferave, por vetëm burimi kryesor i korrupsionit. Me fjalë tjera, vetëm atëherë, do të kishte kuptim lufta kundër korrupsionit. Sot, nuk ka kush ta bëjë atë luftë, sepse aktorët kryesor në skenën politike janë të preferuarit Tuaj – pra, të korruptuarit Tuaj.

Ndoshta krejt kjo që po mundohem të ju them mund të përmblidhet me këtë fjali: Nuk ka politikan shqiptar që është i drejtë, që është jo gënjeshtar, që është me dinjitet e që nuk është anëtar i idesë për bashkim kombëtar.

Izolim? Jetë pa miq? Jo!

Nuk e kam thënë as edhe një herë se ne shqiptarët e Kosovës duhet të ecim të vetmuar, nuk e kam thënë as edhe një herë se të huajt gjithmonë na e kanë me hile etj. Madje, qëndroj i patundur në bindjen se miqësia dhe ndihma nga jashtë do të ishin më të mëdha nëse ne do të zgjedhnim për udhëheqës njerëzit tanë të pakorruptuar. Pra, e kuptoj dhe e pranoj që fajin për zgjedhjen e të korruptuarve e kemi vet ne. Por, Ju lutem të nderuar miq, Ju mos i favorizoni (korruptoni) disa, sepse po e prishni balancin dhe votuesit po i shtyeni të gabojnë.

Shukri Klinaku

(Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LB-së)