×

Bistrica, Ceraja, Koshtova...

31.05.2012 · Aurora Bakalli



I nderuari Kryetar i Kuvendit, kabinet qeveritar, të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Ditë më parë, ne, një delegacion i Lëvizjes për Bashkim, kemi vizituar fshatrat e banuara me shqiptarë në Komunën e Leposaviqit (Koshtovën, Bistricën dhe Cerajën).

Atë që ndiej si obligim ta theksoj që në fillim është se banorët e këtyre fshatrave janë për t’u admiruar dhe duhet gëzuar respektin tonë për faktin se duke qëndruar në shtëpitë e veta janë duke e ruajtur strukturën shqiptare në atë zonë. Numri i banorëve autoktonë shqiptarë në këto fshatra fatkeqësisht ka shënuar rënie të theksuar. Këta banorë që kanë mbetur dhe janë duke qëndruar në trojet e veta, megjithatë kanë pakënaqësi të shumta:

  • Janë të pakënaqur sepse nuk janë përfshirë fare në procesin e regjistrimit të popullatës, gjë që i shtyn të mendojnë se janë të harruar.
  • Janë të pakënaqur pasi që nuk iu është asfaltuar rruga disa kilometërshe që e bën lidhjen e tyre me pjesën shqiptare të Mitrovicës; përkundrazi, janë të detyruar të qarkullojnë në rrugën që kalon nëpër barrikadat serbe, gjë që paraqet vetëm një fragment të pasigurisë së tyre të përgjithshme.
  • Janë të pakënaqur pasi që jetojnë në kushte tepër të rënda ekonomike dhe nuk u ofrohet mundësi punësimi; madje konsiderojnë se janë edhe të diskriminuar karshi atyre që kanë lidhje partiake disa të cilët as nuk banojnë në atë anë dhe të cilët marrin beneficione në emër të banorëve të këtyre trevave. Kjo mund të jetë arsye shtesë për migrimin e këtyre banorëve në kërkim të një jete më të mirë.
  • Janë të pakënaqur pasi nuk kanë qasje në programet televizive vendore që konsiderojnë se është hendikep për ta dhe sidomos për fëmijët e tyre që rriten në një ambient të izoluar, madje edhe nga aspekti informativ dhe kulturor, etj.

Në një natyrë jashtëzakonisht të bukur malore jetojnë të margjinalizuar nga të gjithë banorët autoktonë të fshatrave shqiptare të Mitrovicës; të neglizhuar nga shteti i Kosovës dhe të lënë në mëshirën e Komunës së Leposaviqit. Ndërkohë, që këta njerëz janë roje të trevave të bukura veriore shqiptare të Kosovës, por edhe rojet e kufirit të qytetit të Mitrovicës.

Këta qytetarë të ndërgjegjshëm të Kosovës nuk meritojnë të jenë të margjinalizuar, por përkundrazi ata meritojnë të jenë të privilegjuar në çdo aspekt.

Ju faleminderit!

Aurora Bakalli, deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë,

31.5.2012