×

Çarshia e Gjakovës

08.11.2012 · Aurora Bakalli



Të nderuar deputetë,

Sot dëshiroj të ngrejë një çështje që i ka shqetësuar shumë qytetarët e Gjakovës. Ky shqetësim ka të bëjë me iniciativën për ndërrimin e kalldrëmit në Çarshinë e Madhe të këtij qyteti.

Qytetarët e Gjakovës shquhen për vetinë që të ruajnë traditën e tyre. Vet Çarshia e madhe e Gjakovës ishte shkatërruar tërësisht gjatë luftës së fundit, ndërsa gjatë renovimit të saj u tentua që t’i qëndrohet sa më besnik pamjes së përparme të çarshisë.

Projekti për renovimin e Çarshisë së Madhe është Projekt 1 milion eurosh i Komunës së Gjakovës, por mbetet shumë e paqartë se pse me këtë projekt parashihen veprime të cilat do t’ia ndërrojnë autenticitetin kësaj çarshie, që përndryshe është pjesë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme. Është shumë e paqartë se pse duhet ndërruar kalldrëmin dhe zëvendësuar atë me rasë gurësh të Gllarevës, të cilat do t’ia ndërrojnë shumë pamjen origjinale çarshisë, ndërkaq që edhe vetë cilësia dhe qëndrueshmëria e këtij materiali krahasuar me aktualin është shumë e dyshimtë.

Sipas definimit, trashëgimia kulturore paraqet pasurinë kulturore që trashëgohet nga gjeneratat e kaluara, mirëmbahet në të tashmen dhe i dhurohet gjeneratave të ardhshme.

Këtë obligim e kemi edhe ne, ta ruajmë trashëgiminë tonë kulturore që t’ua dhurojmë gjeneratave të ardhshme, e në asnjë mënyrë ta bastardojmë atë.

Me këtë rast dua të përshëndes vendimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë e Sportit sipas të cilit është kërkuar ndalimi i menjëhershëm i punimeve.

Të nderuar deputetë, ne si Lëvizje për Bashkim kundërshtojmë veprimet e fundit në Çarshinë e Madhe dhe fuqishëm kërkojmë ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, pasi që si shoqëri jemi treguar shumë të përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë së pakicave ndërsa mjaft indiferent (siç po tregon edhe ky rast) ndaj vlerave tona.

Ju faleminderit!

Aurora Bakalli, deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë,

8.11.2012