×

​E para përpjekje e pakundërshtueshme për shkombëtarizim të shqiptarëve në Kosovë

20.05.2008 · Shukri Klinaku



Formulimi i ligjeve është mjeshtëri e madhe. Duhet gjetur mjeshtri i madh, i cili në ligjin për festat shtetërore të Kosovës, ndërmjet ndalesave që ngrit Pakoja e Ahtisarit, të futë edhe 28 Nëntorin si festë kombëtare të kombit shumicë (absolute) të Kosovës


Në projektligjin për festat në Republikën e Kosovës, të cilin e ka përpiluar Qeveria e Kosovës, nuk gjendet 28 Nëntori. Për të gjithë ata që i lexojnë drejt dokumentet politike kjo nuk është befasi. Por kjo është befasi për shumë njerëz që kanë besim te politikanët që i kanë votuar. Madje, mund të jetë befasi edhe për disa (shumë) politikanë që nuk lodhen për t’i lexuar drejt dhe seriozisht letrat që i mbajnë nën sqetull.

Tjetërsimi

Qeveritarët e sotëm dhe të gjithë ata politikanë tjerë shqiptarë të Kosovës të cilët thonë se kjo është “zgjidhja optimale”, apo “zgjidhje kompromisi” etj., duhet ta dinë se kjo në radhë të parë është përpjekja e parë për tjetërsim të shqiptarëve dhe në radhë të dytë zgjidhje naive.

Pse tjetërsim? Sepse, për një pjesëtar të një kombi festa më e madhe është dita kur ai komb ka arritur njohje ndërkombëtare me një organizim sublim, siç është shteti. Për ne shqiptarët ajo ditë është 28 Nëntori. Tash njeriu këtu do të mund të numëronte një mori faktesh historike, politike, etj. , megjithëse për to një politikan “modern” do të mund të thoshte se janë “histori e thatë”, “emocion” apo “romantizëm”. Le ta quajë ky politikan këtë si të dëshirojë, por nëse mua një qeveri ma mohon festën më të madhe të shqiptarëve, nëse ma shkëput historinë që e kam mësuar deri më tani, nëse ma shkëput emocionin e kujtimit për Adem Jasharin e Bahri Fazliun që vdiqën me flamurin dhe për flamurin kuq e zi, nëse më bën privacione tjera të këtij lloji, unë i quaj përpjekje për tjetërsim.

Pse është naive? Sepse, për t’u tjetërsuar (shkombëtarizuar) ne shqiptarët e Kosovës kemi pasur oferta edhe më herët, madje edhe më të ëmbla. Me fjalë tjera, pse fatura e shkombëtarizimit tonë u desh të kushtojë rreth 12000 jetë njerëzish dhe pse e desh të presim kaq vite, me kaq shumë vuajtje për t’u shkombëtarizuar, pasi kemi pasur oferta edhe më herët.

Mashtrimi

Politikanët e Kosovës edhe një herë i gënjyen dhe i mashtruan votuesit e vet. Madje, në lidhje me flamurin politikanët e Kosovës i kanë gënjyer dhe i kanë mashtruar edhe bashkëpartiakët e tyre . Ja dy nga gënjeshtrat e këtyre politikanëve: “Flamuri kombëtar mbetet kombëtar, ndërsa ky i kaltri është shtetëror”. Dikush nga politikanët e ka përdorur edhe gënjeshtrën tjetër: “Vetëm sa për OKB e kemi këtë, se kuptohet, flamuri jonë është ai që ka qenë gjithmonë”.

Nuk është befasuese që këta politikanë edhe pas aprovimit eventual të ligjit për festa të vazhdojnë me gjepura të ngjashme. Për shembull, kjo mund të jetë gënjeshtra e radhës: “Qeveria vetëm si ditë pushimi shtetëror nuk e ka llogaritur 28 Nëntorin, përndryshe ne nuk e ndalojmë atë. Qytetari mund ta festojë e të kënaqet me të...”

Rreziku

Të gjithë shqiptarët, edhe ata që i janë druajtur gjëmës së tjetërsimit, i janë gëzuar pavarësisë nga Serbia edhe të një pjese të tokave shqiptare. Mirëpo, nëse qeveria e Kosovës nuk ndërpret hapat e tjetërsimit të shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë, e fut Kosovën dhe më gjerë në rreziqe të mëdha. Sot do të përmend vetëm një rrezik, që nuk është më i madhi, e ai është mospranimi i flamurit të kaltër. Në vend që flamuri i ri të kuptohet drejt dhe të përqafohet si zgjidhje politike për shkëputjen e Kosovës nga Serbia, ky flamur do të luftohet nga vetë shqiptarët. Ndërsa, protestat dhe manifestimet e ndryshme antiqeveritare, të cilat nuk do të ndalen, nuk po i llogaris në rreziqe.

Zgjidhja

Kuptohet fakti se kjo qeveri ka pranuar „Pakon e Ahtisarit“ dhe nuk do të ndalem pse, qysh, e çka ka për pasojë kjo, sepse nuk dua të flas këtu për zgjidhje radikale. Por nëse dëshirojmë të gjejmë një zgjidhje të çastit dhe të pjesshme, atëherë duhet të lidhemi për faktin që formulimi i ligjeve është mjeshtëri e madhe. Duhet të shtyhet miratimi i ligjit për festat shtetërore të Kosovës dhe duhet gjetur mjeshtri i madh, i cili në këtë ligj e fut edhe 28 Nëntorin, si festë kombëtare të kombit shumicë (absolute) të Kosovës, përkundër ndalesave që i ngrit Pakoja e Ahtisarit.

Për këtë duhet të angazhohen deputetët e pozitës dhe të opozitës në kuvend. Ndryshe, dëshmorët e 10 Shkurtit kanë rënë për këtë çështje; dhe deputetët e këtij mandati rrezikojnë që atyre dëshmorëve t’iu bashkohen edhe të tjerë.

Prishtinë

20.5.2008