×

​EULEX-i, Serbia dhe Pakoja e Ahtisaarit apo reciprociteti, vetëvendosja dhe bashkimi kombëtar

20.09.2009 · Valon Murati



Propozimi i Rohrabacherit, është hapje e dyerve për deklarimin e Sali Berishës. Apo thënë ndryshe, zgjidhja e problemit shqiptaro-serb fillimisht përmes reciprocitetit, e më pas përmes vetëvendosjes për tri komunat serbe në veriun e Kosovës dhe për tri komunat shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, do ta ndryshonte së pari skeletin politiko-juridik mbi të cilën funksionon sot Kosova, do ta bënte Kosovën sovrane dhe do t’i krijonte mundësitë që qytetarët e Kosovës, në këtë rast shqiptarët si popullsi dominuese, të deklaroheshin për bashkimin me Republikën e Shqipërisë.


  1. Protokolli i marrëveshjes së EULEX-it me Serbinë për bashkëpunim në fushën policore edhe njëherë i ka “nxehur” gjakrat në Prishtinë dhe ka ngritur sërish pyetjet rreth rolit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe sidomos të EULEX-it. Në njërën anë kemi reagimet e qeveritarëve tanë që pohojnë se vetëm Kosova ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, e në anën tjetër EULEX-in, që pohon se ka “nga pak” edhe autoritet ekzekutiv në Kosovë, dhe se këtë marrëveshje nuk po e nënshkruan në emër të Kosovës por të vetin. EULEX-i këtë marrëveshje po e nënshkruan në logjikën e Marrëveshjes së gjashtëpikëshit, që mbi të gjitha e përcakton ELUEX-in si “neutral” ndaj statusit dhe busull orientuese të punës së vet e përcakton Rezolutën 1244 (tash paramendo sa mund të jetë dikush neutral ndaj statusit kur e respekton Rezolutën 1244). Madje me këtë marrëveshje EULEX-i drejtpërdrejtë prek në sovranitetin e Kosovës, duke i marrë asaj kompetenca në një fushë shumë të rëndësishme – atë të policisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Reagimet e Qeverisë nuk dallojnë prej atyre ndaj marrëveshjes së gjashtëpikëshit. Ato janë reagime të qullëta, të bëra për ta qetësuar opinionin publik, dhe jo për t’ia “treguar dhëmbët” EULEX-it se kush është sovran në këtë vend. Është e njëjta logjikë e refuzimit të pranimit të realitetit dhe e refuzimit të marrjes me këtë realitet për t’i zgjidhur problemet reale të këtij vendi. Qeverisë sonë i mjafton të thotë “Jo” e të mos veprojë asgjë në drejtim të ndalimit të realizimit të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Kështu krijohet përshtypja se çdo gjë është në rregull: populli mashtrohet se qeveria jonë është shumë e vendosur ta mbrojë sovranitetin, presioni i opinionit publik fillon të bjerë dhe EULEX-i e nënshkruan pa problem edhe këtë marrëveshje. E njëjta situatë ishte edhe kur u mbajtën zgjedhjet lokale serbe për komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës në Graçanicë dhe në Gorazhdec javën e kaluar. Nuk ka dyshim se qeveria jonë nuk e ka për zemër që një shtet tjetër të organizojë zgjedhje në shtetin e vet, por reagimi i saj ishte aq i plogësht, sa që mbajtja e tyre edhe njëherë tregoi se qeveritë tona e kanë ende problem të dalin nga logjika e të qenit institucione të përkohshme që për të gjitha gjërat duhet të marrin aminin e ndërkombëtarëve në Kosovë.
  2. Sidoqoftë, këto ngjarje të fundit tregojnë për një situate më delikate dhe më problematike sesa që u përshkrua më lart. Edhe veprimet e qeverisë sonë, edhe ato të asaj serbe, por edhe të ndërkombëtarëve e kanë shkakun e vet real. Dhe shkaku themelor qëndron në faktin se kapitulli i problemeve shqiptaro-serbe nuk është mbyllur, por qëndron hapur dhe i rri si ferrë në këmbë përpjekjeve për ta konsoliduar sovranitetin e Kosovës. Si rrjedhim i këtyre marrëdhënieve problematike del edhe njëherë në pah brishtësia e shtetit të ri të Kosovës. Vërtetohet edhe njëherë se shtyllat mbi të cilat po ngrihet ky shtet (si Pakoja e Atisarit dhe Kushtetuta e Kosovës), janë të dobëta dhe e kanë vështirë ta mbajnë si duhet këtë ngrehinë shtetërore. E mu këto shtylla janë projektuar kinse për ta zgjidhur kontestin shqiptaro-serb. Pra, reagimi i qeverisë sonë nuk mund të analizohet ndarazi prej rregullimit politiko-juridik mbi të cilin funksionon ajo dhe shteti i Kosovës. Këtij rregullimi kjo garniturë politike po i mbetet besnike deri në absurd, duke e bërë që t’i nënçmojë rreziqet që i kanosen Kosovës nga Serbia, dhe duke i mbetur servile deri në pakuptimësi ndërkombëtarëve. Garnitura jonë politike (pozitë dhe opozitë), e lidhur pas Pakos se Atisaarit, ia ka pamundësuar vetes që të ofrojë zgjidhje për problemin shqiptaro-serb, që është zemra dhe shpirti i stabilitetit të Kosovës. Për zgjidhjen e këtij problemi, duhet edhe guxim, edhe invencion politik.
  3. Sidoqoftë, njëkohësisht me këtë zallahi politike të kundërshtimeve boshe të veprimeve të EULEX-it dhe të veprimeve të Serbisë në Kosovë, po ndodh edhe një debat rreth dy çështjeve të ngritura nga dy personalitete të ndryshme, në dukje pa ndonjë lidhje në mes vete, por që në esencë janë kontributi kryesor për zgjidhjen e kontestit shqiptaro-serb dhe e çështjes së Kosovës në përgjithësi. I pari debat është ngritur nga kongresisti Dana Rohrabacher rreth “shkëmbimit të territoreve” në mes të Kosovës dhe të Serbisë, dhe i dyti nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, rreth bashkimit kombëtar. Kongresisti amerikan propozoi që qytetarët në vendbanimet me shumicë serbe në veriun e Kosovës të kenë të drejtë të deklarohen se a duan t’i bashkohen Serbisë dhe gjithashtu që qytetarët në vendbanimet me shumicë shqiptare në Kosovën Lindore njësoj të kenë të drejtë të deklarohen nëse duan të bashkohen me Kosovën. Këtë propozim që kongresisti e quan “shkëmbim territoresh”, vetëm në formë duket i tillë sepse në thelb ai përshkruan këtë koncept krejtësisht duke përfillur parimet e vetëvendosjes së kombeve. Dhe nuk ka dyshim se duke respektuar vetëvendosjen për tri komunat në veriun e Kosovës, ku serbët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë dhe duke vepruar njësoj për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën, problemi shqiptaro-serb do të zgjidhej. Sidoqoftë, për të arritur deri tek kjo zgjidhje ka shumë hapa të tjerë më të vegjël që do të duhej realizuar ndërkohë. Duke pranuar një situatë ende të pafavorshme ndërkombëtare për këtë zgjidhje dhe qëndrimin shovinist të Serbisë që synon të marrë pjesë të Kosovës, si në Kosovën qendrore ashtu edhe në lindje të saj, politikanët tanë në Kosovën Lindore, në Prishtinë, por edhe në Tiranë do të duhej që në këtë faze të insistonin në parimin e reciprocitetit. Dhe reciprocitet do të duhej kërkuar në dy drejtime. Së pari, për ta zgjidhur problemin e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrave përreth qeveria jonë me ngulm do të duhej të insistonte në zbatimin e parimit të reciprocitetit kur trajtohet çështja e kthimit të të larguarve nga shtëpitë e tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Duke qenë shumë të hapur për kthimin e serbëve kudo që ata kanë jetuar në Kosovë, qeveritarët tanë do të duhej të insistonin në kthimin e qytetarëve shqiptarë në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, ku ende shumica e shqiptarëve i kanë pronat e tyre dhe ku shqiptarët para luftës ishin 70%. Duke qenë kthimi një e drejtë elementare njerëzore, ajo në këtë rast do të ndihmonte edhe në zgjidhjen e një problemi politik shumë të mprehtë: atij të veriut të Mitrovicës. Në anën tjetër qeveria e Kosovës do të duhej që të krijonte një ekuivalencë në trajtimin e problemeve të serbëve të Leposaviqit, Zubin-Potokut e Zveçanit dhe të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Serbët në tri komunat veriore dhe shqiptarët në tri komunat në Kosovën Lindore do të duhej trajtuar si komb, për shkak të karakteristikave që i kanë, e mbi të gjitha sepse janë shumicë në territorin ku jetojnë dhe kanë vazhdimësi territoriale me pjesët përkatëse të kombeve të tyre. Kështu do të bëhej e qartë se brenda Kosovës serbët e mbetur trajtohen si pakicë dhe për ta do të zbatohen të gjitha të drejtat e garantuara me standardet më të larta për të drejtat e pakicave. Në anën tjetër do të kërkohej që në këtë fazë të gjitha të drejtat që u jepen serbëve në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok t’iu jepen edhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo situatë domosdo do të çonte në relaksim të marrëdhënieve dhe në mundësinë që në të ardhmen të zbatohet vetëvendosja. Normalisht, deri tek ky moment politik nuk mund të arrijmë pa një aktivizim të politikës së shqiptarëve në Kosovën Lindore. Pas debatit të fundit ka shenja pozitive për një ngjallje të politikës shqiptare në Kosovën Lindore përderisa Prishtina dhe Tirana zyrtare ende janë larg në këtë drejtim.
  4. Debatin tjetër, atë rreth bashkimit kombëtar, e ngjalli kryeministri shqiptar Sali Berisha. Në prononcimet e fundit të tij, rreth polemikave që së fundmi shkaktoi për animet e tij ose jo ndaj partive të caktuara politike në Kosovë (si kryeministër i Republikës së Shqipërisë ai do të duhej të ishte i kujdesshëm kur bëhet fjalë për luftën për pushtet që zhvillohet në Kosovë, përderisa si kryetar i PD-së është krejtësisht e ligjshme që ai të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me ato parti që ai i sheh më të afërta, madje edhe ky bashkëpunim mund të shihet në logjikën e integrimeve brendashqiptare, kur parti me pikëpamje të afërta krijojnë një bashkëpunim më të afërt politik) ai e shpjegoi edhe pikën thelbësore që do të duhej t’i bashkonte të gjitha partitë politike shqiptare: atë të bashkimit të kombit. Kryeministrit shqiptar do t’i takojë pa dyshim merita që këtë debat dhe vetë togfjalëshin e stigmatizuar me vite “bashkim kombëtar” e futi sërish në jetën tonë të përditshme përmes dyerve të mëdha. Në të vërtetë, kryeministri shqiptar edhe me këtë rast ishte konsistent në qëndrimet e shtetit shqiptar se ai respekton vullnetin e politikës dhe qytetarëve të Kosovës. Andaj ai disa herë theksoi se me liderët kosovarë do ta bëjmë bashkimin dhe se dy qeveritë tona do t’i kryejnë të gjitha punët në fushën e integrimeve kombëtare, që shqiptarët të ndjehen si një komb. Çka po ndodh me shtetin shqiptar dhe me atë që po fillon të ravijëzohet çdo herë e më qartë, se shteti shqiptar është i interesuar dhe favorizon integrime të thella kombëtare, pse jo deri në bashkim në një shtet të vetëm? Shteti shqiptar është në fazën e konsolidimit pas një tranzicioni shumë të rëndë politik dhe ekonomik. Në këtë konsolidim integrimet kombëtare dhe bashkimi kombëtar janë një interes vital i shtetit shqiptar dhe i kapitalistëve ende të brishtë shqiptarë. Kështu, bashkimi kombëtar, që dikur njësohej vetëm me lirinë kombëtare dhe me çlirimin kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi, sot po e merr edhe dimensionin racional, atë të interesit ekonomik, të rritjes së mirëqenies ekonomike dhe të ngritjes së cilësisë së jetesës për qytetarët tanë. Rruga që ka ofruar Kosovën me bregdetin shqiptar, komunikimi në rritje në të gjitha fushat, interesat e përbashkëta ekonomike, të sigurisë dhe politike, si dhe barrierat administrative që ende ekzistojnë dhe që po e pengojnë këtë bashkëpunim, kanë bërë që shteti shqiptar të vetëdijesohet logjikisht i pari, se duhet punuar menjëherë që këto barriera të hiqen dhe që komunikimi të rritet. Nuk ka dyshim se kur të arrihet një nivel i lartë i integrimeve ekzistimi i dy administrative të një kombi do të bëhet pengesa e radhës, që natyrshëm do të hiqej me vullnetin sovran të shqiptarëve. Nuk ka dyshim se edhe ky rrugëtim nuk është i lehtë, sidomos për shkak të kufizimeve edhe kushtetuese që i ka Kosova. Por propozimi i Rohrabacherit është hapje e dyerve për deklarimin e Sali Berishës. Apo, thënë ndryshe, zgjidhja e problemit shqiptaro-serb fillimisht përmes reciprocitetit, e më pas përmes vetëvendosjes për tri komunat serbe në veriun e Kosovës dhe për tri komunat shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, do ta ndryshonte së pari skeletin politiko-juridik mbi të cilën funksionon sot Kosova, do ta bënte Kosovën sovrane dhe do t’i krijonte mundësitë që qytetarët e Kosovës, në këtë rast shqiptarët si popullsi dominuese, të deklaroheshin për bashkimin me Republikën e Shqipërisë. Por pa dyshim se integrimet kombëtare, hapi deri në bashkim, nuk do të duhej të pengoheshin nga ky rregullimi i sotëm i Kosovës. Për me tepër, këto integrime do të duhej të ishin ai hapi që do të duhej ta vetëdijesonte garniturën tonë politike mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve të thella që i nevojiten Kosovës në drejtim të stabilizimit përfundimtar të jetës në të. Të gjitha përpjekjet e tjera për ta forcuar sovranitetin e Kosovës me këtë rregullim politiko-juridik do të shkojnë në pakthim. Ato vetëm do ta rrisin pakënaqësinë e qytetarëve të Kosovës dhe nuk do të kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Përkundrazi: do t’i rrisin tensionet politike dhe ato ekonomiko-sociale.

Prishtinë, 20.8.2009