×

Këtu, e keqja është më e madhe!

20.11.2008 · Avni Klinaku



E tërë ajo që ndodhi e po ndodhë pas marrëveshjes tanimë “të njohur” OKB-Serbi prej gjashtë pikave dhe marrëveshjes tre pikësh BE-OKB-Serbi duhet të na alarmojë të gjithëve.

Gjashtë pikat e Ban Ki Mun-it mbahen akoma top secret!

Tri pikat në lidhje me EULEX-in publikohen pa problem.

Katër pikat e Qeverisë së Kosovës, ngjarje e mediave!

Pse fshihen me kaq fanatizëm gjashtë pikat e Ban Ki Mun-it? A mos ndoshta me publikimin e tyre numri i demonstruesve në Prishtinë do të ishte dhjetëfish më i madh dhe ne vend të pankartave e flamujve do të mbanin armë nëpër duar? A mos ndoshta me publikimin e gjashtë pikave të Ban Ki Mun-it, katër pikat qesharake të Qeverisë së Kosovës do të ishin katër pikat e dorëheqjes së tyre dhe në vend se të shëtisnin nëpër metropolet evropiane kush e di se ku do të mund të ndodheshin?

Në histori ka shembuj kur publikimi i planeve të fshehta i ka prishë vet planet e planeve.

(Më 1915 kur u publikua plani i fshehtë i Fuqive të Mëdha të kohës i arritur në konferencën e ambasadorëve në Londër e shpëtoi Shqipërinë nga ricopëtimi).

Megjithatë populli demonstroi kundër gjashtë pikave. Mbi tridhjetë mijë demonstrues i thanë jo planit gjashtëpikësh. Ata e dinin se çka do që të vijë nga Serbia aktuale është në dëm të Kosovës. Prandaj edhe demonstruan. Dhe bën shumë mirë. Por, kujt i thanë ata JO dhe kujt do t’i thonin PO, këtë nuk mund ta thotë askush me saktësi.

Mbi tridhjetë mijë njerëz “u manipuluan” në qendër të Prishtinës (askush nga ata nuk e ka parë planin e fshehtë!). Nuk manipuluan nga organizatorët, sepse edhe ata vetë ishin objekt i këtij manipulimi (as organizatorët nuk e kanë parë planin e fshehtë!). Objekt i këtij manipulimi, si mbështetës dhe pjesëmarrës isha edhe unë (as unë nuk e kam parë planin e fshehtë). Dhe, në fund të fundit, kjo nuk ka pasur si të jetë ndryshe kur krejt shoqëria kosovare është e manipuluar (nuk e ka parë planin e fshehtë!). Madje çka është më e keqja krejt shoqëria është e manipuluar nga vetëm dy njerëz!

Sa më tepër që të mbahet i fshehtë plani gjashtëpikësh i OKB-së aq më të mëdha janë gjasat për zbatimin e tij në terren, përkundër JO-së sonë. Kjo është kështu sepse skena politike e Kosovës mbetet e ndarë dhe përçarë nëpër JO të ndryshme. Kemi JO-në e Qeverisë dhe përpjekjet e saj që veriu t’i kthehet Kosovës me anë të komunitetit ndërkombëtar. Kemi JO-në e Ramush Haradinajt dhe opsionin e tij për kthimin e veriut nën integritetin territorial të Kosovës me një plan konkret ku mund të përfshihet edhe forca. Kemi JO-në e Vetëvendosjes! dhe planin e saj për kthimin e veriut nën integritetin e Kosovës edhe me ndihmën e KFOR-it, por edhe me ushtrinë e policinë tonë (TMK - ushtri, policia nën komandën tonë). Kemi edhe JO-në e Lëvizjes për Bashkim e cila mendon se edhe po të ishte i mundur kthimi i veriut nën integritetin territorial të Kosovës kjo nuk do ta zgjidhte çështjen e veriut të Kosovës, por vetëm zbatimi i të drejtave të njëjta si në veriun e Kosovës ashtu edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë do të ishte zgjidhje. Dhe kështu populli mbetët me shumë JO dhe me shumë PO.

Përderisa do të kemi kaq shumë JO dhe përderisa të mos e kemi një PO unike, pra përderisa për çështjet kapitale të këtij vendi nuk kemi një strategji të përbashkët kombëtare, ose edhe më keq nuk jemi unik rreth asaj që quhet interes kombëtar, planet e huaja jo vetëm që do të mbeten të fshehta, por edhe do të zbatohen pa ndonjë vështirësi të madhe.

Prishtinë, 20.11.2008