×

​Korrupsioni është luftë e humbur për Ju, z. kryeministër!

09.06.2010 · Driton Avdiu



Sot kryeministri i vendit na u drejtua neve qytetarëve me një flamur që e ka ngritur lart tash e sa ditë – flamurin e luftës kundër korrupsionit. Por ç’i ndodhi kryeministrit që ta shpallë veten prijatar të luftës kundër korrupsionit, vetëm pak ditë që nga paraqitja publike në RTK kur e akuzoi EULEX-in, të njëjtin mekanizëm që sot e uron dhe e mbështet në këtë luftë, se po e linçon një ministër – njeriun e dytë në partinë e tij. Atë ditë aksioni i EULEX-it ndaj ministrit të ministrisë më të përfolur për korrupsion ishte interpretuar si “përpjekje për linçim”. Përfundimisht, sonte kryeministri e ndërroi plotësisht pllakën.

Kjo paraqitje e kryeministrit u pasua nga disa paraqitje të tjera publike të kryeparlamentarit dhe të kryetarit të shtetit që shkuan në të njëjtën vijë me paraqitjet e kryetarit të qeverisë.

Kryeministri Thaçi nuhati diçka që po duket sheshazi. Çekani antikorrupsion do të godasë në krye të kabinetit të tij. Duke e pasur të qartë këtë nga takimet e mbyllura që mbajti ditëve të fundit me krerët e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, kryeministri po e bën një përpjekje të çastit të fundit që të shkëputet nga darët e dyshimeve të mëdha për korrupsion.

Por a mund ta bëjë këtë vetëm me një paraqitje 10-15 minutëshe në televizion? A mund ta zhdukë një paraqitje disaminutëshe në opinion atë që është ngulitur fort në bindjet e qytetarëve të përditshëm të Kosovës tani e disa vjet me radhë?

Kryeministri e di mirë që këtë nuk mund ta arrijë, por kur është në pyetje humbja e madhe e besimit së qytetarëve në të dhe në politikën e tij, ia vlen gjithsesi të bësh një provë. Një tentim që qoftë edhe simbolikisht tregon se ja edhe kryeministri e ka seriozisht në luftën kundër korrupsionit.

Por paraqitja e sotme e kryeministrit na detyron t’ia themi troç disa fjalë. Kjo betejë është e humbur për Ju, z. kryeministër! Le të hetohen 100, 200 a 2000 zyrtarë institucionalë nga cilado periudhë e pasluftës qoftë. Do të mbetet e shënuar në analet e historisë se në periudhën e mandatit tuaj institucionet e këtij populli u vërshuan nga hetuesit policorë të EULEX-it. Sado politike që tentoni t’i paraqisni këto bastisje (dhe pa dyshim se do të shfrytëzohen nga qarqe ndërkombëtare edhe për arritjen e objektivave të veta politike) është e vërtetë e pakontestueshme se dyshimi për keqpërdorime të pakufi i pushtetit politik për përfitime të paligjshme pasurore nga anëtarët e kabinetit Tuaj ishte magneti që solli autoblindat e EULEX-it para dyerve të institucioneve të shtetit.

Populli ynë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton që institucionet që do të duhej të mbronin interesat e tij të shndërrohen në caqe policore dhe gjyqësore të institucioneve të huaja të drejtësisë; populli ynë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton shpërdorimin që po i bëhet sot djersës, mundit dhe gjakut të tij; populli ynë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton shkatërrimin e shpresës për një të ardhme më të mirë. Kjo po ndodh tani. Dhe kjo ju bën humbës, z. kryeministër.


Driton AVDIU

Sekretar për Marrëdhënie me Publikun i Lëvizjes për Bashkim

Prishtinë, 9.6.2010