×

LB me plan për zgjidhje të qëndrueshme

14.04.2016 ·



Sot, në një konferencë për medie, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, z.Valon Murati, shpalosi planin dypikësh të LB-së lidhur me nevojën për ndërtimin e mekanizmave për të arritur zgjidhje të qëndrueshme për çdo situatë në të ardhmen dhe parandalimin e krizave institucionale.

Gjithashtu kryetari Murati, njoftoi mediat se sot i ka dërguar letër të gjithë liderëve të partive politike shqiptare në Kosovë, me ftesën për takime të ndara, lidhur me këtë çështje.

Më poshtë janë pikat e letrës dhe propozimit të LB-së për zgjithjen e qëndrueshme:

• Lëvizja për Bashkim konsideron se situata politike në të cilën është zhytur vendi në muajt, por edhe vitet e fundit është e dëmshme për interesin shtetëror, kombëtar, dhe atë të jetës së përditshme të qytetarit. Çdo masë e përkohshme në funksion të qetësimit të gjendjes mund të prodhojë vetëm rezultate të përkohshme. Pra, qetësim të situatës por jo edhe zgjidhje të saj. Për të arritur zgjidhje të qëndrueshme duhet t’i qasemi shkaktarëve të problemeve. Në këtë drejtim, Lëvizja për Bashkim, propozon një plan me dy hapa, në të cilin, të gjithë faktorët politik në vend do të duhej ta japin kontributin e tyre. Hapi i parë është fillimi i dialogut për reformën zgjedhore dhe, hapi i dytë, instalimi i Tryezës së Liderëve. Qëllimi kryesor i këtij plani është shmangia e praktikës së menaxhimit të krizave dhe marrja e masave për parandalimin e tyre.

• REFORMA ZGJEDHORE Lëvizja për Bashkim, duke evidentuar probleme të ndryshme që prodhon sistemi aktual, konsideron se duhet të organizohet një seri takimesh midis liderëve të partive politike ku do të diskutoheshin çështjet në vazhdim:

- Forma e listave zgjedhore. Forma aktuale prodhon deformim të votës, korrupsion elektoral, rënie të cilësisë etj.;

- Çështja e pragut zgjedhor. Pragu aktual e deformon demokracinë përmes pamundësimit të përfaqësimit të një numri të madh të qytetarëve në institucione, ngufatë iniciativa të reja, etj.

- Mundësia e votimit të qytetarëve tanë që jetojnë në diasporë. Është padrejtësi e madhe t’u pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje qytetarëve tanë në diasporë kur, në radhë të parë, kjo përbën të drejtë të pamohueshme dhe, së dyti, kur dihet kontributi i vazhdueshëm i tyre për vendin.

- Mënyra e zgjedhjes së presidentit. Sistemi aktual përbën burim të vazhdueshëm të krizave institucionale dhe hapësirë për t’u kontestuar legjitimiteti i tij.

- Të diskutohet çështja e pastrimit të listave zgjedhore. Edhe pse kjo nuk është çështje e reformës zgjedhore por detyrë e vazhdueshme e institucioneve përgjegjëse, do të duhej të diskutohej vendosja e këtij veprimi si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve.

• TRYEZA E LIDERËVE Duke qenë së situata politike në vend ka degraduar shumë, sidomos për shkak të mungesës së komunikimit, e si rrjedhojë mungesës së konsensusit politik në mes të forcave politike për çështje me interes kombëtar; dhe, me qëllim të shmangies së situatave të tilla në të ardhmen, Lëvizja për Bashkim propozon themelimin e Tryezës së Liderëve. Kjo tryezë, që do të përbëhej nga kryetarët e subjekteve politike shqiptare, do të ishte e përhershme dhe do të trajtonte në vazhdimësi, sipas nevojës, çështje të tilla të rëndësishme.