×

​Letër Prokurorit të shtetit dhe votuesve të Obiliqit!

12.11.2013 · Shukri Klinaku



Motivi

Këtë shkrim ua drejtoj: Prokurorit të shtetit, votuesve të Obiliqit, rivalëve të mi në garën zgjedhore,“liderëve të Kosovës” (se shumë kanë qejf të quhen liderë) dhe dashamirëve të mi në Obiliq. Kam kandiduar për kryetar të komunës së Obiliqit me të vetmin qëllim: që Obiliqin ta bëjë komunën me të zhvilluar (nëpërmjet kursimit, mirëqeverisjes dhe rritjes së buxhetit komunal) dhe me qeverisje ligjore. Mora rreth 16% të votave dhe nuk jam në balotazh. Me këtë rezultat, mbeti pa u realizuar dëshira ime për Obiliqin; dhe mua, sikurse e kam thënë gjatë tërë fushatës së ngjeshur në dialog me qytetarët, më mbeti të vazhdoj me punët e mia që shumë i dua dhe që më sjellin dyfishin e të ardhurave personale krahasuar me ato që do t’i merrja si kryetar i komunës së Obiliqit; madje me një angazhim më të vogël dhe më komod. I them këto, për të theksuar motivin e këtij shkrimi; pra edhe këtë e shkruaj për Obiliqin dhe për një proces të pastër zgjedhor dhe jo, as edhe pak, për interesat e mia të ngushta personale.

Prokurorit të shtetit

Prokuroria dhe organet tjera të shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve si asnjë herë më parë. Kjo edhe ka prodhuar efekte pozitive. Mirëpo, çka ndodhi? Kriminelët e procesit zgjedhor ndërruan taktikën e punës. Veprimet inkriminuese që bëheshin haptazi, i futën pak më thellë – nën rrogoz, në mënyrë që të mos bien shpejt në sy të masës dhe në vesh të policisë dhe prokurorit. Në Obiliq do të instalohet një qeverisje, e cila ka fituar më 3 nëntor 2013 dhe do të fitojë më 1 dhjetor 2013 me veprime të tilla kriminale ndaj procesit zgjedhor. Pak para dhe më 3 nëntor 2013, në Obiliq janë blerë mijëra vota. Kush janë blerësit dhe kush shitësit e votave? Blerësit janë LDK-ja, AAK-ja dhe PDK-ja. Ndërsa sa për shitësit, nëse është e interesuar prokuroria do t’ia jap mendimin tim dhe provat e mia. Po ku isha unë deri më sot? Pse nuk fola më herët? Vërtet për KQZ-në është vonë, por për prokurorinë nuk është vonë. Pastaj, shumica e veprimeve inkriminuese u bënë nën rrogoz dhe u qartësuan pak pas numërimit të votave.

Votuesve të Obiliqit

Bashkësia e votuesve në Obiliq në zgjedhjet e 3 nëntorit ishte më e madhe se zakonisht. U rritë për shkak të përgjigjes së serbëve në një masë dhe për disa shkaqe tjera që mund të supozohen. Anatomia e kësaj bashkësie prej rreth 12 mijë njerëzish duket përafërsisht si në vijim. Mbi 1000 votues ishin serbë dhe romë, ashkali e egjiptian, për votën e të cilëve nuk do të flas. Afër 2000 votues besuan në Obiliqin pa korrupsion, me qeverisje ligjore dhe me zhvillimin më të madh në vend – të cilët më votuan mua për kryetar; këta votuan pa ndonjë interes të ngushtë, votuan vetëm me bindjen se unë do ta realizoj programin e shpalosur për krejt Obiliqin. Po rreth 8000 votues që votuan për PDK-në, LDK-në dhe AAK-në me çfarë bindje votuan? Në çka besuan ata kur hodhën votën në kutinë e votimit? Rreth 2500 prej tyre janë anëtarë të këtyre partive dhe votues-tifozë. Rreth 1000 ishin të shantazhuar për shkak të ndonjë rrethane nga krerët e këtyre partive. Ndërsa mbetja, që janë rreth 4500 vota janë blerë. Rezultati tregon se në tregun e votave më të suksesshme u treguan AAK-ja dhe LDK-ja. Rreth 1500 prej tyre janë blerë (korruptuar) me premtime pozite apo të një interesi tjetër. Ndërsa, rreth 3000 vota janë blerë në treg të pastër – blerje me para në dorë.

Rivalëve të mi – kandidatëve për kryetar të Obiliqit

Në fillim le të dihet se, me këto fjalë u drejtohem vetëm kandidatëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Ju rivalët e mi në fushatë, kryesisht jeni jargosur për vota dhe keni bërë premtime personale për votuesit, të cilat veprime janë tregues të sigurt se qëllimi i kandidimit për kryetar është interes personal i juaji dhe asgjë tjetër. Tani u drejtohem vetëm kandidatëve që u mjaftuan votat e blera për të hyrë në balotazh. Ju keni futur shumë para për t’i fituar zgjedhjet. Fituesi do ta fitojë lotarinë; do ta fitojë “të drejtën” që paratë e shpërndara te një pakicë njerëzish për blerje të votave, t’i kthej duke ua marrë të gjithë qytetarëve të Obiliqit nga buxheti i tyre – shumëfish. Me sarkazëm mund të thotë dikush, po nuk ka të keqe, popullit ia dha – popullit po ia merr! Mirëpo, e keqja e parë e madhe është se këta kandidatë i dhanë të hollat e buxhetit për këmbim të votës, d.m.th. u ble pushteti; e keqja e dytë, iu dha një pakice (sepse edhe pagesat për vota janë bërë me sistem piramidal) dhe do t’i merren të gjithë qytetarëve; e keqja e tretë është se i futën disa qindra mijëra, për të marrë disa milionë euro. Pra, në Obiliq është blerë vota dhe si pasojë do të instalohet një pushtet, që në radhë të parë do të ketë interesin personal të një grushti njerëzish (kryetari, nënkryetari, e ndonjë drejtor) të cilët do të vazhdojnë të vjedhin paratë e çerdheve, paratë e shkollave, paratë e shëndetit tonë, paratë e rrugëve tona, paratë e trotuareve dhe ndriçimeve të rrugëve; pra pushtet që do të vjedh përparimin e Obiliqit dhe ardhmërinë e tij. Ju do t’i bëni këto se keni marrë “të drejtën” nga qytetarët që i keni blerë.

“Liderëve” të Kosovës

Ju, “liderët” e Kosovës, që në të vërtetë jeni kryetarë të partive politike, jeni zanafilla e shkeljeve ligjore dhe të proceseve zgjedhore. Ju, gjatë proceseve zgjedhore, nuk bëni plane për zbatim të ligjit për zgjedhjet, por jepni instruksione militantëve tuaj se si të grabisin sa më shumë vota, pa marrë parasysh ligjin, në mënyrë që ju të jeni “më lider” se tjetri. Ju, të hollat e përvetësuara nga buxheti publik (në segmentet e pushtetit ku keni qasje) i shpërndani për kandidatët që ata të blejnë vota. Do të ishte mirë që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ta shpjegojë para prokurorit të shtetit rregullën e brendshme partiake, sipas të cilës degët e LDK-së, të cilat janë në udhëheqje të komunave do ta financojnë vetë fushatën zgjedhore. Sepse leximi i këtij vendimi është i qartë: degët e LDK-së që kanë udhëhequr komunat kanë vjedhur mjaftueshëm për ta financuar blerjen e serishme të pushtetit, prandaj nuk kanë financim nga thesi i qendrës.

Dashamirëve të mi në Obiliq

Dashamirë të mi në Obiliq! Ju jeni më shumë në numër se sa që më votuat më 3 nëntor. Ne punuam shumë që të fitojë Obiliqi. Punuam shumë, bashkërisht, pa interes dhe pa fonde. Dega e LB-së në Obiliq ka punuar me zero euro në arkë. Ato pak reklama që janë varur i ka shtypur qendra. Aktiviteti tjetër ka qenë modest (sa i përket çmimit financiar), por ato që janë shpenzuar krejtësisht janë mbuluar me të hollat e bartësve të aktivitetit. Pra, nuk është paguar ndokush, por vetëm se ka shpenzuar – për aq sa është angazhuar. Dy rroga të kandidatëve për këshilltarë dhe ditën e zgjedhjeve (pagesa modeste për vëzhguesit dhe ushqimi për vëzhgues e komisionarë) e kanë mbuluar dy anëtarë të kryesisë së degës dhe një mërgimtar. Unë kam respekt shumë për Ju. Në ditën që u lexua rezultati dhe gjithnjë deri më sot, unë vetëm për Ju jam brengosur – sepse dikush prej jush e përballoi rëndë këtë rezultat, ndërsa të gjithëve ju shua një ëndërr që aq afër ishte të realizohej. Ju siguroj se do të vazhdoj të punoj dhe do të jem gjithnjë në mesin Tuaj.

Obiliq, 12.11.2013