×

​Më 3 nëntor votoni si njerëz të lirë!

01.11.2013 · Avni Klinaku



Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

Meqenëse sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore dëshiroj që në emrin tim personal dhe në emër të Lëvizjes për Bashkim të ju falënderoj për mbështetjen që na e keni dhënë gjatë kësaj fushate; dëshiroj gjithashtu t’ju kërkoj falje për çfarëdo shqetësimi që mund t’ju kemi shkaktuar në këtë fushatë.

Të nderuar qytetarë!

Do të kisha dashur që përmes mediave t’ju bëjë thirrje që:

  • Më 3 nëntor të dilni të gjithë e të votoni, sepse, ju, me votën tuaj, mund të ndryshoni gjithçka! Në katër vjetët e ardhshme nga vota juaj varet se kush dhe si do të qeverisë! Mos u ndalni asnjëherë se kërkuari llogari për votën tuaj, sepse kjo është një e drejtë e juaja themelore;
  • Më 3 nëntor të dilni të gjithë e të votoni si qytetarë të lirë! Njerëzit lindin të lirë e duhet të jetojnë e të veprojnë të lirë! Harroni me 3 nëntor të gjitha premtimet e rrejshme, të gjitha presionet, shantazhet e kërcënimet! Merreni guximin e shpërfaqeni veten tuaj: votoni lirshëm vetëm për ata që mendoni se janë më të mirët;
  • Më 3 nëntor të dilni të gjithë e të votoni dhe votoni për ndryshime! Të gjithë qytetarët njëzëri pajtohen se gjendja nuk është e mirë dhe se përparimi në këto katërmbëdhjetë vjet nuk ka arritur as për së afërmi t’i ndjekë zhvillimet e përgjithshme rajonale dhe botërore. Kosovës sa më parë i duhen ndryshime pozitive dhe ndryshimet mund t’i sillni ju me votën tuaj;
  • Më 3 nëntor të dilni të gjithë të votoni dhe të votoni për ndryshime, të cilat në mënyrën më të plotë, më rrënjësore, më të përkushtuar i garanton Lëvizja për Bashkim me kandidatët e saj. Ndershmëria, vullneti, përkushtimi e dija janë kësaj radhe në anën e Lëvizjes për Bashkim. Çdo votë e juaja për kandidatët e Lëvizjes për Bashkim, do të jetë obligim edhe më i madh për ne! Ajo do të administrohet me kujdes të jashtëzakonshëm!

Të nderuar qytetarë!

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto zgjedhje të kalojnë mirë ashtu siç i ka hije një populli të civilizuar! Prandaj, uroj që të kemi zgjedhje qeta, korrekte dhe të suksesshme!

Avni Klinaku

Kryetar i Lëvizjes për Bashkim

Prishtinë, 1.11.2013