20.09.2013 · Aurora Bakalli
Të nderuar deputetë,
Para disa ditësh në mediat tona qarkulloi lajmi se në Kosovë aktualisht mund të jenë deri 20.000 përdorues të drogës. Ekspertë të sigurisë dhe organizata të ndryshme që merren me rehabilitimin e narkomanëve tregojnë për një rritje enorme të numrit të personave të varur nga droga në Kosovë dhe ç’është më keq, kryesisht të rinj. Kosova tanimë nuk konsiderohet vetëm vend transit për drogën por edhe vend destinacioni i saj. Është shumë shqetësuese se edhe në shkollat tona kanë filluar të përdoren substancat narkotike. Sipas raportit të ESPAD (European School Survey Project on Alcohol and the Drugs) të vitit 2011 për Kosovën, një nga dhjetë nxënësit e anketuar raportojnë se mund të vijnë lehtë apo shumë lehtë deri te kanabisi (hashashi). Ndërkohë, gjithnjë duke iu referuar të njëjtit hulumtim, 7% të nxënësve kosovarë kanë përdorur ndonjëherë ndonjë substancë narkotike.
Kjo dukuri dhe shifër alarmante duhet të jetë shqetësuese posaçërisht për njerëzit e pushtetit ngase ata kanë obligim të krijojnë ambient jo të favorshëm për narkomaninë.
Ne kemi rini për të cilën do të na kishte lakmi shumë kush, por kjo rini don orientim dhe trasim në rrugë të mirë që duhet t’i ofrohet në shoqëri.
Ndër hapat konkret që ne si Lëvizja për Bashkim i rekomandojmë dhe që i kemi përmendur edhe më parë janë:
- Krijimi i një departamenti të veçantë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme i specializuar për luftimin dhe parandalimin e delikuencës së të miturve.
- Në shkolla të jenë prezent psikologët, por që t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre.
- Të ketë bashkëpunim të ngushtë dhe të fuqishëm në mes të shkollave, qendrave për punë sociale dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
- Të punohet seriozisht në aktivitetet ekstrakurikulare shkollore, si sportive e kulturore, të cilat do të jenë një mundësi e mirë për angazhimin e të rinjve dhe kështu largimin nga “rrugët e këqija”.
Gjatë këtyre viteve të qeverisjes së vendit për shumë gjëra jemi treguar si popull të pavëmendshëm e të papërgjegjshëm dhe i kemi lënë të marrin kahjen e keqe, por së paku në këtë pikë duhet të jemi të vëmendshëm, të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm sepse nuk guxojmë ta lejojmë shkatërrimin e rinisë sonë, faktikisht të potencialit më të fortë që kemi për zhvillim të vendit.
Ju faleminderit!
Aurora Bakalli, deputete e Kuvendit të Kosovës
Prishtinë, 20.9.2013