×

​Në thumb te EULEX-it dhe nën indiferencën e pushtetit

24.03.2011 · Driton Avdiu



Déjà vu. Tashmë e parë edhe më herët në kronikat televizive dhe në kryetitujt e gazetave më të lexuara. Të lidhur njëri pas tjetrit ish-luftëtarët e UÇK-së nën mbrojtje të rreptë policore përcillen drejt gjykatës së qarkut në Prishtinë. Por menjëherë pas këtyre arrestimeve u shpërfaq edhe një episod tashmë i parë edhe më parë në raste të ngjashme si këto që nga përfundimi i luftës e këtej. Kjo është indiferenca e plotë institucionale në këto ngjarje. Indiferencë kjo nga politikanët që e shfrytëzojnë të kaluarën e tyre në uniformën e UÇK-së për t’u mbajtur në majat e pushtetit.

Ende i kemit të freskëta spotet e fushatës së fundit zgjedhore ku kryeministri aktual radhiste synimet-objektivat e tij në jetë. Njëra nga to ishte largimi i makinerisë pushtuese serbe nga Kosova. Dhe kjo as që mund të paramendohej pa ndikimin e faktorit UÇK. Është e papranueshme që të thirresh në vlerat e luftës vetëm kur ua ke nevojën dhe të kthesh kokën mënjanë e t’i futësh “veshët në lesh” në momentet kur këto vlera kontestohen rëndë. Pa marrë parasysh bazën e këtyre fletë-arresteve opinioni e ndien që ka nevojë të sqarohet rreth këtyre ngjarjeve nga ana e politikanëve që kanë marrë përgjegjësi politike e institucionale. Por jo, kjo ishte një pritje e kotë. Qëndrimi i krerëve institucionalë tregoi se sa në të vërtetë janë të vullnetshëm të përballen me këtë sprovë të autoritetit të UÇK-së dhe se sa serioze janë referimet e tyre për sakrificën e lavdishme të luftës çlirimtare dhe mbrojtjen e vlerave të luftës.

Lideri tregon veten me qëndrime të guximshme, posaçërisht në raste të rënda e të ndjeshme si ky, e jo vetëm në rrethana përvjetorësh, përurimesh e solemnitetesh tjera me karakter ceremonial. Fshehja pas pozitave institucionale në këto momente të vështira është një qëndrim së paku jo i denjë për një udhëheqës.

Kjo u pa qartë në komunikatat shterpe të qeverisë e të presidencës me një vonesë të pajustifikueshme ku bëhet thirrje për “sundim ligji, respektim të organeve të drejtësisë dhe besim në pafajësinë e çlirimtarëve”. Këto s’janë gjë tjetër veçse përralla në erë. Kjo bëhet edhe më e padurueshme sidomos kur dihet se një pjesë e rëndësishme e udhëheqësve të institucioneve aktuale të shtetit deri dje ishin pjesë e përpjekjeve të popullit tonë për liri të organizuar në strukturat e larta të UÇK-së. Kemi “shpërthime” individuale të izoluara në sinqeritetin dhe në qëllimin e mirë të të cilave nuk dyshoj (siç ishte rasti i reagimit të ministrit të FSK-së), por në përgjithësi qëndrimi institucional është, thënë më së buti, i paqartë.

Kur është fjala për përvjetorë dëshmorësh, vendosje të kurorave të luleve mbi varret e dëshmorëve apo mbajtjen e fjalimeve nëpër akademi përkujtimore për ta, pushtetarët “thyejnë këmbët” dhe zbardhin dhëmbët për t’u dukur më mirë para kamerave televizive. Por kur është fjala për të vepruar politikisht në mbështetje të ish-luftëtarëve të gjallë, (sikundër është rasti në lidhje me arrestimet e EULEX-it) po të njëjtët politikanë mjaftohen me nga një komunikatë me të njëjtën përmbajtje të varfër sa për ta kaluar radhën.

Në tërë këto zhvillime të pazakonshme, qeveria po sillet si një vëzhgues i zakonshëm, paçka se këto arrestime, bashkë më tronditjet e vazhdueshme plotësuese politike, ekonomike e sociale që janë në rritje e sipër, lehtë mund ta prishin ekuilibrin e brishtë në shoqërinë tonë të traumatizuar, duke na sjellë si shoqëri në rrethana shumë të vështira e të paparashikueshme.

Prishtinë, 24.3.2011