Në një vizitë dyditëshe në Kosovë po qëndron zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto.
Që në fillim të vizitës së tij ai na e bëri me dije se ka ardhur këtu për të na e përsëritur deklaratën e tij të papërgjegjshme të cilën ai e bëri para disa ditësh në Tiranë, se bashkimi kombëtar i popullit shqiptar apo lëvizja e kufijve na qenkan të dëmshme si ide dhe si veprim për shqiptarët dhe për rajonin!
Zoti Haxhinasto - para se t’i shpalosë pikëpamjet e tij apo të partisë së cilës i takon - duhet ta dijë se flet edhe si zëvendëskryeministër republike, edhe si ministër shteti dhe se kushtetuta e shtetit të cilin ai përfaqëson e shpreh qartazi aspiratën e popullit shqiptar për bashkim kombëtar.
Deklarata të tilla të papërgjegjshme nuk i kanë hije një burrështetasi, e aq më pak një diplomati karriere!
Megjithatë, populli shqiptar do ta ndjekë rrugën e filluar të bashkimit kombëtar pavarësisht deklaratave të tilla.