31.01.2012 · Aurora Bakalli
I nderuari Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Duke qenë se të gjithë e dimë se mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë është e lidhur ngushtë me zbatimin e Pakos së Ahtisarit;
Duke qenë se të gjithë e dimë se Pakoja e Ahtisarit kërkon nga ne që ta kemi një kushtetutë të tillë çfarë edhe e kemi, e që shumica jonë dërrmuese nuk dëshirojmë ta kemi;
Duke qenë se të gjithë e dimë se nga një kushtetutë e tillë që është në vartësi të plotë nga dispozitat e Pakos së Ahtisarit derivojnë edhe ligje të cilat edhe kur i zbatojmë – i zbatojmë pa vullnet;
Duke qenë se zbatimi i plotë i Pakos së Ahtisarit nuk e forcon sovranitetin e Kosovës, por e varfëron atë, ashtu që shtetin e Kosovës e bën krejtësisht jofunksional;
Duke qenë se Pakoja e Ahtisarit jo vetëm që nuk i zgjidh problemet më të mprehta dhe më akute të këtij vendi, por ajo na propozon “t’i zgjidhim” keq ato;
Duke qenë se heqja e mbikëqyrjes, e cila përmbyllet atëherë kur ne i vëmë vetes vargoj me përmbushje të dispozitave tejet të dëmshme të Pakos së Ahtisarit, nuk rezulton me përparim, por me degradim në forcimin e sovranitetit;
Duke qenë se të gjithë e dimë (edhe pse bëhemi që nuk e dimë!) se Pakoja e Ahtisarit është e pazbatueshme në veri të Kosovës dhe nuk e prek qëllimisht problemin e pazgjidhur të Kosovës Lindore;
Duke qenë kështu, e shumë më tepër se kështu, të nderuar kolegë deputetë, Lëvizja për Bashkim do të votojë kundër rezolutës së propozuar, por ju fton edhe ju të gjithëve që të mos votoni për diçka që edhe vetë e quani “plan i keq”, por të mblidhemi së bashku, si përfaqësues të popullit dhe ta propozojmë një plan të mirë, i cili qytetarëve të Kosovës do t’ua hapte perspektivat zhvillimit ekonomik e social, që Kosovës do t’ia hapte perspektivat kombëtare e ndërkombëtare e rajonit do t’i sillte paqe e stabilitet.
Ju faleminderit!
Aurora Bakalli
Deputete e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës
Prishtinë,
31.1.2012