×

Pensionistët meritojnë të trajtohen ndryshe

01.03.2012 · Aurora Bakalli



I nderuari Kryetar, të nderuar deputetë,

Do ta filloj diskutimin tim me një thënie të Hemingueit, e cila thotë : ”Pensionimi është fjala më e shëmtuar në fjalor”, ndërkaq unë do të shtoja se nuk besoj se vlen ndokund më shumë se tek ne kjo thënie.

Me arritjen e moshës së pensionimit, individi, si qenie shoqërore, duhet të pajtohet me statusin e rendit të dytë në shoqëri apo edhe më keq si në të shumtën e rasteve në shoqërinë tonë, me statusin e rastit social. Këto rrethana dhe fakti se medoemos i pensionuari shndërrohet në barrë për njerëzit për rreth kanë efekt negativ psikologjik që rezulton pastaj dëmshëm edhe në shëndetin fizik të individit. Prandaj nuk është për t’u befasuar me thënien se “Pensionimi vret më shumë njerëz se sa që ka mundur ta bëjë ndonjëherë këtë puna e rëndë”.

Shtrohet pyetja, “A duhet të jetë pensionimi shpërblim për punën e rëndë që është bërë për një jetë të tërë apo duhet të jetë dënim për këtë?”

Në rastin e pensionistëve kosovarë pa asnjë dyshim se është një dënim, madje dënim shumë i rëndë. Mundi dhe djersa e derdhur në vitet e rinisë u është kthyer me përbuzje, denigrim social, nëpërkëmbje, humbje të dinjitetit. Dhe jo, nuk janë aspak patetike këto epitete, por janë reale madje ndoshta edhe jo të mjaftueshme për të shprehur se si e ndien veten një person që i ka kontribuar 40 vite një shoqërie dhe sot në moshën e pleqërisë duhet të mendoj se a ka mundësi për t’i blerë ilaçet e domosdoshme. I vetmi fat në këtë fatkeqësi, është se te ne ende kultivohen vlerat e familjes dhe pensionistët mbështeten nga fëmijët e tyre se përndryshe do të mbeteshin në mëshirën e fatit dhe do të përballeshin me luftën për mbijetesë.

Dua të theksoj se pikërisht këta pensionistë të sotëm ishin dje mësues, mjekë, inxhinierë, juristë, ndërtimtarë, ekonomistë, gazetarë, politikanë, shkencëtarë që secili në mënyrën e vet e hodhën nga një gurrë në themelin e shtetit që e gëzojmë sot. Ndërsa ata si kundërvlerë për kontributin e tyre shumëvjeçar morën pozitën në margjinat e shoqërisë dhe ndjenjën e njeriut të fyer që do ta bartin në supet e tyre deri sa të kenë jetë.

Për të qenë korrekt, është një moment kur zhvendosen nga margjinat e shoqërisë dhe vendosen në fokus dhe ajo është koha e fushatave elektorale. Por premtimet që marrin, mbesin vetëm shpresë madje i lënë ata të ndihen edhe më keq, edhe të tradhtuar.

Të nderuar deputetë, ashtu si kontribuuan këta njerëz për vendin e tyre dhe për një ardhmëri më të mirë në kohën kur ishin të rinj, ashtu të matur dhe me mentalitet shtetndërtues (që duhet të shërbejë si shembull për shumë kënd) vazhduan të jenë edhe në periudhën e pasluftës. Kërkesat e tyre gjithmonë ishin modeste duke qenë të vetëdijshëm për sfidat e vendit të tyre të dalë nga lufta, madje edhe kërkesat e këtij peticioni janë plotësisht të arsyeshme.

Jam e vetëdijshme që diskutimi im tingëllon shumë sentimental, por motivi është shumë racional, sepse konsideroj se trajtimi i tillë i kësaj shtrese është pikërisht rezultat i mungesës së ndjeshmërisë së qeverisë ndaj tyre. Po të ekzistonte kjo ndjeshmëri edhe qasja në raport me pensionistët gjatë planifikimit të buxhetit do të ishte më racionale. Qytetarët më shumë se për asfalt kanë nevojë për kujdes rreth çështjeve elementare të tyre.

Prandaj, ne si Lëvizje për Bashkim i përkrahim rekomandimet e komisionit që janë rezultat i peticionit të nënshkruar nga pensionistët e Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Prishtinë,

1.3.2012

Aurora Bakalli

Deputete e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës