×

​Për gjakftohtësi, kundër vëllavrasjes!

25.02.2016 ·



Situata në Kosovë sa vjen e po përkeqësohet. Veçanërisht ajo mund të acarohet e të dalë jashtë kontrollit ditën e premte, kur Kuvendi i Kosovës do ta ketë në rend të ditës zgjedhjen e Kryetarit të Kosovës.

Në këtë ditë, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend edhe opozita, edhe PDK-ja kanë paralajmëruar manifestim. Opozita ka paralajmëruar protestë në shenjë pakënaqësie me këtë zhvillim të ngjarjeve, ndërsa PDK-ja ka paralajmëruar se do të manifestojë në shenjë feste me rastin e zgjedhjes së z. Hashim Thaqi për Kryetar të Kosovës.

Kjo mund të përbëjë një rrezik të madh për Kosovën dhe për të gjithë qytetarët!

Qytetarët kanë të drejtë të pamohueshme të protestojnë e të festojnë, por rasti konkret përbën një rrezik për gjakderdhje e vëllavrasje, sidomos duke e pasur parasysh gjendjen tejet të acaruar politike në të cilën jemi.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të jenë në nivelin e detyrës dhe të mos lejojnë gjakderdhje të panevojshme. Lëvizja për Bashkim u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e asnjërës palë. Lëvizja për Bashkim u bën thirrje policisë së Kosovës që ta ruajnë rendin e ligjin, ndërsa qytetarët që të mos pozicionohen në asnjërën anë.

Lëvizja për Bashkim gjithashtu iu bën thirrje të dyja palëve që ta rishqyrtojnë mbajtjen e organizimeve në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë. E pakta që mund ta bëjnë është që organizimet e tyre t’i bëjnë në hapësira të ndryshme, larg kontaktit me njëri-tjetrin.

Përndryshe, fajit nuk mund t’i ikë askush!

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 25.2.2016