×

​Të mbrohen shqiptarët dhe të ndërpritet spastrimi etnik

08.04.2012 ·



Lëvizja për Bashkim dënon ashpër vrasjen e shqiptarëve në veri të Mitrovicës të kryera me motive të qarta të spastrimit etnik të veriut të Kosovës.

Rasti më i freskët është sulmi i mbrëmshëm shovinist mbi familjen Haradinaj, me ç’rast u vra Selver Haradinaj dhe u plagosën tre anëtarë të tjerë të familjes. Lëvizja për Bashkim ndanë dhimbjen me familjen Haradinaj dhe u shpreh ngushëllime të afërmve të familjes.

Akti i mbrëmshëm terrorist ka qenë i paralajmëruar dhe i pritur. Dhuna dhe presioni ndaj shqiptarëve i filluar që pas Luftës Çlirimtare të Kosovës është shtuar shumë pas tensioneve të ngritura nacionaliste të muajve të fundit, ndërsa institucionet e Kosovës dhe përgjegjësit ndërkombëtarë për ruajtjen e sigurisë vetëm kanë bërë sehir.

Lagja “Tre rrokaqiejt”, ku ka ndodhur ky akt kriminal, para luftës së fundit ka qenë e banuar në shumicë me shqiptarë, por serbët dhe Serbia kanë arritur që me dhunë t’i dëbojnë shumë shqiptarë nga kjo hapësirë për ta realizuar skenarin ekspansionist serb që duke spastruar shqiptarët të përvetësojë prona dhe territore me histori e pronësi shqiptare.

Lëvizja për Bashkim kërkon nga shteti i Kosovës që urgjentisht dhe me çdo kusht, pavarësisht se çfarë do të jetë zgjidhja politike për veriun e Kosovës, të vendosë kontroll në ato pjesë të veriut ku jetojnë shqiptarët dhe ku i kanë pronat e tyre, në mënyrë që t’i ndërpresin vrasjet, dhunën e maltretimet e shqiptarëve, të cilat qëllimin e vetëm dhe final e kanë spastrimin etnik të trojeve shqiptare.

Prishtinë,

8.4.2012

Lëvizja për Bashkim